Mbështetja e Bujqësisë së Qëndrueshme në Pellgun e Ibërit

Mbështetja e Bujqësisë së Qëndrueshme në Pellgun e Ibërit

Në kuadër të projektit Përmirësimi i Praktikave të Mira Bujqësore në Mbështetje të Menaxhimit të Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K) – Faza 2, IADK ka filluar një analizë për të identifikuar sektorët bujqësorë me potencial të lartë të zhvillimit, si dhe ata që mund të paraqesin sfida apo të kontribuojnë në ndotjen e pellgut të lumit Ibër.

Ekipi është duke realizuar një analizë gjithëpërfshirëse në të gjitha 14 komunat e pellgut të lumit Ibër, duke u fokusuar në pesë kultura kryesore: mollë, kumbulla, arra, mjedra dhe patate. Deri më tani, janë përfshirë 209 fermerë nga këto komuna, nga të cilët po mblidhen të dhëna të detajuara mbi gjendjen e kulturave, praktikat aktuale të prodhimit, si dhe përdorimin e plehrave dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Këto të dhëna janë thelbësore për identifikimin e sektorëve bujqësorë që kërkojnë mbështetje të synuar, veçanërisht në përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të ujit, reduktimin e përdorimit të panevojshëm të pesticideve dhe plehrave, si dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore.

IADK, në bashkëpunim me programin IWRM-K, do të punojë me fermerët për të promovuar dhe zbatuar praktika dhe teknologji të avancuara të prodhimit që mundësojnë përdorimin efikas dhe të qëndrueshëm të ujit, plehrave dhe pesticideve, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit ujorë dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe afatgjate.

“Ky projekt/aktivitet mbështetet nga Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Kosovës, i zbatuar nga Skat Consulting Ltd. (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit (EAA).

Photo 1 (9).jpg