Hiri është sëmundje e përhapur në pemishte, i cili prek në shkallë të lartë disa varietete të ndjeshme të mollëve, që kultivohen në vende të ndritshme dhe me pak lagështi, siç janë: Jonathani, Idaredi, Boscopi, Delishesi dhe Strakingi. Kjo sëmundje prek sythat, lulet, gjethet dhe fidanët, edhe pse shumica e varieteteve janë imune ndaj saj.
Dëmet e shkaktuara
Hiri i mollës paraqitet në gjethe në fazën e ashtuquajtur ‘veshët e miut’, por më shumë vërehet tek lulet dhe lastarët e rinj. Kjo sëmundje ndikon tek çelja e sythave, pasi që sythat e infektuara më vonë çelin. Gjethet e infektuara përdridhen, me ç’rast formohet një shtresë pluhuri nga sporet me ngjyrë të përhimët. Sythat e infektuar mbulohen me micel të kërpudhës, ku si pasojë e sajë madhësia e sythave dukshëm është më e vogël. Infeksionet sekondare paraqiten në gjethe, të cilat mbulohen me shtresë miceli, si dhe marrin ngjyrë të përhimët, e sidomos pjesët e poshtme të gjethes.
Cikli i zhvillimit të sëmundjes
Kërpudha fitopatogjene dimëron në sytha të infektuar të mollëve, në formë të micelit ose të kleistotecëve. Në sipërfaqe të infektuara bimore, miceli formon konide në formë veze ose të rrumbullakëta. Këto organe mbijnë në temperaturë mesatare 18-25 °C dhe në lagështi relative të ajrit mbi 35%. Organet gjenerative të riprodhimit (kleistotecët) formohen në pjesët e infektuara dhe kanë formë gati të rrumbullakë. Ato janë të pajisura me disa zgjatime.
Kërpudha dimëron edhe në formë të kleistotecëve, të cilat formohen në fund të vegjetacionit në pjesët bimore në gjethe të rëna në tokë dhe në fidanë. Është karakteristike se konidet mund të mbijnë pa prani të ujit të lirë dhe në lagështi relativisht të lartë prej 80-90%.
Numri më i madhe i këtyre organeve formohen gjatë muajve maj dhe qershor, në temperaturë rreth 20°C. Nëse gjatë vitit ka të reshura më të vogla atmosferike, atëherë ato formohen në masë më të madhe. Duhet të përmendet fakti, se më të qëndrueshme janë varietetet delishesi i artë, delishesi i kuqë, etj.


Metodat e monitorimit të sëmundjes
Mbrojtja nga sëmundja fillon atëherë kur paraqiten shenjat e para në degëza dhe aty ku ka dimëruar hiri duhet të kryhet krasitja, ku në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia për infektime. Kontrolli fillon në fazën para se të paraqitet ngjyra e trëndafilit e sythave, për arsye se miceli mund të jetë aktiv herët , qysh në vegjetacion. Infeksioni i frutave paraqitet në fazën e sythave, me ngjyrë trëndafili dhe vazhdon përhapjen edhe në fazat e mëtejshme të zhvillimit të mollës.
Pragu kritik: kontrollohen 100 tufëza gjethore/lastar, të cilat trajtohen kur pragu kritik arrin 5% të tufëzave gjethore apo lastarëve të infektuar.
Menaxhimi i sëmundjes
Masat agroteknike
Duhet të kryhet krasitja në fazën e qetësisë apo në pranverën e hershme, ku si rezultat i kësaj zvogëlohet mundësia për infektime. Duhet të bëhet zgjedhja e vendeve me ajrosje të mirë për pemishte, kurora e pemëve duhet të ketë ajrosje (të mos lihet kurora e dendur), mbjellja e varieteteve të bëhet në mënyrë tolerante, plehërimi të jetë i balancuar me sasi më të vogla të azotit për të penguar rritjen e pemës, etj.
Masat fizike dhe mekanike
Masa të posaçme mekanike, kryesisht bazohen në prerjen dhe zhdukjen (djegien) e pjesëve të infektuara bimore gjate dimrit dhe vegjetacionit.
Masat biologjike
Nuk ka
Masat kimike
Luftimi bazohet në mbrojtje preventive, për të parandaluar sëmundjen gjatë prillit dhe majit, ndërsa më vonë me prerje të degëzave të infektuara.
Për mbrojtje nga sëmundja e hirit rekomandohet që të përdoren preparatet në bazë të sulfurit, para lulëzimit nëse temperatura është më e lartë se 12°C.
Gjithashtu mund të përdoren fungicidet në bazë të materieve aktive trifloxystrobin (Zato), cyprodinil (Chorus) dhe difeconazol (Score).