en-US
 
  • Site
  • Web
Search

FERMERËT MOTIVOHEN PËR ZGJERIM TË SIPËRFAQEVE KULTIVUESE ME RIGON

Përmes projekteve të ndryshme IADK gjatë vitit të kaluar ka përkrahur një numër të konsiderueshëm të fermerëve për kultivimin e bimëve aromatike mjekësore, përkatësisht  ngritjen e plantacioneve me rigon, në ngastra të vogla nga 1000-2000 m². Fermerët janë furnizuar me fidanë të rigonit, sistem të ujitjes pikë-pikë, e disa prej tyre edhe me serra tharëse me sipërfaqe prej 50 m².

Gjatë vitit të parë të kultivimit të rigonit në mbjelljet pranverore, fermerët mund të marrin në varësi të kushteve klimatike dhe mënyrës së përkujdesit ndaj bimëve së paku një kositje të masës bimore, e cila nuk është shumë inkurajuese për një fermer fillestar në këtë aktivitet. Kjo për faktin se rigoni zakonisht kultivohet përmes fidanëve të cilët mbjellën në distancë 25-30 cm brenda rreshtit, dhe më pastaj nga sistemi rrënjorë,  i cili është i fuqishëm dhe  jashtëzakonisht i degëzuar me shumë rrënjë të imëta dalin kërcej të ri që e plotësojnë hapësirën mes bimëve dhe mes rendeve, duke rritur volumin e masës bimore pas çdo kositje nga viti në vit.

Në këtë mënyrë edhe fermerët e përkrahur nga IADK në vitin e kaluar nga ngastrat e tyre prej 1000m²  kanë marrë afërsisht 100-150 kg masë të tharë bimore, ndërsa në këtë vit prodhimi i rigonit është trefishuar vetëm në kositjen e parë, duke dhënë një prodhim të masës së tharë bimore prej 350-450 kg, nga janë fituar të hyra prej 525-675 €, ndërsa edhe me kositjen e dytë të hyrat do të kalojnë përtej 1000 €/vit.

 

Ky fakt e ka nxitë njërin prej fermerëve përfitues nga Vinarci i Mitrovicës por edhe fermerë tjerë që ndodhen në atë zonë që të kërkojnë përkrahje për zgjerimin e sipërfaqeve kultivuese me këtë bimë, e cila sipas fermerit është e lehtë për ta punuar dhe përkujdesin kryesor  ndaj bimëve thuajse e ka bërë gruaja, pasi ai herë pas here duhet të kërkojë edhe punë tjera fizike për sigurimin e të hyrave për familje. Shuma e të hyrave të fituara nga plasimi i masës bimore nuk ka qenë e pritshme as për së afërmi në këtë sasi, thotë ai dhe jemi shumë të motivuar si familje që të shtojmë sipërfaqet kultivuese me këtë bimë mjaft fitimprurëse. Raste të ngjashme janë edhe me fermerët e përkrahur në Zabel të Ulët të Drenasit, pastaj në Malishevë, Suharekë, Vushtrri, Zubin Potok, Leposaviq etj.