Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK)

Me datën 07 nëntor 2025,  Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) dhe Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MiM) për forcimin e bashkëpunimit në fushën e aftësimit profesional dhe promovimit të punësimit në sektorin e përpunimit ushqimor në Kosovë.

Ky Memorandum është nënshkruar nga z. Zenel Bunjaku, Drejtor Ekzekutiv i IADK-së, dhe znj. Jehona Namani Rexha, ushtruese detyre e Drejtoreshës së Përgjithshme të APRK-së, duke shënuar fillimin e një partneriteti pesëvjeçar (2025–2030) që synon të përmirësojë mundësitë e trajnimit dhe punësimit në fushën e përpunimit të ushqimit, konkretisht në sektorin në përpunimin e pemëve, perimeve dhe qumështit, me qëllim rritjen e mundësive të punësimit për të rinjtë, gratë dhe grupet e margjinalizuara në zonat rurale.

Sipas marrëveshjes IADK do të organizojë dhe zbatojë trajnime profesionale të akredituara nga Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, kurse APRK do të mbështesë përmes identifikimit të kandidatëve, promovimit të trajnimeve dhe lehtësimit të mundësive për punësim pas certifikimit.

Ky bashkëpunim përforcon lidhjen ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të sektorit të përpunimit ushqimor në Kosovë.

Ky aktivitet është mbështetur nga projekti "Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.