en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Punët  përgatitore  në  ngritjen e pemishtes  me  dredhëz

Përveç analizës së tokës dhe faktorëve klimatik si dhe mundësisë për plasmanin në treg në prodhimtarinë intensive të dredhëzës është e nevojshme të kryhen këto punë:

 

  • Zgjedhja e lokacionit
  • Vendosja për madhësinë e parcelës me dredhëza
  • Përzgjedhja e kultivarëve të përshtatshëm
  • Njohja me para kulturën Organizimi i sipërfaqes Përgatitja e  tokës
   Zgjedhja e lokacionit për kultivimin e dredhëzës

Duke pasur parasysh specifikat e frutave, ndjeshmërinë në transport, kërkesave të larta për ujë dhe ndjeshmërinë ndaj ngricave të vonshme dhe lagështisë së ajrit, është e nevojshme të zgjidhet pozita dhe vendi i përshtatshëm ku do të ngritët sipërfaqja me   dredhëz. Dredhëzat duhet  të  mbillen  në  sipërfaqe  tokësore  kryesisht  të  rrafshët,    por lejohet që këto të mbillen edhe në pjerrtësi por jo më tepër se 8%. Zakonisht ekspozicioni jugor është me i preferuar. Toka duhet të ketë veti të mira fizike, zakonisht tokat e lehta e sidomos ato aluviale ku niveli i ujit nëntokësor duhet të jetë së paku 1.5 metra në thellësi. Nga ana jugore të mos ketë objekte të afërta që do t’i bënin hije kulturës së dredhëzës, të jetë rreth 100 metra larg rrugëve kryesore për t’i ikur pluhurit që shkaktohet nga lëvizjet e shpeshta të automjeteve. Pozita e parcelës me dredhëz është mirë që të jetë në drejtim veri-jug, ngase në këtë drejtim do të jenë edhe rendet e bimëve dhe do të bëhet shfrytëzimi më i mirë i rrezeve të diellit si dhe do të kemi qarkullim më  të  mirë  të  ajrit.  Po  ashtu  sipërfaqet  e  sheshta  mundësojnë qarkullim më të mirë të masave të ajrit.

 
   Vendimi për madhësinë e parcelës me dredhëza


 

Sa i përket madhësisë së parcelës kjo varet nga forma e prodhimit. Në prodhimtarinë amatore sipërfaqja e një parcele nuk duhet ti tejkaloj 500 m2 ndërsa në prodhimtarinë komerciale sipërfaqja e një parcele nuk duhet ti tejkaloj 2 ha duke pas parasysh numrin e punëtorëve që duhet angazhuar gjatë kohës së vjeljes.

Përzgjedhja e kultivarëve

Në botë ekzistojnë një numër i madh i kultivarëve të dredhëzës (mbi 1000 sish) prandaj është mjaft vështire të përcaktohemi se cilët kultivarë t’i kultivojmë. Zgjedhja e kultivarëve është njëra nder punët më të rëndësishme  për kultivimin e dredhëzës. Preferohet të mbillen 3-4 kultivarë me afat të ndryshëm te pjekurisë, p.sh. një deri në dy kultivarë te jenë të hershëm, ndërsa kultivarët tjerë të jenë mesatarisht të    vonshëm    ose    krejt    te vonshëm.  Se me  çfarë përqindje duhet të përfshihen këta kultivarë, varet prej dëshirës së kultivuesit dhe qëllimit  për  të  cilën kultivohen. Në prodhimtari të gjerë hasim kultivarë të dredhëzës, të cilët japin   fruta   një   herë   gjatë vegjetacionit, kultivarë remuntantë, të cilët japin fruta dy herë gjatë vegjetacionit, si dhe kultivarë të cilët japin fruta gjatë tërë periudhës së vegjetacionit. Në pikëpamje ekonomike, kultivarët që japin fruta një herë gjatë vitit janë me te rëndësishëm. Në tregun ndërkombëtar në  madhësinë e frutave prioritet u jepet dredhëzave me fruta të madhësisë mesatare dhe uniforme (Polka, Elsanta, Pegasus), me shkëlqim, aromë dhe shije të këndshme. Është me rëndësi të përzgjidhen kultivarë të cilët janë më të kërkuar dhe aktual për tregun, që kanë prodhim të lartë dhe cilësorë, dhe që janë më   të   qëndrueshëm   ndaj   sëmundjeve   dhe dëmtuesve.

Njohja me para kulturën

Meqenëse dredhëza është kulturë intensive, njëkohësisht është edhe e rrezikuar  nga  disa  sëmundje  të  cilat  mund  të  vijnë  si  rezultat  i kushteve klimatike, mungesës apo teprisë së disa elementeve në tokë ose për shkak të disa mbetjeve të patogjenëve nga para kultura. Për këtë arsye para kulturës duhet kushtuar kujdes të veçantë sepse nga kjo mund të varet e ardhmja e rendimentit dhe prodhimtarisë së dredhëzës.


