IADK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me tre kompani të njohura të bimëve dekorative: "Lulishtja Buqaj", "Lulishtja Labi" dhe "Orchidea Flower". Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi të reja punësimi sezonal, të ofrojë trajnime profesionale për pjesëmarrësit dhe të mbështesë furnitorët lokalë, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqizimin e komuniteteve rurale në Kosovë.
Një nga qëllimet kryesore të këtij projekti është identifikimi dhe mbështetja e grupeve Rome, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe minoriteteve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Këto grupe do të kenë mundësi të përfitojnë nga angazhimet sezonale dhe trajnimet e specializuara, duke u aftësuar për tregun e punës dhe duke pasur qasje më të lehtë në burime të reja ekonomike. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mundësive ekonomike dhe integrimit social për komunitetet rurale në Kosovë!
Ky bashkëpunim është realizuar në kuader të projektit “Fuqizimi i Komuniteteve Rurale përmes Zhvillimit të Bujqësisë”, financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe përfaqësuar nga Embassy of Sweden in Pristina. Fondet e projektit menaxhohen nga Danish Refugee Council, ndërsa zbatimi i tij do të realizohet nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK).