en-US
 
  • Site
  • Web
Search

GRUPI I GRAVE NGA ZONA E ELBASANIT VIZITOJNË FERMERET NË KOSOVË

Më 28 dhe 29 Shtator 2016 në mbështetje të organizatës “DIAKONIA AGAPES” një grupë i grave nga zona e Elbasanit kanë vizituar  disa fermerë/e në të Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Podujevës. Kjo vizitë kishte për qëllim shkëmbimin e eksperincave mes fermereve të dy vendeve në fushën e prodhimit dhe përpunimit të perimeve.  Ky grup i grave nga Elbasani  kanë përfituar viteve të fundit donacione për ngritjen e serrave të vogla dhe disa prej tyre  tashmë kanë parë levërdinë nga kjo veprimtari dhe janë të interesuar të gjejnë mënyra për zgjerim të sipërfaqeve të serrave dhe ngritjen e mëtejme të njohurive për kultivimin dhe përpunimin e perimeve.

Për këtë grup vizitorësh IADK ka aranzhuar një agjendë të vizitave tek disa kultivues dhe përpunues të perimeve, nga të cilët kanë marrë informacione të rëndësishme për praktikat e kultivimit dhe përpunimit të perimeve. Grupi është shoqëruar gjatë tërë kohës nga eksperti i perimeve Sylejman Bunjaku, i cili është përpjekur që përmes këtij organizimi të barten njohuri dhe përvoja mes fermereve të dy vendeve. Gjatë qëndrimit dy ditor të grupit prej 23 pjesmarresve janë realizuar vizitat si më poshtë:

1.Së pari është vizituar fermeri Selim Kasumi në fshatin Pestovë, që ka afërshisht gjysmë hektari me serra dhe qe dy vite ka filluar edhe përgatitjen e kompostit organik, përdorimi  të cilit  ka traguar efekt shumë pozitiv në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së frutave të perimeve. Ata kanë parë punën që është duke bërë familja Kasumi në prodhimtarinë e perimeve në serra, mënyrën e kultivimit, llojet dhe hibridet e kultivuara të domateve, përkujdesin e mirë që është bërë ndaj perimeve gjatë vegjaetacionit, e si rezultat arrijtjen e prodhimtarisë së lartë dhecilësore të domateve.

  

2.Vizita e dytë është bërë te fermerja Ganimete Salihu në fshatin Pantinë, e cila u ka treguar mysafireve nga Shqipëria se para 5-6 viteve ka filluar të merret me prodhimin e fidanëve dhe kultivimin e perimeve në një serrë të vogël dhe të ndërtuar nga konstruksioni i thjeshtë nga druri, ndërsa sot falë përkushtimit dhe punës së parreshtur ka ndërtuar afër 20 ari me serra, dhe ka arritur të prodhojë deri 100 mijë fidane të perimeve dhe luleve, si dhe kultivimin e domateve, specave, trangujve etj. Tregimi i Ganimetes ka qenë inkurajues për grupin e grave të cilat janë fillestare në këtë veprimtari, por që me vullnet dhe përkrahje sadopak të vogël mundë të ecin rrugës që ka kaluar Ganimetja.

3.Vizita e tretë ka qenë në fshatin Frashër të Mitrovicës, te pika përpunuese e pemëve dhe perimeve, që është ngritur para disa viteve në mbështetje të fondacioneve nga IADK. Në këtë pikë përpunuese fermerja Nadire Hasani, ka prezentuar punën që është duke e bërë në përpunimin dhe konservimin e llojeve të ndryshme të pemëve dhe perimeve, dhe kërkesat në rritje nga konsumatorët për produktet e përpunuara në mënyrën shtëpiake. Të pranishmet janë interesuar për mënyrën e përpunimit dhe konservimit të llojeve të ndryshme të pemëve dhe perimeve.  

4.Në ditën e dytë  është realizuar vizita në Komunën e Podujevës, gjegjësisht në fshatin Bradash tek fermerja Shefkije Hoti, e cila po ashtu ka filluar punën para disa viteve në saje të mbështetjes që ka marrë nga IADK, si në ngritjen e profesionale per përpunim te perimeve ashtu edhe me përkrahje direkte për renovimin dhe furnizimin me pajisje të pikës përpunuese të pemëve dhe perimeve në mënyrën shtëpiake. Ajo i njoftoi  gratë nga Elbasani dhe i motivoi ato që të kenë shpresa dhe të bashkëpunojnë mes veti ngase se më lehtë do të mund të gjenë përkrahje për të filluar aktivitetet edhe në përpunim.

Përkushtimi dhe vullneti për të punuar ka bërë që falë përkrahjes fillestare nga IADK dhe të Komunës së Podujevës brenda një kohe të shkurtër të ketë arritur të përvetësojë këtë profesion nga i cili ka përfitime të mira dhe ka krijuar një rrjetë të konsumatorëve të cilët janë të kënaqur me produktet  që i blejnë nga kjo pikë përpunuese. Gratë vizituan pikën përpunuese dhe produktet e përpunuara dhe të konservuara, si dhe morrën informacione të nevojshme për mënyrat e ndryshme të përpunimit dhe konservimit të perimeve.

5.Vizita e radhës ishte pjesmarrja në hapjen solemne të “Ditës së Mjedrës” në Sheshin e Komunës së Podujevës, që ishte një organizim tradicional nga Ministria e Bujqësisë,Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Komunës së Podujevës dhe USAID-it. Më pas janë vizituar stendat ku ishin të ekspozuara frutat e mjedrës dhe produktet e ndryshme të përpunuara të mjedrës, si reqeli, marmalada, gjemi etj.

6. Vizita e fundit është bërë në Panairin e Produkteve bujqësore dhe agroindustriale në Prishtinë, ku janë duke u ekspozuar prodhimet e ndryshme bujqësore dhe aroindustriale, si produkte të përpunuara  pemësh dhe perimesh,  pastaj gatime të ndryshme tradicionale dhe industriale, podhime të ndryshme nga qumështi dhe mishi etj.

Pas kësaj vizite dhe një dreke të përbashkët është përfunduar agjenda e vizitave për grupin e grave, të cilat kanë qenë të kënaqura me aktivitetet që kanë parë në të gjitha vizitat e këtyre dy ditë duke falenderuar IADK-në për gjithë organizimin dhe shoqërimin që ju është bërë, por njëkohësisht kanë falenderuar edhe fermeret kosovare që i mirpritën, ndanë kohën dhe gjithë përvojën e tyre u përpoqën që ta shpërndajnë tek grupi i grave nga Elbasani.