Dredhëza nuk guxon të mbillet në sipërfaqe me para-kulturë dredhëze të paktën për pesë vite ose  të perimeve e sidomos domates, patates, specit, rrepës, misrit dhe duhanit. Mbjellja në këto sipërfaqe mund të ndikojë në uljen e prodhimit mbi 50%. Si para kultura më të mira janë bimët leguminoze dhe drithërat.

  Organizimi i sipërfaqes

Në  kushtet  e  ngritjes  së  sipërfaqeve  komerciale  duhet  të  kihet parasysh qarkullimi bimor. Në kushtet kur dredhëza qëndron në një sipërfaqe dy vite, duhet pritur që së paku në tri vitet e ardhme të mos kultivohet  dredhëza  në  atë  sipërfaqe. Me  përjashtim  nëse  ajo sipërfaqe dezinfektohet qoftë me rrugë kimike apo termike por në shumicën e rasteve kjo metodë është shumë e shtrenjtë dhe vështirë mbulohen investimet.

   Përgatitja e tokës dhe mbjellja e fidanëve

Dredhëza për shkak te  vetive biologjike të saj,  dhe për shkak  të kushteve klimatike të cilat dominojnë në kohën e mbjelljes si kulturë e gjelbër barishtore, ka kërkesa te mëdha për parapërgatitjen e tokës. Ajo më suksesshëm zhvillohet në toka humusore respektivisht aluvium të lehta. Paraprakisht është e domosdoshme që të bëhet analiza  kimike  e  tokës  në  mënyrë  që  të  kemi  informacion  për gjendjen e elementeve ushqyese në tokë.

Tokat me përmbajtje të lartë të gëlqeres nuk  janë të përshtatshme për kultivimin e dredhëzës për shkak të rrezikut nga kloroza.

Përgatitja e tokës për mbjelljen e dredhëzës është një ndër masat më të rëndësishme agroteknike, që ndikon në rritjen e prodhimtarisë dhe kualitetit të frutave. Duke pasur parasysh se sipërfaqja e tokës me dredhëz  do të mbulohet me foli të zezë, nuk do të kemi mundësi që pas  ndërrimit  të fidanëve të bëjmë kultivimin  në mes  rendeve të bimëve, atëherë është e domosdoshme që punimit të tokës dhe plehërimit  para  mbjelljes  së  fidanëve  t’i  kushtohet  një  kujdes  i veçantë.

Punimin e tokës duhet filluar së paku tre muaj   para mbjelljes   së fidanëve,  ku  së pari duhet  shpërndarë  plehun  e  djegur  të  stallës (5000-6000 kg / 0.1 ha) dhe një sasi të plehut mineral NPK 7:21:14, ose  10:30:20  (80-100  kg/010/ha  ).  Mëpastaj bëjmë  lëvrimin  në thellësi 30-40 cm.

Për zhdukje të barërave të këqija mund të aplikohen herbicide totale ( Raundap, Glifosat etj) kjo masë ndërmerret kur kemi prezencë të madhe të barojave të këqija. Spërkatja duhet të aplikohet së paku 1 muaj para mbjelljes së fidanëve të dredhëzës.

Përgatitja e leheve (shokave)

Pasi të jenë hedhur plehrat e përshkruara si dhe pasi është përfunduar me masat agroteknike (plehërimi, frezimi dhe rrafshimi i terenit) fillohet me përgatitjen e leheve. Shumë e rëndësishme është që pjesa sipërfaqësore  e  tokës  të  jetë  mirë  e  imtësuar dhe  me  lagështi mesatare. Imtësimi bëhet me anë të frezës dhe pastaj duhet bërë edhe një rrafshim të mirë të sipërfaqes së tokës. Nëse toka është e thatë para se të ngritën lehet duhet ujitur sipërfaqja 1-2 ditë para caktimit të rendeve. Gjithashtu masë e domosdoshme është edhe rulimi i leheve të përgatitura paraprakisht me anë të një ruli me një peshë mesatare rreth 200 kg me qëllim të mënjanimit të hapësirave të ajrit të cilat mbeten pas frezimit të sipërfaqes dhe pas përgatitjes së leheve. Në të kundërtën nuk do të kemi vendosje të drejtë të folies dhe sistemit të ujitjes, shpenzohen sasi të mëdha uji dhe do të kemi vështirësi në zënie dhe rritjen e bimës e që do të reflektohet edhe në vitet vijuese. Drejtimi  i  leheve bëhet    përmes  ndonjë litari  (spage)  duke pasur parasysh drejtimin e leheve.


