IADK përmbyll me sukses mbështetjen për katër gra përfituese në sektorin e përpunimit të ushqimit – një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik dhe vetëpunësimit

IADK ka finalizuar me sukses shpërndarjen e pajisjeve profesionale për katër gra përfituese, duke i ndihmuar ato të krijojnë pikat e tyre përpunuese dhe të hedhin hapat e parë drejt zhvillimit të bizneseve të qëndrueshme.
Qëllimi kryesor i aktivitetit është rritja e punësueshmërisë përmes vetëpunësimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për gjenerim të të ardhurave përmes mbështetjes me grante.

Dy nga gratë janë mbështetur në konzervimin e frutave e perimeve, ndërsa dy të tjera në përgatitjen e ëmbëlsirave, duke rezultuar në krijimin e katër njësive të reja përpunuese. Pajisjet janë përzgjedhur sipas nevojave specifike të tyre për të nisur ose zgjeruar aktivitetin.

Para përfitimit të pajisjeve, gratë kanë ndjekur një trajnim pesëditor me teori dhe praktikë, ku vetëm pjesëmarrëset që e përfunduan me sukses dhe plotësuan kriteret e kërkuara u përzgjodhën për mbështetje. Ato u pajisën me njohuri mbi përpunimin, sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e biznesit.

Përfitueset nga Vushtrria, Obiliqi, Mitrovica dhe Lipjani tani kanë mundësi të fillojnë aktivitetet e tyre ekonomike, duke rritur pavarësinë financiare dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal. IADK mbetet e përkushtuar në fuqizimin e grave në zonat rurale dhe në mbështetjen e bizneseve të reja që nxisin zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve.

Ky bashkëpunim është pjesë e projektit "Fuqizimi i Komuniteteve Rurale përmes Zhvillimit të Bujqësisë", i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe i përfaqësuar nga Ambasada Suedeze në Kosovë. Fondet e projektit menaxhohen nga Këshilli Danez për Refugjatët(DRC), ndërsa zbatimi i tij do të realizohet nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK).