Bujqësia dhe zhvillimi rural vazhdojnë të jenë prioritete të rëndësishme për organizatën tonë, duke përfaqësuar njëkohësisht një nga burimet kryesore të të ardhurave për fermerët në Kosovë.
Në vazhdën e aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin e blegtorisë, pas përfundimit me sukses të trajnimeve dhe çertifikimit në programin “Teknik i Blegtorisë”, IADK ka mbështetur fermerët e çertifikuar me pajisje moderne dhe të domosdoshme për zhvillimin dhe avancimin e aktiviteteve të tyre blegtorale.
Nga kjo mbështetje kanë përfituar gjithsej 15 fermerë, prej tyre 7 fermerë nga Komuna e Malishevës dhe 8 fermerë nga Komuna e Skenderajt.
Pajisjet e shpërndara përfshijnë: laktofrizë me kapacitet 500 dhe 300 litra, makina mjelëse me dy tufa, spërkatëse me kapacitet 400 litra, kosa rotative 135 cm, kapëse për rrotoballa, gardhe elektrike për kullosa dhe pajisje të tjera të nevojshme për fermat blegtorale.
Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve morën pjesë z. Zenel Bunjaku, Drejtor Ekzekutiv i IADK-së, z. Sylë Dukolli, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës, z. Sabit Ferizi, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Skenderajt, si dhe zyrtarë të tjerë nga komunat përkatëse.
Përmes kësaj mbështetjeje, IADK vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e fermerëve, rritjen e produktivitetit në sektorin e blegtorisë dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillim ekonomik në zonat rurale të Kosovës.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale”, i financuar nga organizata Bread for the World nga Gjermania dhe i bashkëfinancuar nga komunat partnere.




