IADK ka përfunduar trajnimin në Menaxhim Biznesi me gratë nga komuniteti joshumicë i Komunës së Novobërdës
Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) ka realizuar një trajnim treditor në fushën e menaxhimit të biznesit me dhjetë gra nga komuniteti joshumicë i Komunës së Novobërdës. Trajnimi ka përfshirë tema praktike si menaxhimi financiar, marketingu, burimet njerëzore dhe hartimi i planeve të biznesit. Gjatë tre ditëve, pjesëmarrëset u angazhuan në diskutime dhe ushtrime që i ndihmuan të forcojnë aftësitë e tyre për të zhvilluar ide të qëndrueshme biznesi. Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrëset u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.
Përtej njohurive teknike, ky aktivitet ka përcjellë mesazhin e rëndësishëm se fuqizimi ekonomik i grave në zona rurale është i mundur kur u ofrohet hapësira, mbështetja dhe besimi për të marrë kontrollin mbi të ardhmen e tyre.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Farat e Fuqizimit: Të Drejtat e Grave në Fokus”, i cili zbatohet nga Fondacioni Jahjaga dhe mbështetet nga Programi i Promovimit të Tranzicionit i Republikës Çeke – CzechAid.