Më 13 mars 2025, IADK nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Visar Vokrri B.I. nga fshati Sveqel, Podujevë, për fuqizimin e sektorit bujqësor dhe rritjen ekonomike. Ky partneritet synon mundësi punësimi sezonal, trajnime profesionale dhe mbështetje për furnitorët lokalë, duke ndikuar pozitivisht në komunitetet rurale të Kosovës.
Gjatë këtij viti, IADK do të forcojë partneritetin me kompaninë e cila është e fokusuar në përmirësimin e teknologjive të prodhimit të perimeve në serra dhe fushë të hapur dhe promovimin e produkteve vendore. Ky bashkëpunim synon gjithashtu ofrimin e mundësive për integrimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në tregun e punës. Iniciativa do të kontribuojë në rritjen e të ardhurave për fermerët lokalë dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë bujqësore, duke krijuar mundësi më të mira për përfshirjen sociale dhe ekonomike.
Ky bashkëpunim është realizuar në kuader të projektit “Fuqizimi i Komuniteteve Rurale përmes Zhvillimit të Bujqësisë”, financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe përfaqësuar nga Ambasada Suedeze në Kosovë Embassy of Sweden in Pristina. Fondet e projektit menaxhohen nga Këshilli Danez për Refugjatët Danish Refugee Council (DRC), ndërsa zbatimi i tij do të realizohet nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK).