en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Prodhimi i fidanëve të perimeve

Kultivimi i perimeve në serra por edhe në fushë të hapur përmes përgatitjes paraprake të fidanëve ka një rëndësi të veçant për faktin se përcaktohet më drejtë cikli kultural dhe marrja më herët e prodhimit. Duke qenë vegjetacioni më i shkurtër i bimëve me kultivim permes fidanëve mundësohet përdorimi i tokës për më shumë kultura brenda një viti, qoftë në perimet në fushë të hapur ashtu edhe për ato në serra. Po ashtu eliminohen problemet e mbirjeve të dobëta e të rralla si është rasti me mbjellje direkte të farave, ndërsa arrihet një uniformitet më i madh i rritjes së bimëve ngase egzistonë mundësia e përzgjedhjes së fidanëve më të shëndetshme  dhe largimi i atyre me zhvillim të dobët.

Prodhimi tradicional i fidanëve të perimeve

Një pjesë e madhe e fidanëve të perimeve ende prodhohet në mënyrën tradicionale nëpër lehë të ngrohta me biongrohje (pleh i freskët i shtallës i përzier me kashtë). Në këto lehë fidanët kultivohen 70-80 ditë në periudhën e dimrit, që do të thotë se duhet të fillohet me mbjellje, sidomos  të farave të specit më së voni në fund të janarit deri në fillim të shkurtit.

Përgatitja e biongrohjes- më i kapshëm dhe relativisht më cilësor për këtë qëllim është plehu i gjedhit (lopëve), që përmban 80% lagështi dhe 0,45 % azot. Plehu përzihet me kashtën e imtësuar dhe pesë deri më gjashtë ditë para se të radhitet nëpër lehë, duhet të grumbullohet në grumbull që të inicohet procesi i fermentimit. Lartësia e shtresës së biongrohjes varet nga koha kur përgatitet. Në muajit e dimrit vendoset shtresë më e trashë prej 40-60 cm, ndërsa në muajit jo shumë të ftohtë është e mjaftueshme shtresa prej 20 cm. Kur shtresa e biongrohjes është radhitur, rrafshohet dhe shtypet me dërrasë duke shkelur mbi të me qëllim që të del ajri i tepërt, me çka do të arrihet djegie më afatgjate dhe më e baraspeshuar e biongrohjes. Duke e përdorur plehun e gjedheve e tërë sipërfaqja e tij në lehë laget me qumësht gëlqereje ose me gëlqere të pashuar dhe kështu pengohet zhvillimi i kërpudhave. Pastaj montohet korniza dhe leha mbyllet me dritare qelqi, folje  ose rogozë dhe pas dy-tri ditësh, pasi që të ndizet ngrohtësira, radhitet dherishtja.

Përgatitja e dherishtes- nga sipërfaqja e pa eksploatuar, e pa ndotur nga sëmundjet dhe barojat, merret një shtresë e dheut dhe përzihet në raport 1:1 me plehun organik të djegur mirë. Sitet në sitë të imtë që të mënjanohen plisat e dheut dhe të fitohet strukturë sa më e mirë. Dherishtja e përgatitur në këtë mënyrë radhitet nëpër lehë në shtresë prej 10-12 cm. Pas 4-5 ditësh kur dherishtja të ngrohet, mund të fillohet me mbjelljen e farave.

Mbjellja e farave- Norma e mbjelljes është e ndryshme dhe varet nga lloji i perimeve dhe nga ajo se a do të bëhet trapiantimi a jo (shih tabelën e më poshtme). Farat mund të hedhen në mënyrë të paradhitur ose nëpër rende në distancë prej 4-5 cm nga rendi në rend. Pas shpërndarjes së farave bëhet mbulimi i tyre me 1-1.5 cm dherishte të përgatitur në mënyrë speciale nga dy pjesë mirë të djegura të plehut organik dhe një pjesë të dheut. Pastaj dherishtja butë shtypet që të vjen në kontakt me farën, dhe bëhet  një ujitje e  lehtë e lehës përkatësisht e farave të mbjella. Mbi korniza mbyllen dritaret dhe vendosen rogozet që të mundësohen kushte të errëta deri në mbirje.

Temperatura e ajrit nëpër lehë duhet të mbahet në 20-22 °C, ndërsa e dherishtes rreth 25 °C. Në kushte të tilla fara duhet të mbijë për 5-6 ditë. Si rezultat i fermentimit intensiv të biongrohjes, do të formohen gazra të cilat mund t’i dëmtojnë fidanët, andaj lehët duhet rregullisht të ajrosen.

Rogozet (mbulesa të ndryshme) largohen kur një e treta e farave ka mbirë, largohen dritaret-kornizat dhe zvogëlohet temperatura në 10-12 °C dhe kështu qëndron në 12-15 ditët e ardhshme. Ky “trajtim i ftohtë” duhet ta iniciojë formimin më të shpejtë të trungut/kërcellit të parë dhe të pengojë tej zgjatjen e fidanëve. Deri në trapiantimin e fidanëve, temperatura mbahet në 18-22 °C. Fidanët duhet të herren nga barojat e këqija dhe të trajtohet një deri në dy herë me Previcur Energy në koncentrim 0,15 % tretje ose Ridomill plus 48 WP në koncentrim 0,3 % suspension. Sipas nevojës mund të shtohet Fudazol, Benlate ose Benomil në koncentrim prej 0,05 %.

Norma e mbjelljes së farave me trapiantim dhe pa trapiantim si dhe numri i bimëve për m²

Lloji

Norma e mbjelljes g/m²

Numri i bimëve për m²

Me trapiantim

Pa trapiantim

Me trapiantim

Pa trapiantim

Speci

10-12

4-6

170-200

 

600-1200

Domatja

6-8

0.8-1

100-125

350-600

Trangulli

 

4-5

 

150-200

Sallata

5-8

2-3

150-200

900-1000

 

Trapiantimi i fidanëve- kur bimët e vogla do t’i formojnë dy gjethet e para të vërteta, fidanët mund të trapiantohen në saksi me dimensione 10 x 10 cm, të ujiten me sasi të vogël uji, e të vendosen drejtpërdrejt  nëpër lehë të markuar në distancë 12 x 12 cm. Është e preferueshme që 2-3 ditët e para pas trapiantimit, fidanët të mbrohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë i rrezeve të diellit me rogozinë apo materiale të ndryshme për hijezim. Temperatura nëpër lehë duhet të mbahet në 18-25 °C. Të ushqyerit e fidanëve nëse është e nevojshme mund të bëhet me tretje prej 10-20 g nitrat të amoniumit dhe 20-40 g superfosfat në 10 l uji, me normë prej 2-4 l për 1 m², e pastaj bimët në mënyrë të bollshme ujiten me ujë të pastër.


Në saje të përkrahjes nga donatorë të ndryshëm si nga aspekti trajnues dhe ai materjalë, prodhimtaria tradicionale e fidanëve,  ka filluar të avancohet ngase fermerët janë duke përdorur substratet sterile (kompostot) për mbjellje sidomos të farave derisa fidanët formojnë 2-3 gjethet e para të vërteta, përdorimin e kasetave plastike apo polisteroli, si dhe shfrytëzimin e dhomave të parambirjes, në të cilat egzistojnë kushte të kontrolluara të lagështisë dhe temperaturës, nga edhe arrihet mbirje më uniforme e farave, si dhe mundësitë për prekje nga sëmundjet minimizohe.

Prodhimi industrial i fidanëve
Prodhimi industrial i fidanëve ka avantazhe të konsiderueshme krahasuar me format e tjera të kultivimit (fidanët me rrënjë të zhveshura, ose te prodhuar ne kubiket tradicionale). Ky sistem bazohet në shfrytëzimin e lëndëve të para të përpunuara industrialisht, shkallën e lartë të mekanizimit të proceseve të prodhimit dhe nivelin e lartë të automatizimit të kontrollit të mikroklimës në mjediset e prodhimit të fidanëve. Prodhimi industrial i fidanëve realizohet në kaseta, që përmbajnë 40 – 400 qeliza individuale. Ndarja e kasetave në qeliza do të thotë që çdo fidani, individualisht, i sigurohet ujë  dhe ushqim i mjaftueshëm.


Kasetat për prodhimin e fidanëve. Prodhimi i fidanëve mund të realizohet në kaseta polisteroli (bukë peshku), ose plastike. Pavarësisht nga materiali që prodhohen, kasetat ndryshojnë në numrin, madhësinë dhe formën e qelizave (moduleve) të tyre. Kasetat prej polisteroli janë më të përdorshmet, kryesisht për shkak të kostos më të ulët. Vitet e fundit nën ndikimin e kërkesave për ruajtjen e mjedisit, këto të fundit janë duke u zëvendësuar me kaseta plastike të ngurta. Si rregull kasetat plastike shfrytëzohen për shumë mbjellje me radhë, por edhe kasetat prej polisteroli mund të shfrytëzohen për më shumë se një mbjellje. Në çdo rast, shfrytëzimi i përsëritur i kasetave duhet të shoqërohet me dezinfektimin paraprak të tyre me fungicide dhe insekticide me spektër të gjerë veprimi. Zhytja e tyre për disa sekonda në vaska të mbushura me tretësirë të përqendruar sulfat bakri (gur kali) 3 % është metoda më e thjeshtë.

