Sëmundja “gjuha e kaltër“ prek edhe kosovën

Sëmundja “gjuha e kaltër“ prek edhe kosovën

Pas përhapjes në vendet e regjionit sëmundja "Gjuha e Kaltër" (Bluetongue), është lajmëruar edhe në territorin e Kosovës. Kjo sëmundje rrezikon t’i shkatërrojë kafshët, në veçanti delet. Identifikimi i kësaj sëmundje është bërë nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës në Prishtinë. Sipas këtij institucioni, për momentin të prekura nga kjo sëmundje janë komunat si Prishtina, Kamenica, Novobërda, Gjilani, Shtërpca, Vitia, Hani i Elezit, Kaçaniku dhe Ferizaj.

Deri me tani nuk ka një numër të saktë të kafshëve të ngordhura nga kjo sëmundje, por pasojat do të jenë shumëfish më të mëdha nëse nuk ndërmerren masa parandaluese në përhapjen e kësaj sëmundjeje.

Kjo sëmundje nuk mund të bartët tek njerëzit, ndërsa të kafshët e bartin mushkonjat dhe rriqrat, por megjithatë nuk duhet të konsumohet mishi i shtazëve të prekura nga kjo sëmundje. Ajo shpërndahet tek kafshët, kështu që gjuha pas kafshimit të mushkonjave ose rriqrave i bëhet e kaltër, pas së cilës kafsha nuk mund të ushqehet dhe si pasojë e kësaj kafsha ngordh.

"Si masa të biosigurisë janë: ndalimi i lëvizjes së kafshëve, dezinfektimi i fermave, vaksinimi dhe trajtimi i deleve të sëmura si dhe groposja e deleve të ngordhura".

Për shkak se sëmundja përhapet shumë shpejt në momentin e parë që fermerët vërejnë ndryshime në kafshët e tyre si zvogëlim në konsumimin e ushqimit, rritjen e temperaturës se trupit dhe plogështi tek kafshët, duhet të lajmërohen menjëherë veterinerët me të afërt dhe të bëhen analizat për të vërtetuar se a është paraqitur kjo sëmundje.