Kërkesat për lëndë ushqyese dhe niveli i konsumit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme gjatë fazës se laktacionit të lopës. Konsumi ditor i lëndës së thatë dhe kërkesat për prodhim të qumështit nuk janë gjithmonë në balancë nga pikëpamja e kërkesave ushqimore, pra periudha e laktacionit duhet të ndahet në katër faza.
Faza e parë
Zakonisht lopët janë në kulmin e dhënies se qumështit në mes ditëve 30 dhe 40 pas pjelljes, gjersa marrja e lëndës së thatë ditore arrin kulmin e konsumimit në mes ditëve 60-80. Prej kohës së pjelljes deri te arritja e kulmit të prodhimtarisë së qumështit, një lopë me prodhimtari të lartë është në periudhën e saj me të vështirë për të plotësuar nevojat ushqimore, veçanërisht për energji dhe proteina. Mungesa apo vonesat në konsumimin e lëndës së thatë në krahasim me prodhimtarinë e qumështit rezulton me mungesë të energjisë dhe mund të shkaktojë humbjen e peshës trupore gjatë fazës së parë të laktacionit. Shpesh, pas 90 ditëve, konsumimi i lëndës së thatë është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat për energji përveç atyre kafshëve të cilat kanë prodhimtari të lartë të qumështit dhe atyre të cilat kanë humbur shumë kondicionin trupor.
Racionet ushqimore të pasura me celulozë ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve metabolike, siç është acidoza e rumenit. Racionet ushqimore nuk duhet të përmbajnë më pak se 16% të lëndës se thatë të fibrave në racionet ushqimore. Gjatë periudhës së parë, lopët me prodhimtari të lartë të qumështit duhet të ushqehen me ushqim voluminoz të kualitetit të mirë me një vlere të lartë të energjisë, se bashku me një sasi të koncentratit e cila zbërthehet me ngadalë ne rumen. Një racion me energji të tillë të lartë do të ndihmojë të reduktoje humbjen e peshës trupore. Amidoni mund të ketë efekt pozitiv në prodhimin e qumështit dhe përqindjes së proteinave por mund të ketë efekt në uljen e yndyrës së qumështit. Amidoni nga patatet dhe drithërat (i degraduar lehtësisht) është i njohur për uljen e yndyrës së qumështit dhe për faktin se sasi të mëdha të këtyre ushqimeve në racion mund të shkaktojnë acidozën e rumenit. Kjo zakonisht ndodhë më shpesh te lopët në laktacion të hershëm kur ndryshimet bëhen në racione që përmbajnë sasi me të larta të drithërave sesa ushqimet gjatë periudhës së tharjes. Si problem kryesor i kësaj mund të shkaktohet zhvendosja e abomazuzit.
Përzierja ditore e të gjithë përbërëseve për të fituar racion homogjen ka avantazh ndaj të ushqyerit me sasi me të mëdha të përbërëseve individual. Rekomandohet të plotësohen racionet me sasi të mjaftueshme të mineraleve dhe vitaminave për të mënjanuar mungesat gjatë kësaj faze.
Faza e dytë
Në mes ditëve 90 - 200, marrja e lëndës së thatë është e mjaftueshme për nevojat e energjisë për prodhim të qumështit dhe rritje. Lopa qumështore rifiton peshën e humbur trupore gjatë fazës së parë. Racionet e pasura me energji kanë efekt me të vogël në prodhimin e qumështit sesa në periudhën e parë. Duhet të kemi kujdes në dhënien e ushqimeve të pasura me energji (misër), sepse ekziston rreziku i trashjes së tepërt të lopëve nga fundi i laktacionit.
Faza e tretë
Nga dita e 200 e me lartë prodhimi i qumështit bie akoma dhe konsumimi i lëndës se thatë në ditë vazhdon të mbetet e lartë, që rezulton me marrje të tepërt të energjisë mbi kërkesat. Gjatë kësaj periudhe, lopët në prodhimtarinë e qumështit duhet të ushqehen me racion me energji me të ulët për të parandaluar sindromën e trashjes së lopës. Pastaj është e këshillueshme të largohen fare ushqimet me energji të lartë, sikurse është misri, silazhi i misrit etj. Është e rekomandueshme që lopët të ushqehen me racione me sasi të mëdha të ushqimeve voluminoze dhe me ushqime me përmbajtje të vogël të karbohidrateve të degraduara lehtësisht.
Faza e katërt
Periudha e katërt konsiston ne periudhën e tharjes, në këtë faze lopët duhet të ushqehen me racione të cilat janë me sasi të ulët të energjisë por me sasi të mjaftueshme të mineraleve dhe vitaminave, e cila redukton rrezikun e mbi-trashjes. Racione të tilla parandalojnë vështirësitë në pjellje dhe çrregullimet metabolike, si pareza e qumështit, ketozës dhe sindromën e lopëve të trasha. Gjatë muajit të parë të periudhës se tharjes, lopët duhet të ushqehen sipas standardeve për mirëmbajtje dhe prodhim të qumështit të 2-4 kg. Gjatë muajit të dytë të periudhës së tharjes lopëve duhet t’u jepen racione për plotësimin e kërkesave për prodhimin e qumështit prej 5-7 kg. Këto kërkesa mund të adaptohen në bazë të kondicionit trupor të lopës. Ushqimet voluminoze janë esenciale për funksionim adekuat të rumenit. Rekomandohet që lopët të ushqehen me ushqime fibroze dhe me përmbajtje të vogël të energjisë. Një racion i mirë konsiston ne 4 kg të lëndës së thatë ditore nga silazhi i barit të kualitetit të mirë së bashku me 6 kg kashtë gjatë muajit të parë dhe 6.5 kg të lëndës ditore të silazhes së barit dhe kashtë sipas dëshirës në muajin e dytë të periudhës së tharjes. Pak para pjelljes (10 ditë) , lopët duhet të përgatiten për prodhimin e qumështit duke e rritur nivelin e ushqimit. Ushqimet voluminoze në racion nuk duhet të ndërrohen me ushqime tjera voluminoze pas pjelljes. Gradualisht rritet sasia e koncentrateve për 2 kg në ditë. Pas pjelljes, sasia e koncentratit duhet të rritet gradualisht ne përputhje me pritjet e prodhimit të qumështit.
Ndarja e lopëve në grupe sipas prodhimtarisë
Nga këndvështrimi i menaxhimit të fermës, rekomandohet që tufat e lopëve qumështore të ndahen në grupe ne bazë të prodhimit të qumështit. Ky sistem na mundëson që lopët ti ushqejmë me ushqime voluminoze të kualitetit të lartë sipas prodhimtarisë. Tek fermat moderne lopët ushqehen me koncentrat në baza individuale ku secila lopë e merr sasinë koncentratit në mënyrë automatike në boksat special për ushqim të koncentruar. Kjo është e rregulluar me anë të kompjuterit ku secila lopë ka çipin e vetë dhe është e regjistruar në kompjuter për kërkesat për ushqim të koncentruar. Ky sistem lejon marrjen e koncentrateve sipas prodhimit të qumështit gjatë 24 orëve.
Fermeri i lopëve duhet të dijë parimet bazike për të ushqyerit e lopëve qumështore, në mënyrë që të rrisë prodhimtarinë në fermën e tij dhe të mirëmbaj shëndetin e lopëve. Prandaj, është esenciale që racionet e lopëve duhet të kenë sasinë e duhur të koncentrateve. Për me shumë , koncentratet duhet të kenë përbërjen e duhur të gjitha lëndëve ushqyese në mënyrë që të plotësojnë kërkesat për lëndë ushqyese të lopëve qumështore.
Si udhëzime te përgjithshme për formulimin e racioneve janë:
- Analizimi i ushqimeve mbi përbërjen e lëndëve ushqyese
- Përdorimi i ushqimeve kualitative dhe anashkalimi i ushqimeve të prishura ose të mykura në të gjitha rastet
- Peshimi ose llogaritja e sasisë së secilit ushqim në racion
- Mbajtja e racioneve konstante, veçanërisht gjatë pjesës së parë të laktacionit
- Kontrollimi i ushqimeve voluminoze/koncentratet me theks të veçantë mbi sasinë e ushqimeve fibroze/celulozës për të anashkaluar çrregullimet digjestive
- Shtimi i përzierjeve të koncentratit me sasinë e duhur të mineraleve dhe vitaminave;
- Ofrimin e racioneve që janë të shijshme dhe tërheqëse për lopën;
- Përdorimin e ushqimeve që nuk ndikojnë në aromën e qumështit dhe që janë të dobishme për shëndetin;
- Gjithmonë duhet pasur parasysh dispozicionin dhe çmimin e ushqimeve për kg të lëndës së that
- Optimalizimin ekonomik të racioneve për rritjen e profitabilitetit në fermat qumështore