Sot u mbajt ceremonia e certifikimit të 14 kandidatëve që kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit në Kualifikimin Qumështar ne Nivelin e III sipas KKK. 
Certifikatat për kandidatët e suksesshëm u ndanë nga Drejtori Ekzekutiv i IADK-së, z. Zenel Bunjaku, si dhe nga znj. Charlotte Gauché nga LUX/DEV.
Gjatë muajve të fundit, kandidatët ndoqën një program trajnimi profesional prej 120 orësh mësimore (6 ECVET kredi), duke kombinuar mësimin teorik dhe praktik në ambientet e IADK-së dhe në bashkëpunim me industrinë përpunuese (Qumështorja Eurolona dhe Bylmeti).
Përveç trajnimit në përpunim të ushqimit, kandidatët kanë ndjekur edhe module shtesë në marketing, financa dhe zhvillim biznesi, si dhe realizuan një vizitë studimore në qumështoren ABI për njohje me praktikat bashkëkohore të industrisë.
Ky certifikim zhvillohet në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Urime grupit për këtë arritje dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional! 