Substrati për mbushjen e kasetave. Substrati që shfrytëzohet për mbushjen e kasetave njihet ndryshe edhe si komposto. Ndonëse, kompostot për prodhimin e fidanëve mund të prodhohen edhe në mënyrë artizanale (nëpërmjet dekompozimit të mbeturinave organike, plehrave të stallës, etj), shfrytëzimi i kompostove të prodhuara nga industria është më i sigurt dhe më efektiv. Pavarësisht nëse kompostoja që do të shfrytëzohet për prodhimin e fidanëve, është e prodhuar në mënyrë industriale, apo artizanale, ajo duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e mëposhtme:

·të jetë fizikisht uniforme e të ketë rrjedhje të lirë për të lejuar mbushjen uniforme të moduleve,

·të karakteristika shumë të mira ujëmbajtëse, të mos humbasë strukturën gjatë ujitjeve, por njëkohësisht të lejojë njomjen e lehtë në rast se thahet,

·të sigurojë një mjedis uniform për rritjen dhe të mundësojë krijimin e një lëmshi rrënjash që të mos shpërbëhet pas daljes nga modulet,  

Përmbajtja e plehrave në komposto është e rëndësishme dhe do të ishte e dëshirueshme që ajo  të përmbajë në sasi të mjaftueshme të gjithë makro dhe mikroelementet. Megjithatë, rritësit e fidanëve kanë mundësi të shumta të kontrollojnë rritjen e fidanëve me anë të  plehërimeve të lëngshme. Ndryshimi i përmbajtjes së azotit në komposto është mënyra kryesore e kontrollit të rritjes së fidanëve.

Cilësia e farave. Kërkesë esenciale e prodhimit industrial të fidanëve është cilësia e lartë e farave. Është shumë e rëndësishme që farat krahas fuqisë së lartë mbirëse të kenë gjithashtu energji të lartë mbirëse. Si rregull farat që përdoren duhet të kenë fuqi mbirëse jo më pak se 90 %. Humbja e energjisë mbirëse të farave është në shumicën e rasteve tregues i kohës së gjatë të prodhimit të tyre (vjetrimit), ose i kushteve të papërshtatshme të ruajtjes.

Mbushja dhe mbjellja e kasetave. Mbushja e kasetave me komposto mund të behet me dorë, ose e mekanizuar. Mbushja duhet të realizohet nëpërmjet rrjedhjes së lirë të substratit në qeliza, rrafsh me sipërfaqen e tyre. Pas mbushjes me substrat, kasetat shkunden lehtësisht, por nuk është e nevojshme që mbi substrat të ushtrohet forcë për ta ngjeshur. Ngjeshja e tij realizohet lehtësisht nëpërmjet ujitjeve të mëvonshme.


Mbjellja e farave në kaseta, gjithashtu mund të bëhet me dorë, ose e mekanizuar, nëpërmjet makinave mbjellëse me vakum. Pas mbjelljes tavat mbulohen me një shtresë të hollë vermikuliti, pas të cilit makinat moderne të mbjelljes bëjnë ujitjen automatike të kasetave. Në rast të kundërt kjo ujitje duhet të bëhet me dorë, në formë shiu, por duke treguar kujdes që rryma e ujit të mos zbulojë, ose zhvendosë farat e mbjella. Ujitja duhet të jetë e tillë që mundësojë lagien e plotë dhe uniforme të substratit në të gjithë thellësinë e qelizave. Për të lehtësuar këtë proces, nëse substrati paraqitet në gjendje të thatë,  laget mjaftueshëm përpara mbushjes së kasetave.

Mbirja. Kasetat duhet të vendosen në dhomat e veçanta të para mbirjes në paleta (100-150 kaseta/paletë) deri sa të fillojë mbirja. Temperatura në këto mjedise, deri në shfaqjen e mbirjeve të para,  mbahet në nivelin 25-28 oC. Koha e qëndrimit të kasetave në këto mjedise zgjat 48 deri në 72 orë, në varësi nga lloji i perimeve dhe energjia mbirëse e farave. Në përgjithësi, koha e qëndrimit të farave të bimëve të familjes solanore është me e gjatë. Menjëherë me shfaqjen e fillesave të mbirjeve të para, kaseta dërgohen në serrë, ekspozohen në dritë të plotë, ndërkohë që temperatura e mjedisit zbret në 12-16 oC. Në këto kushte, mbirja e solanoreve përfundon për 5-7 ditë, e kungulloreve për 3-5 ditë dhe e kryqoreve për 2-3 ditë.

