Shumica e programeve për të ushqyerit e deleve janë të bazuara në përdorimin maksimal të ushqimeve voluminoze. Po ashtu ushqimet voluminoze janë burime të mira të proteinave dhe lëndëve tjera ushqyese nëse ju kushtojmë kujdesin e duhur gjatë përgatitjes së ushqimit voluminoz. Prandaj, cilësia e ushqimeve voluminoze ka rëndësi të madhe në të ushqyerit e deleve.
Kur bëjmë fjalë për përdorimin e ushqimit voluminoz në të ushqyerit e deleve, duhet t’i kemi parasysh dy kritere të rëndësishme: sasinë e ushqimit voluminoz dhe cilësinë e ushqimit voluminoz. Të dy këto kritere janë të lidhura nga lloji i ushqimit voluminoz dhe nga faza e pjekurisë në kohën e kositjes, por edhe gjatë kullotjes së kafshëve. Në përgjithësi, leguminozet, siç janë jonxha, tërfili etj., janë të pasura me proteina, kalcium dhe janë më të tretshme se sa bari natyral.
Faza e pjekjes së bimës ka efekte shumë të mëdha në aspektin e vlerës ushqyese. Pra, një ndër faktorët kryesor që ndikon në cilësinë e ushqimeve voluminoze, është faza e kositjes. Kositja në fazën e hershme apo në lulëzimin e parë të bimës, është masë e domosdoshme që duhet të ndërmerret.
Në përgjithësi, sa më e pjekur që të jetë bima, vlera ushqyese ulët dhe për këtë arsye rritet sasia e celulozës, gjë që rezulton në uljen e tretshmërisë. Kësisoj, kur bimët kositën në fazën e parë të lulëzimit, do të kenë përqindje më të lartë të tretshmërisë, përqindje më të lartë të proteinave, dhe delet mund të konsumojnë sasi më të mëdha të ushqimit voluminoz. Pra, për të ruajtur vlerën ushqyese të ushqimeve voluminoze, duhet pa tjetër të bëhet kositja në fazën e hershme apo në lulëzimin e parë të bimës.

Çelësi kryesor për të pasur sukses në industrinë e deleve është që atyre t’u sigurohet ushqim voluminoz i cilësisë së mirë, varësisht se në cilën fazë të prodhimtarisë janë ato. Në disa faza të prodhimtarisë, delet duhet të ushqehen me ushqim voluminoz të cilësisë së mirë, kurse në disa faza të tjetra, delet mund t’i ushqejmë edhe nëse kualiteti i ushqimit voluminoz është më i dobët.