Pergatitja e tokës
Parcelat në të cilat planifikohet kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, duhet të jenë cilësore me nivele mesatar dhe të larta të materieve ushqyese, pra ato parcela të cilat janë të shkrifëta, me ajrim dhe kullim të mirë si dhe shkallë të mjaftueshme lagështie. Parcela në të cilën planifikohet kultivimi i BMA duhet të jetë e lirë nga përdorimi-aplikimi i pesticideve dhe plehrave minerale, në harmoni me rregullat e kultivmit organik. Masat agroteknike të cilat duhet të kryhen në parcelë që të arrihet sukses në kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike janë:
- Lavrimi, në thellësi (30-50) cm.
- Lesimi – diskimi, (20-25) cm.
- Diskimi, frezimi si dhe kultivimi, masa këto të cilat kryhen para mbjelljes së farës ose mbjelljes së fidanit me qëllim shkriftëzimin, kthimin e pjesshëm, përzierjen e dheut si dhe prerjen e barojave.
Mbjellja e bimëve mjekësore dhe aromatike mund të jetë: me farë, si dhe me fidane. Materiali fidanor i cili përdoret për mbjellje, çoftë farë apo fidan duhet të ketë:
- Cilësi të lartë, e cila do të ndikonte pozitivisht në mbishmëri farës, respektivisht nxënje të fidanit.
- Materiali fidanor duhet të sigurohet nga prodhues të licencuar.
- Materialit fidanor, duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni i cili tregon cilësinë, origjinën.
𝐑𝐢𝐠𝐨𝐧𝐢 (Origanum vulgaris)
Për kultivim të rigonit preferohet që fillimisht farat të mbillen në module e pastaj të mbillen në vendin e përhershëm-parcelë, pas ngricave të vona pranëverore atëherë kur temperatura konstante e dheut arrinë mbi 15 oC. Për prodhimin e 1,000 bimëve në module përdoret 1 gr/m2. Në kultivimin me fidane, farat mbijn unifomisht në vazhdimësi të 10 - 15 ditëve në kushte të kontrolluara të lagështisë, temperaturës, dritës dhe tokës. Mbjellja me fidane mund të bëhet në vjeshtë dhe pranverë. Distancat të cilat rekomandohen për kultivim të rigonit janë (80x25)cm. Për 0.20ha nevojiten rreth 10.000 fidane.
𝐌𝐞𝐧𝐭𝐚 (Mentha piperita)
Menta nuk prodhon fara të afta që përcjellin vazhdimësinë gjenetike të shumimit, prandaj shumimi bëhet në formë vegjetative pra me copa dhe stolone. Më ekonomike është shumimi me stolone, ku merren në një ngastër me mentë një vjeçare. Raporti i stoloneve të bardha (stolonet nën dhe) duhet të jetë 80% dhe të gjelbra (mbi dhe) 20 %. Lagështia e stoloneve duhet të jetë rreth 80%. Stolonet me dedikim për mbjellje mblidhen pas vjeljes së dytë. Distanca e mbjelljes janë (80x25) cm.
𝐇𝐢𝐭𝐡𝐞̈𝐫𝐚 (Urtica dioica)
Hithëri mbjellet përmes farave dhe fidaneve. Për shkak se farat janë shumë të vogla, rekomandohet prodhimi me fidanë në shtretër. Farat mbillen në periudhën kohore Prill-Maj dhe fidanët trapiantohen në vjeshtë ose edhe në pranverë. Mbjellja e drejtpërdrejtë e farave në fushë kërkon 3-4 kg/ha normë të farës. Mbjellja me rrënjë duhet të bëhet në vjeshtë ose në fillim të pranverës, në brazda 7-10 cm të thella në një distancë midis rendeve (80-90)cm dhe distancë në mes bimëve (25-30)cm.
𝐌𝐞𝐥𝐢𝐬𝐚 (Melissa officinalis)
Melisa mbjellet drejtëpërdrejtë me farë në muajin Tetor-Nëntor, me distancë në mes rendeve 80-90cm, me normë të farës për mbjellje 8-10 kg/ha. Mbjellja me fidan bëhet në pranverë. Mbjellja me ndarje rrënjore apo rizoma, bëhet shumë rrallë dhe nuk praktikohet shpesh.
𝐋𝐢𝐯𝐚𝐧𝐝𝐚 (Lavandula angustifolia)
Mbjellja me farë drejtëpërdrejtë nuk preferohet pasi që farat karakterizohen me mbishmëri të dobët. Teknika moderne të kultivimit të livandës parashohin shumimin me copa të gjelbra. Rezultatet më të mira kanë treguar copat të cilat janë marrë nga bimët mëmë 2-3 vjeçare. Këto copëza meren në vjeshtë ose në fillim të pranverës nga bimët mëmë. Distancat për mbjellje preferohen 80-90cm në mes të rendeve dhe 20- 25cm në mes të bimëve



