Mirëmbajtja, kultivimi dhe rritja e suksesshme e bletëve kërkon përkushtim, punë dhe investim. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm ofron organizata IADK e cila në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë mbështesin zhvillimin e bletarisë përmes granteve dhe trajnimeve. Dy bletarë shumë punëtorë nga Komuna e Vushtrrisë, janë mbështetur me koshere për bletë (tre katëshe) dhe paisje për bletari (centrifugë, shkrirëse dylli elektrike, vaskë për hapjen e hojeve, etj) të nevojshme për realizim të punëve në bletishte.
Mbështetja e ofruar do të ndihmojë bletarët në menaxhimin sa më të lehtë të bletishtes, shtim të numrit të bletëve, do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe sasisë së mjaltit, e që do të rezultojë me më shumë të ardhura për bletarët. IADK së bashku me partnerët e saj do të vazhdojë të jetë pranë të rikthyerve me këshilla e vizita me qëllim që të sigurojë mundësi punësimi dhe gjenerimi të të ardhurave.
Ky aktivitet është bërë i mundur në kuadër të projektit “Përfshirja ekonomike e të riatdhesuarve përmes bujqësisë në zonat rurale dhe ngritja e kapaciteteve përmes trajnimit profesional”, i financuar nga Deutsche Geselchaft für internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, mandatuar nga Republika Federale e Gjermanisë.



