Në kuadër të aktivitetit për shërbime “Ofruesit e trajnimit të kurseve afatshkurtra”, është duke u zhvilluar trajnimi per Kualifikimin ’Qumështar’, një program profesional i cili synon ngritjen e shkathtësive teorike dhe praktike të pjesëmarrësve në sektorin e përpunimit të qumështit.
Deri më tani kanë përfunduar me sukses dy module të këtij trajnimi, gjatë të cilave pjesëmarrësit janë angazhuar në zbatimin e procedurave të higjienës dhe sigurisë ushqimore, përdorimin e pajisjeve teknologjike, masat e mbrojtjes në punë dhe praktikat e mbrojtjes së mjedisit, si dhe në proceset e përpunimit të qumështit që kërkojnë kontroll të saktë të temperaturës dhe trajtim të sigurt për garantimin e cilësisë së produktit final.
Trajnimi po ndiqet nga 20 pjesëmarrës dhe po realizohet nga trajnerë profesionalë të IADK-së, duke siguruar cilësi të lartë të mësimdhënies dhe përputhje të plotë me kërkesat e tregut të punës dhe standardet e industrisë ushqimore.
Ky trajnim do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e kuadrove profesionale, rritjen e sigurisë ushqimore dhe forcimin e mundësive për punësim të qëndrueshëm në sektorin e përpunimit të qumështit në Kosovë.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.