Vizitë studimore në Gjermani për avancimin e praktikave në sektorin e blegtorisë dhe përpunimit të ushqimit

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, të financuar nga donatori Brot für die Welt (BfdW), organizata IADK, në bashkëpunim me ekspertin Dr. Alfred Petri nga Shërbimi i Ekspertëve të Lartë (SES), realizoi një vizitë studimore në rajonin e Bavarisë, Gjermani, gjatë datave 4–7 Qershor 2025.
Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me modelin gjerman të arsimit dual, i cili ndërthur mësimin teorik me trajnimin praktik në ferma dhe laboratorë të specializuar, si dhe identifikimi i praktikave të suksesshme që mund të përshtaten në sektorin e blegtorisë dhe të përpunimit të ushqimit në Kosovë. Gjatë vizitës u zhvilluan takime me institucione arsimore dhe kërkimore, u vizituan ferma model dhe njësi përpunimi të produkteve të qumështit.
Ndër praktikat më të avancuara të prezantuara ishin: sistemet robotike të mjeljes me teknologji të integruar për monitorimin e shëndetit të lopëve, pajisjet për ftohjen e menjëhershme të qumështit përmes shkëmbimit të nxehtësisë, sistemet për menaxhimin efikas të viçave dhe lopëve, dhe ushqyerjen e tyre, si dhe qasja gjithëpërfshirëse ndaj mirëqenies së kafshëve. Po ashtu, u theksua rëndësia e energjive të rinovueshme në fermat bujqësore, përmes paneleve diellore, biogazit dhe ngrohjes me lëndë drusore të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme.
Kjo vizitë ka shërbyer si një përvojë e vlefshme për zgjerimin e njohurive profesionale të stafit të IADK-së dhe forcimin e mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e arsimit profesional, aftësimit praktik dhe zhvillimit rural.