Gjerësia e shokave dy rendësh mund jetë prej  80-90cm varësisht prej gjerësisë së folies, ashtuqë skajet e folies të mbesin së paku nga 20cm me qëllim që ato të mbulohen dhe të përforcohen sa më mirë për toke. Mirë është që leha të ngritet sa më lartë që është e mundur  si dhe t’i jepet forma e harkut. Në  këtë mënyrë do të kemi ajrim më të mirë, punët gjatë kultivimit dhe vjeljes  do të jenë më të lehta si dhe do të evitohen mangësitë në rast të lërimit themelor eventualisht të cekët. Gjithashtu edhe sistemi rrënjor do të ketë mundësi të zhvillohet më mirë. Ndërsa distanca mes shokave më së miri do të ishte të jetë 60cm në mënyrë që të ketë hapësirë për vendosjen e arkave gjatë vjeljes, lëvizjes së punëtoreve por edhe për ajrosje të bimëve.

Vendosja e sistemit të ujitjes dhe e folies

Krahas shënimit të rendeve të bimëve duhet të bëhet edhe vendosja e gypave të ujitjes për ujitje pikë-pikë. Numri i gypave që do të vendosen për ujitje  varet nga numri i rendeve të bimëve. Zakonisht në praktiken e deritashme kosovare vendosen dy rende dhe një gyp në mes, mirëpo do të ishte e rekomandueshme që të vendosen po ashtu dy gypa, e sidomos në vende me pjerrësi të shprehur dhe në toka të lehta ku rendet do të duhej të vendosen horizontalisht. Gypat janë të lidhur me burimin e ujit me anë të ndërprerësve të ujit të cilët lidhen për gypin kryesor me diametër 1’-5/4’ dhe i kanë vrimat e hapura në çdo 10 ose çdo 20 cm dhe nga çdo vrimë do të rrjedhë uji në formë të pikave dhe sasia e ujit të liruar nga këto vrima (4L/1h për 1m gjatësi të gypit), sasia e ujit do të varet nga shtypja e ujit në gypin kryesor dhe nga pozita e sipërfaqes ku është vendosur parcela. Me rëndësi është që gypat gjatë ujitjes  të jenë të mbushur me ujë komplet ngase në të kundërtën nuk do të kemi rrjedhje uniforme të ujit dhe të jenë afër rendeve të bimëve në mënyrë që bimët ta thithin ujin sa më lehtë.


Vendosja e gypit për ujitje duhet të bëhet para vendosjes së folies së zezë. Dredhëzat po ashtu mund të mbillen edhe në lehë (shoka) një rëndeshe. Folia e zezë e dedikuar për dredhëz duhet të jetë e një kualiteti të lartë me aditiv përkatës të cilët e mbrojnë atë nga temperaturat e ulëta apo të larta. Gjerësia e sajë rekomandohet që të sillet 1.2-1.5 m. Është e rekomandueshme që para vendosjes së folies lehët të ujiten sipërfaqësisht me qëllim që folia mos të dëmtohet nga ndonjë pjesë e dheut të pa imtësuar mirë. Vendosja e folies bëhet në atë mënyrë siç është paraqitur në foton lartë, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet gjatë temperaturave të larta sepse në këto rrethana folia do të zgjatet më mirë dhe gjatë ndryshimit të temperaturave do ta ruaj formën e kërkuar. Kërkohet që folia të jetë sa më shumë e tërhequr dhe pa deformime.

Në  fushë  të  hapur  po  ashtu  rekomandohet  që  të  përdoret  edhe mbulesa shtesë me agrifoli e cila është e depërtueshme për të reshurat dhe rrezet e diellit. Vendosja e kësaj folie bëhet në fillim të vegjetacionit dhe mbahet deri në fillim të muajit maj por duhet pasur kujdes qe gjatë kësaj kohe të përcillet temperatura e jashtme e cila në rast të mënjanimit të folies mund ti dëmtojë seriozisht lulet   dhe të shkaktojë ngecje në vegjetacion. Përndryshe agrifolia ndihmon që pjekja të fillojë të paktën dhjetë ditë më herët si dhe është treguar mjaft efektive në mbrojtjen e frutave të dredhëzës në fazën e pjekjes nga temperaturat e larta, por  vendosja e sajë kërkon kujdes të shtuar.

