Përurimi i objektit - njësive për përpunimin e ushqimit dhe programit për aftësim profesional në IADK

IADK

Për më shumë se një dekadë, IADK punon drejt përmirësimit të kushteve socio-ekonomike duke u fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të kandidatëve në mënyrë që ata të kenë aftësi profesionale që të angazhohen në bujqësi, përpunim dhe zhvillim rural.

Duke marrë parasysh aspektin e rëndësishëm të praktikës, stafi profesional i IADK-së ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive në mbajtjen e trajnimeve që shkojnë nga teoria në praktikë. Megjithëse kushtet e mësimdhënies nuk kanë qenë ideale, stafi i IADK ka përdorur mjete të ndryshme për të ofruar një trajnim cilësor. Nevoja për një objekt/njësi të përpunimit të ushqimit ekziston që moti, dhe IADK ka kohë që ka filluar përgatitjet për të siguruar kushtet më të mira për mbajtjen e trajnimeve që janë në përputhje me praktikat më të mira bashkëkohore.

Sot, 7 korrik 2021, IADK pas një pune të gjatë dhe sfiduese me krenari mbajti ceremoninë e Përurimit të Objektit/Njësive për Përpunimin e Ushqimit  dhe Programit për Aftësim Profesional. Tanimë, në IADK do të mbahen trajnime profesionale praktike të kandidatëve në programet “Qumështar” dhe “Konzervues i frutave, perimeve dhe të ngjashme” të akredituara dhe validuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, po ashtu trajnime të tjera në përpunimin e ushqimit.

Në fillim të ceremonisë, Drejtori Ekzekutiv i IADK-së, Z. Zenel Bunjaku, tha se ndërtimi i këtij objekti është një ndër projektet më të rëndësishme që nga themelimi i IADK-së.  Objekti/njësia e përpunimit të ushqimit plotëson të gjitha kriteret dhe ofron kushtet për zhvillim të praktikës duke respektuar kushtet higjeno-sanitare. Ndaj, Z. Bunjaku ftoi të gjithë të interesuarit të përcjellin IADK-në në rrjete sociale dhe zhvillimet e saj në mënyrë që të marrin pjesë në trajnime cilësore dhe të pajisen me certifikata të njohura në nivel kombëtar.

Më pas, Minstri i MBPZHR, Z. Faton Peci, ka përgëzuar IADK-në për vullnetin dhe punën e deri tanishme në krijimin e Programit për Aftësim Profesional në përputhje me kërkesat e MBPZHR si dhe finalizimin objektit/njësive për përpunim të ushqimit për të cilat ka shumë nevojë Kosova dhe qytetarët e saj.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Z. Xhafer Tahiri, falënderoi IADK-në e cila nuk rreshti së punuari drejt mirëqenies së grupeve më të anashkaluara, duke i mbështetur me trajnime dhe grante të ndryshme. Tanimë, falë IADK-së kandidatët do të mund të aftësohen profesionalisht dhe të kenë më të lehtë punësimin apo të vetë-punësohen, gjë që kontribuon shumë në ekonominë e vendit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm 96 pjesëmarrës, ndër të cilët ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë,  Kryetar dhe përfaqësues të komunave të bashkëpunuese (Vushtrri, Kamenicë, Lipjan, Viti). Po ashtu, morrën pjesë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore (GIZ, CCH, DRC, ADA, USAID, PPSE, PEPEKO), përfaqësues të industrive ushqimore,  përfaqësues të universiteteve (UMIB, UP). Së fundi, morrën pjesë dhe Kryeshefi i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, përfaqësues të Shkollave Profesionale dhe Qendrat për Arsim dhe Aftësim Profesionale si dhe organizata agro përpunuese dhe biznese të grave të ngritura nga projekte të IADK-së (CFD, BfdW, DRC) të cilat promovuan produktet e tyre.

Aktiviteti është pjesë e projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, përkrahur nga Donatori Bread for the World nga Gjermania dhe bashkë financuar nga Komuna e Vushtrrisë.

IADK fton të gjithë të interesuarit të vijojnë trajnime kualitative në sektorin e përpunimit të ushqimit dhe të pajisen me certifikatë të njohur në tërë vendin.