Gjatë kohës së mbirjes, kujdes i veçantë i duhet kushtuar mbajtjes së substratit në gjendje vazhdimisht të lagur. Për këtë qëllim në dhomën e para mbirjes lagështia relative e ajrit ruhet  në 95-100% (në dhomat e mbirjes kjo realizohet nëpërmjet mjegullimit të vazhdueshëm të mjedisit), ndërsa pas daljes së kasetave në serrë bëhen, sipas nevojës, ujitje periodike. Është shumë i rëndësishëm që temperatura e mjedisit, në çdo pjesë të tij, të jetë uniforme gjatë të gjithë kohës. Në të kundërt, do të ketë mbirje të çrregullta dhe më pas diferenca të konsiderueshme në intensitetin e rritjes së bimëve.

Ndriçimi. Pa dyshim që drita është faktori më i rëndësishëm për rritjen e fidanëve, prandaj sigurimit të ndriçimit të plotë i kushtohet rëndësi e veçantë. Mungesa e ndriçimit manifestohet me tej zgjatje dhe etiolim (zbardhje të kërcellit) të fidanëve, ndjeshmëri më të lartë ndaj sëmundjeve kërpudhore dhe çfarë është më e rëndësishmja, me zvogëlim të potencialeve të ardhshme prodhuese të bimëve. Mungesa e ndriçimit, nuk mund të korrigjohet me vendosjen e llambave të zakonshme, sado të fuqishme të duken ato. Ndriçimi i plotë mund të arrihet vetëm nëpërmjet instalimit të llambave të veçanta me fuqi shumë të lartë. Me gjithë koston e lartë të tij, ndriçimi artificial i fidanëve është në shumicën e rasteve ekonomikisht i justifikuar.

Krasitja ajrore e rrënjëve. Principi bazë i prodhimit të fidanëve në module është krasitja ajrore e rrënjëve. Kasetat duhet të mbështeten mbi tavolina, blloqe druri, tela të tendosur etj., në mënyrë që ato të jenë të izoluara nga toka me një shtresë ajri jo më pak se 5 cm. Lartësia e preferuar nga toka është 10 cm. Krasitja ajrore bazohet në faktin që majat e rrënjëve vdesin kur rrënjët dalin jashtë kasetave dhe bien në kontakt me ajrin dhe në këtë mënyrë favorizojnë formimin e një lëmshi rrënjash brenda foleve në kaseta.Vendosja e kasetave drejtpërdrejtë mbi sipërfaqen e tokës, pleh të pakalbur, mbi sipërfaqe prej çimentoje, apo mbi fletë plastike është e gabuar sepse lejohet dalja e rrënjëve jashtë kasetave dhe depërtimi i tyre në tokë, apo (në rastin e sipërfaqeve prej çimentoje dhe fletëve plastike) krijimi i një shtrese të dendur rrënjash në pjesën e poshtme të kasetës. Vendosja korrekte e kasetave, shoqëruar me teknologjinë e përshtatshme të kultivimit mundëson formimin e një sistemi rrënjor të zhvilluar mirë dhe që shkëputet me lehtësi nga kaseta.

Ujitja. Kërkesat më të mëdha të bimëve për ujë janë në fazën e mbirjes së farave. Për këtë arsye, menjëherë pas mbjelljes bëhet një ujitje me sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit.  Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave. Fidanë me cilësi të lartë mund të përftohen vetëm nëpërmjet ujitjeve korrekte. Nëse ujitja me dorë e fidanëve është praktikë në sipërfaqe të kufizuara, prodhuesit e mëdhenj e kanë të domosdoshme të instalojnë sisteme të mekanizuara ujitje. Sistemi më efektiv i ujitjes është ai i lëvizshëm formë shiu, i cili lejon lëvizjen mekanike të sprucatorëve të ujitjes në çdo segment të fidanishtes. Në ndonjë rast mund të ndodhë që qelizat anësorë të tavave skajore të thahen më shpejt se sa ato të qendrës së blloqeve. Në këto raste janë të domosdoshme ujitjet plotësuese me dorë. Numri i ujitjeve është i kushtëzuar nga kushtet e motit dhe faza fenologjike e fidanëve. Ujitja duhet të jetë e tillë që të realizojë rrjedhje minimale të ujit nga modulet dhe humbje minimale të lëndëve ushqyese prej tyre.

