Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me modelin gjerman të arsimit dual, i cili ndërthur mësimin teorik me trajnimin praktik në ferma dhe laboratorë të specializuar, si dhe identifikimi i praktikave të suksesshme që mund të përshtaten në sektorin e blegtorisë dhe të përpunimit të ushqimit në Kosovë. Gjatë vizitës u zhvilluan takime me institucione arsimore dhe kërkimore, u vizituan ferma model dhe njësi përpunimi të produkteve të qumështit.
Ndër praktikat më të avancuara të prezantuara ishin: sistemet robotike të mjeljes me teknologji të integruar për monitorimin e shëndetit të lopëve, pajisjet për ftohjen e menjëhershme të qumështit përmes shkëmbimit të nxehtësisë, sistemet për menaxhimin efikas të viçave dhe lopëve, dhe ushqyerjen e tyre, si dhe qasja gjithëpërfshirëse ndaj mirëqenies së kafshëve. Po ashtu, u theksua rëndësia e energjive të rinovueshme në fermat bujqësore, përmes paneleve diellore, biogazit dhe ngrohjes me lëndë drusore të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme.
Kjo vizitë ka shërbyer si një përvojë e vlefshme për zgjerimin e njohurive profesionale të stafit të IADK-së dhe forcimin e mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e arsimit profesional, aftësimit praktik dhe zhvillimit rural.