Përkujdesja e pemishtes së mjedrës në vitin e parë pas mbjelljes nënkupton: punimi i rregullt i tokës, kontrolli i barojave, plehërimi, pomoteknika, ujitja 3-4 herë, mbrojtja ndaj shkaktarëve të sëmundjes dhe dëmtuesve. Sa i përket pomoteknikës në vitin e parë pas mbjelljes pjesa e fidanit që ka mbetur 20 cm mbi sipërfaqe të tokës duhet të mënjanohet në momentin kur lastarët e rinjë janë formuar dhe kanë arritur lartësinë 25 cm.
Në qoftë se pjesa e vjetër e fidanit nuk eliminohet, atëherë ai gjatë vegjetacionit do të zhvillohet dhe do të formoj fruta, është dyvjeçar, por që një zhvillim i tillë është në dëm të lastarëve të rinjë që duhet të formohen në atë vit, e që prodhojnë fruta në vitin e ardhshëm, kurse në këtë rast ata do të deformohen, nuk zhvillohen mjaftueshëm. Në fund të vegjetacionit ndodh tharja e pjesës së fidanit të vjetër. Në rastin kur nuk janë zhvilluar lastarët e rinjë që sjellin fruta në vitin e ardhshëm, prodhimi i mjedrës në këtë rast mund të komprometohet.


Gjatë vegjetacionit lastarët e rinjë zhvillohen duke e mbuluar tërë hapësirën në rende. Meqenëse lastarët e rinjë janë të lakueshëm dhe lëshohen në tokë, për mbajtjen e tyre në drejtim vertikal këta futen në mes fijeve të telit dhe lidhen me konop.


Çdonjëri lastarë i lënë shkurtohet me prerje të pjerrtë mbi syth në lartësi 1.8 – 2.0 m nga toka ose praktikisht nga ajo lartësi që mbi telin e fundit të gjenden katër sytha përkatësisht në tërë gjatësinë e lastarit të ketë 24 sytha. Ky operacion i mjedrës kryhet në pranverë. Pas krasitjes bëhet një mihje e cekët në rende me kulturë të mjedrës.

Në fillim të vegjetacionit në vitet e shfrytëzimit në mënyrë të përhershme rriten lastarët e rinjë nga pika e rritjes nga rrënja, nga të cilët seria e parë gjithnjë mënjanohet deri në nivel të sipërfaqes së tokës, më qëllim të stimulimit të rritjeve të reja dhe për kontrollin e habitusit të sistemit mbitokësor. Mirëpo shtrohet pyetja deri në cilën kohë këto rritje duhet mënjanuar? Kohën e tillë e caktojnë vetë pemëtarët në pemishtet e tyre sipas kushteve, por ekziston edhe një rregull sipas së cilës lastarët më të mirë që duhet të ruhen për vitin e ardhshëm janë ata që në këtë vit rriten në lartësi deri 1 metër (koha kur e kanë kaluar katin e parë të telit) në kohën e vjeljes së frutave në lastarët dyvjeçar.
Në praktikë kjo kohë duhet të jetë data 15 Maj. Mirëpo më së miri duhet të bëhen këto operacione: të gjithë lastarët që shfaqen deri më 15 Maj mënjanohen, e pas kësaj kohe ato lihen që të qëndrojnë. Në qoftë se lastarët e rinjë në kohën e vjeljes nuk arrijnë katin e parë të telit, në këtë rast eliminimi i lastarëve të rinjë bëhet dy ditë më herët, më 13 Maj. Pas vjeljes lastarët e prerë dyvjeçar fillojnë të thahen nga maja në drejtim të bazës, prandaj këta tërësisht mënjanohen. Lastarët e tillë pas prerjes qëndrojnë në pemishte disa dhjetëra ditë, shërbejnë si strehim për lastarët e rinjë të cilët nëse i ekspozohen drejtpërdrejt rrezeve të diellit gjethet e tyre mund të përftojnë njolla djegie. Pas kësaj periudhe përsëri mënjanohen lastarët e rinj së bashku me lastarët e vjetër dhe digjen në mënyrë që mos të jenë burim infektimi.