IADK ka përfunduar trajnimet në Menaxhim Biznesi me gratë nga komuna e Lipjanit dhe Graçanicës

IADK ka përfunduar trajnimet në Menaxhim Biznesi me gratë nga komuna e Lipjanit dhe Graçanicës

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) ka përfunduar me sukses dy trajnime treditore në fushën e menaxhimit të biznesit, të cilat u organizuan pas një sesioni informues paraprak me komunën e Lipjanit dhe Graçanicës. Sesioni informues me komunat siguroi një përkushtim të veçantë dhe gatishmëri të plotë për të mbështetur pjesëmarrëset gjatë gjithë trajnimeve.

Në trajnim morën pjesë gjithsej 13 pjesëmarrëse, gjashtë gra nga komuna e Lipjanit  dhe shtatë nga komuna e Graçanicës, të cilat patën mundësinë të avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fusha kyçe të zhvillimit të biznesit. Trajnimet përfshinë tema praktike si menaxhimi financiar, marketingu, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe hartimi i planeve të biznesit.

Gjatë sesioneve treditore, pjesëmarrëset u angazhuan në diskutime interaktive dhe ushtrime praktike, të cilat i ndihmuan të forcojnë kapacitetet e tyre për zhvillimin e ideve të qëndrueshme dhe të suksesshme të biznesit. Në përfundim të trajnimeve, të gjitha pjesëmarrëset u pajisën me certifikata të pjesëmarrjes.

Përtej përfitimit të njohurive teknike, këto trajnime përcollën mesazhin e rëndësishëm se fuqizimi ekonomik i grave, veçanërisht në zonat rurale, është i arritshëm kur ato mbështeten dhe inkurajohen të marrin rol aktiv në ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Farat e Fuqizimit: Gratë në Bujqësi”, i cili zbatohet nga Fondacioni Jahjaga dhe mbështetet nga UNMIK.