en-US
 
  • Site
  • Web
Search

PËRKUJDESJA NDAJ PEMISHTEVE TË REJA DHE KRASITJA E MJEDRËS

Në qoftë se pjesa e vjetër e fidanit nuk eliminohet, atëherë ai gjatë vegjetacionit do të zhvillohet dhe do të formoj fruta, është dyvjeçar, por që një zhvillim i tillë është në dëm të lastarëve të rinj që duhet të formohen në atë vit, e që prodhojnë fruta në vitin e ardhshëm, kurse në këtë rast ata do të deformohen, nuk zhvillohen mjaftueshëm. Në fund të vegjetacionit ndodh tharja e pjesës së fidanit të vjetër. Në rastin kur nuk janë zhvilluar lastarët e rinj që sjellin fruta në vitin e ardhshëm, prodhimi i mjedrës në këtë rast mund të komprometohet.


Pjesët e vjetra të pa mënjanuara të mjedrës, pas mbjelljes kanë si pasojë zhvillimin e dobët të lastarëve

Gjatë vegjetacionit lastarët e rinj zhvillohen duke e mbuluar tërë hapësirën në rende. Meqenëse lastarët e rinj janë të lakueshëm dhe lëshohen në tokë, për mbajtjen e tyre në drejtim vertikal këta futen në mes fijeve të telit dhe lidhen me konop.


Lidhja e konopit paralelisht me telin mundëson qëndrim të drejtë vertikal të lastarëve

Në fund të vitit të parë të kultivimit të mjedrës, në çdo vend të mbjelljes siguron 2 – 3 lastarë të rinj në largësi të duhur. Në përfundim të vegjetacionit konopi mënjanohet, kurse lastarët lëshohen të lirë që të shtrihen në tokë, në mënyrë që gjatë stinës së dimrit të gjenden nënë shtresën e borës dhe në këtë mënyrë ata mbrohen nga ndikimi negativ i ngricave.


Lëshimi i lastarëve të mjedrës në vjeshtë dhe qëndrojnë të lirë në sipërfaqe të tokës

Në pranverë në fillim të vegjetacionit (viti i shfrytëzimit) bëhet rrallimi i lastarëve në atë mënyrë që deri në bazament mënjanohen lastarët e ngrirë, të dobët, të thyer, të papjekur në shkallë të duhur, kurse lihen vetëm ata më të mirët. Numri i  lastarëve të lënë në gjatësi një metër është 6-7, kurse te kultivari Meeker ky numër sillet deri 5 lastarë. Pas rrallimit lastarët e lënë lidhen në tel me qëllim të fiksimit me lidhje klasike me lidhëse plasmasi ose me pulla plasmasi.


Lidhja në tel e lastarëve dyvjeçar me pulla plastik

Çdonjëri lastarë i lënë shkurtohet me prerje të pjerrtë mbi syth në lartësi 1.8 – 2.0 m nga toka ose praktikisht nga ajo lartësi që mbi telin e fundit të gjenden katër sytha përkatësisht në tërë gjatësinë e lastarit të ketë 24 sytha. Ky operacion i mjedrës kryhet në pranverë. Pas krasitjes bëhet një mihje e cekët në rende me kulturë të mjedrës.     



Paraqitje skematike e krasitjes së mjedrës

Në fillim të vegjetacionit në vitet e shfrytëzimit në mënyrë të përhershme rriten lastarët e rinj nga pika e rritjes nga rrënja, nga të cilët seria e parë gjithnjë mënjanohet deri në nivel të sipërfaqes së tokës, më qëllim të stimulimit të rritjeve të reja dhe për kontrollin e habitusit të sistemit mbitokësor. Mirëpo shtrohet pyetja deri në cilën kohë këto rritje duhet mënjanuar?. Kohën e tillë e caktojnë vetë pemëtarët në pemishtet e tyre sipas kushteve, por ekziston edhe një rregull sipas së cilës lastarët më të mirë që duhet të ruhen për vitin e ardhshëm janë ata që në këtë vit rriten në lartësi deri 1 metër (koha kur e kanë kaluar katin e parë të telit) në kohën e vjeljes së frutave në lastarët dyvjeçar.


Në kohen e vjeljes së lastarëve të vjetër, lastarët e rinj duhet të jenë të gjatë deri në katin e parë të telit

Në praktikë kjo kohë duhet të jetë data 15 maj. Mirëpo më së miri duhet të bëhen këto operacione: të gjithë lastarët që shfaqen deri më 15 maj mënjanohen, e pas kësaj kohe ato lihen që të qëndrojnë. Në qoftë se lastarët e rinj në kohën e vjeljes nuk arrijnë katin e parë të telit, në këtë rast eliminimi i lastarëve të rinj bëhet dy ditë më herët, më 13 maj. Pas vjeljes lastarët e prerë dyvjeçar fillojnë të thahen nga maja në drejtim të bazës, prandaj këta tërësisht mënjanohen. Lastarët e tillë pas prerjes qëndrojnë në pemishte disa dhjetëra ditë, shërbejnë si strehim për lastarët e rinj të cilët nëse i ekspozohen drejtpërdrejt rrezeve të diellit gjethet e tyre mund të përftojnë njolla djegie. Pas kësaj periudhe përsëri mënjanohen lastarët e rinj së bashku me lastarët e vjetër dhe digjen në mënyrë që mos të jenë burim infektimi.

Për sigurimin e suksesshëm të hapësirës punuese lastarët e rinj, si është theksuar më parë, me anë të konopit lidhen paralel me telin që të qëndrojnë në drejtimin vertikal, deri në vjeshtë të vonë, e pastaj lëshohen të shtrihen të lirë në drejtim të tokës.