Caktimi i distancave dhe hapja e vrimave

Ndërrimi i fidanëve te dredhëzës bëhet zakonisht në lehë dy rëndeshe me gjerësi 80-90cm dhe distanca të caktuara 30cm ne rend kurse mes rendeve 35cm dhe në mes leheve 60- 80 cm, por kjo distance mund te ndryshoi varësisht nga lloji i kultivarit dhe vetive te tokës dhe mikroklimës. Si shembull tokat aluviale si dhe pozitat me lëvizje të dobët të masave ajrore, kanë potencial që të kenë bujshmëri më të madhe dhe si rrjedhojë paraqitet nevoja që këtu të keni distanca më të mëdha mes bimëve. Në raste kur në lehë vendosen dy gypa për ujitje si dhe ka mundësi për vendosjen e kashtës ose një mullqi tjetër mes leheve, distancat mes rendeve rekomandohet që të lihen  50cm. Folia mund të jetë e posaçme me vrima të hapura në fabrikë ose mund të hapen me ndonjë sondë apo mjet tjetër të përshtatshëm pas vendosjes së folies.


Varësisht se çfarë distancash do të përcaktohen është më rëndësi që të krijohet një lloj shablloni i cili mund të ndërtohet nga letra e trashë ose materiali plastik dhe në të cilin do të hapen 8-10 vrima apo më tepër   në formë “O” me diametër 10cm. Mandej duke e përshkuar shabllonin mbi folien e vendosur paraprakisht, hapen vrimat në foli. Kjo do të mundësojë që të kemi një hapje të drejtë të vrimave për mbjelljen e dredhëzës.

            Përgatitja e materialit fidanor për mbjellje

Deri më tani në praktikë, përdoret materiali fidanor frigo A+ ose fidanë të gjelbër që për fat të keq nuk prodhohet në Kosovë por importohet nga jashtë. Këto fidanë janë shumë kualitative pasi që janë të pastra nga viruset. Ky material fidanor frigo pas marrjes nga frigoriferi duhet të qëndroi të paktën 24 orë në vend të errët dhe të freskët qe gradualisht të ambientohet me temperaturat e larta. Fidanët e shkrira nuk guxojnë të qëndrojnë më tepër se tri ditë pa u mbjellë, për arsye se ne temperatura te larta i tërë fidani aktivizohet dhe shpenzon rezerva të deponuara të energjisë, e qe pastaj do te ketë probleme me nxënie. Fidanët në fjalë vinë të paketuara pa gjethe ndërsa rrënjët i kanë të zhvilluara. Pas kalimit të kohës së përshkruar më lartë fillohet me përgatitjen e fidanit. Rrënjët e  fidanëve prehen dhe lehen në një gjatësi prej 8-9cm, futen në tretjen e preparatit për dezinfektimin e sistemit rrënjor (valete ose previcur 15% ) dhe lihen 30 min. Ndërsa gjethet e dala eventualisht po ashtu prehen që të mos ketë transpirim. Pasiqë janë kryer këto fillohet me mbjelljen.

Fidanët  e  gjelbra  zakonisht  vijnë  me  dherishte  të  vetën  (substrat steril) dhe zakonisht nuk ka nevojë për ndërhyrje (prerje të rrënjëve, gjetheve) kurse masat tjera janë sikurse të fidanët frigo.


 Mbjellja e dredhëzës

Dredhëza si kulturë mund të mbillet gjatë gjithë vegjetacionit, megjithatë afatet kryesore për mbjellje janë: mbjellja pranverore në muajin Mars dhe mbjellja verore në muajt Korrik, Gusht dhe ajo vjeshtore në muajin Shtator.

Më e mira për fidanë frigo, është mbjellja në muajin Korrik pasi qe bima në aspektin fiziologjik ka mundësi qe të përgatitet më mirë për vitin vijues dhe të ofrojë rendiment të kënaqshëm, megjithatë nuk përjashtohet  nga  mbjellja  as  muaji  Gusht.  Muaji  shtator rekomandohet për fidanët e gjelbërta pasi që vijnë të paketuara me dherishte të vetën, afatet tjera nuk rekomandohen.


Mbjellja e materialit fidanor frigo kryhet sipas udhëzimeve në foto. Gjithsesi para mbjelljes duhet siguruar qe sipërfaqja e tokës të ketë lagështi të mjaftueshme, kjo arrihet nëse para mbjelljes është aktivizuar sistemi i ujitjes pikë-pikë dhe sipërfaqja tokësore është ngopur me ujë. Fidani futet në thellësi deri sa mbulohet  i tërë sistemi rrënjor ndërsa në raste   kur dheu nën lehë, nuk është ngjeshur dhe ujitur sa duhet atë here fidani duhet të futet në thellësi më të madhe për shkak se pas ujitjes mund të zhveshën rrënjët e dredhëzës. Tek fidanët e gjelbra, meqenëse vinë të mbjellë në substrat steril duhet pasur kujdes që të mos dëmtohet forma e këtij substrati e që njëkohësisht sjell edhe dëmtimin e rrënjëve të porsaformuara si dhe të kihet parasysh që të mos lihet hapësirë ajrore në vendin e mbjelljes. Kjo mund të evitohet më së miri me ujitje të menjëhershme.