30 Maj 2025 – Një Ditë për të Kujtuar, Reflektuar dhe Falënderuar
Me shumë krenari, emocion dhe përulësi, Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) shënoi 20-vjetorin e themelimit – një rrugëtim i jashtëzakonshëm plot përkushtim për fuqizimin e fermerëve, zhvillimin rural dhe ndërtimin e një bujqësie të qëndrueshme në Kosovë.
Ngjarja u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe plot kuptim, ku bashkë festuam me përfaqësues të institucioneve vendore, partnerë ndërkombëtarë, donatorë besnikë, fermerë përfitues, agronomë, staf të IADK-së dhe bashkëpunëtorë të shumtë që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi plot sfida e suksese.
Ceremoninë e hapi themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, z. Zenel Bunjaku, me një fjalim të thellë dhe emocional, duke ndarë kujtime nga fillimet e organizatës, përballjet me sfidat dhe arritjet e ndërtuara me pasion, sakrificë dhe dashuri për bujqësinë.
Me mirënjohje të thellë, ai falënderoi: Donatorët, për besimin dhe përkrahjen e palëkundur, Partnerët, për bashkëpunimin e qëndrueshëm, Institucionet publike, për bashëpunim dhe dhe bashkëfinacim Fermerët dhe përfituesit, që na kanë frymëzuar çdo ditë, stafin e IADK-së, për përkushtimin në çdo projekt
Fjalime përshëndetëse mbajtën edhe:
– z. Shyqyri Hyseni, Kryesues i Bordit të IADK-së
– znj. Hava Mlinaku, Nënkryetare e Komunës së Vushtrrisë
– z. Mustafë Kastrati, përfaqësues nga GIZ
– znj. Antigona Dajakaj, përfaqësuese e FRIEDA
– z. Valon Vitia, përfaqësues nga DRC
Të gjithë theksuan rolin dhe ndikimin konkret të IADK-së në zhvillimin e bujqësisë, prodhimit të qëndrueshëm ushqimor dhe promovimit të agroturizmit në zonat rurale të Kosovës.
Në fund të ngjarjes u ndanë mirënjohje simbolike për donatorët, stafin, bashkëpunëtorët dhe ish-përfituese gra – si një shenjë e falënderimit të përzemërt për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim me zemër dhe vizion
Ngjarja u përmbyll me muzikë, kujtime të bukura dhe një drekë miqësore, ku të gjithë të pranishmit patën mundësi të ndajnë histori, përvoja dhe përqafime të sinqerta.
Faleminderit nga zemra secilit që ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e familjes IADK!
Së bashku kemi ndërtuar shumë – dhe e ardhmja na fton të ëndërrojmë dhe të punojmë edhe më shumë për një bujqësi më të mirë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
#IADK20Vite #Mirënjohje #ZhvillimRural #ForcaEFermerëve #BujqësiaESëArdhmes



































