Çka është bruceloza?
Bruceloza është sëmundje ngjitëse tek kafshët dhe është e pranishme në Kosovë. Për shkak të dëmeve të mëdha ekonomike në sektorin e blegtorisë dhe rrezikut nga infektimi i njerëzve nëpërmjet produkteve të qumështit dhe mishit të cilat nuk janë pasterizuara, njohja e fermerëve me këtë sëmundje ka rëndësi të madhe.
Shkaktar i kësaj sëmundjeje është bakteri (brucella) që ka disa lloje. Ata gjenden në gjak, qumësht, tajitje vagjinale, mëlçi, nyejt limfatike dhe në mbështjellësin e kafshëve të infektuara.
Si përhapet bruceloza?
Ndërmjet kafshëve, bruceloza është e transmetuar zakonisht në kontakt me placentë, fetus, lëngje dhe eksudate vagjinale nga kafshët e infektuara. Kafshët janë infektive pas abortimit ose gjatë pjelljes. Bakteri mund të gjendet po ashtu edhe në gjak, urinë, qumësht dhe farë. Infeksioni ndodh me të ushqyerit dhe përmes membranave të mukozave, lëkurës së lënduar dhe përmes lëkurës së pa lënduar. Njerëzit infektohen përmes ushqimit apo përmes membranave të mukozave dhe dëmtimeve në lëkurë. Bruceloza mund të përhapet edhe përmes qumështit të freskët dhe djathit të pa pasterizuar (pa zier). Në thertore dhe laboratorë mund të ndodh përmes ajrit ose pas kontaktit të afërt. Në kushte të lagështisë së lartë, temperatura të ulëta dhe pa dritë, këta organizma mund të mbeten të rrezikshëm për të shkaktuar sëmundjen për disa muaj.
Shenjat e sëmundjes?
Simptomat e kësaj sëmundjeje manifestohen me rritjen e temperaturës, humbjen e oreksit, humbjen e pjellës në pjesën e tretë të mbarsmërisë që arrin edhe deri në 70% të deleve mbarse. Tek deshtë vjen deri te ndezja dhe ënjtja e testiteve.
Mjekimi dhe parandalimi?
Shërimi tek delet e sëmura nuk vjen fare parasysh dhe kafshët e infektuara e të dyshimta duhet të theren ose mbyten sipas rregullave ligjore. Mbrojtja përfshinë ndjekjen e pandërprerë të gjendjes së brucelozës,duke e marr gjakun dhe bërjen e analizave, që është përgjegjësi e shtetit, gjegjësisht shërbimit veterinar. Po ashtu, kjo sëmundje mund të parandalohet me vaksinimin e deleve me vaksinë që është në dispozicion dhe quhet (rev.1) B melitensis.
Është me rëndësi që secili fermerë duhet ta dijë:
- Që në asnjë mënyrë nuk guxon të përdorë për konsum produktet e deleve të pa pasterizuara apo të ziera mirë.
- Gjatë secilës shitblerje të deleve duhet paraprakisht të kontrollohet dhe të jetë i sigurt që kafshët janë të lira nga sëmundja e brucelozës.
- Të mos huazohen desh pa kontroll paraprak për sëmundjen e brucelozës dhe sëmundjeve tjera
- Gjatë dëmtimit eventual të shëndetit të ndonjë anëtari të familjes me simptoma të dhembjes së eshtrave, paraqitje të temperaturës që ndryshon etj., menjëherë të kërkohet ndihmë mjekësore