Plehërimet e lëngshme. Rritja e fidanëve mund të kontrollohet nëpërmjet të administrimit të sasisë dhe raporteve midis elementëve bazë ushqyes. Në përgjithësi kompostot industriale që shfrytëzohen në prodhimin e fidanëve janë të pasuruara me elementë të ndryshëm ushqyes dhe mund të sigurojnë të ushqyerit normal të fidanëve për pjesën më të madhe të qëndrimit të tyre në kaseta. Gjithsesi, në situata të caktuara, mund të kërkohet të ndërhyhet me plehra të ndryshëm për të bërë korrigjimet e nevojshme. Vëllimi i vogël në të cilën shtrihet sistemi rrënjor dhe intensiteti i lartë i rritjes së fidanëve i bëjnë shpesh plehërimet të domosdoshme. Plehrat mund të shtohen nëpërmjet sistemit të ujitjes me anë të sistemeve të ndryshme të injektimit. Frekuenca e plehërimeve varet nga gjendja e bimëve, faza fenologjike dhe kushtet e motit. Elementi kryesor ushqyes që rregullon intensiteti i rritjes së fidanëve është azoti.

Esenciale është që gjatë ndërhyrjeve për të kontrolluar rritjen e fidanëve të përdoren doza të vogla, për të mos nxitur rritje vegjetative të tepruar, apo të pakontrolluar të fidanëve. Ndërsa, përqendrimi i fosforit në tretësirë ushqyese të fidanëve duhet të jetë nga 15 në 40 mg/ litër dhe ai i potasit nga 100 në 200 mg/ litër, normat orientuese të përqendrimit të azotit janë si më poshtë:

·         Domate                             50-100 mg/ litër

·         Spec                                 100-150 mg/ litër

·         Lakra                               100-150 mg/ litër

·         Kungulloret                     100-150 mg/ litër

Ndikimi i madhësisë së modulit (kubikut) në cilësitë e fidanit. Prodhimi i hershëm është proporcional me madhësinë e moduleve, por nuk ndodh kështu me prodhimin total. Nëse objektiv është prodhimi i hershëm, rritja e fidanëve duhet të bëhet në module me përmasa të mëdha. Në të kundërt, prodhimi në module me përmasa të vogla është më ekonomik. Avantazhi i moduleve me përmasa më të mëdha lidhur me prodhimin e hershëm, apo atë gjithsej, është i dukshëm nëse trapiantimi realizohet përpara fillimit të lulëzimit. Në të kundërt, përpara trapiantimit duhet të bëhet detyrimisht heqja e luleve, ose frutave.

Kontrolli i gjatësisë së fidanëve. Metoda e diferencave të temperaturave (DIF) është mënyra më e mirë për të kontrolluar lartësitë e fidanëve. DIF përllogaritet nga diferenca e temperaturës të ditës me temperaturën e natës. Një vlerë pozitive e DIF favorizon rritjen e përshpejtuar të bimëve, ndërkohë që një vlerë e mundshme negative, përkundrazi do të frenojë rritjen e bimëve. Temperaturat e larta në 3-4 orët e para pas lindjes së diellit, shkaktojnë tej zgjatje të fidanëve. Kjo mund të parandalohet duke mbajtur në orët e para të mëngjesit temperatura më të ultë se sa ato të natës, por jo më pak se 10 oC. Zakonisht vlera negative prej 4-5 oC të DIF, mundësojnë një kontroll të mirë të lartësisë së bimëve.

Regjimi i ujitjes është një tjetër mjet i fuqishëm për të kontrolluar rritjen e fidanëve. Frekuenca (shpeshtësia) e vogël e ujitjeve, duke i dhënë përparësi ujitjeve në orët e mëngjesit dhe kufizimit në maksimum të ujitjeve në orët më të nxehta të ditës, apo në ditët më ndriçim të kufizuar ndikon pozitivisht në prodhimin e fidanëve me trup të shkurtër. Lëkundjet, apo përkuljet e lehta (disa herë në ditë) janë një tjetër mundësi e mirë për të prodhuar fidanë me kërcej të shkurtër dhe të trashë, pa dëmtuar kapacitetet e tyre prodhuese.

Mosha e fidanëve. Koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë duhet të përcaktohet në varësi të madhësisë së moduleve, llojit të perimeve dhe kohës së kultivimit. Sa më e gjatë të jetë koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë, aq më shumë do të frenohet rritja nën dhe mbitokësore e fidanëve dhe aq më shumë do të zvogëlohet intensiteti i rritjes së tyre. Në mënyrë të veçantë, nëse koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë do ta kalojë kohën e fazës së rritjes aktive të tyre, do të vështirësohet lidhja e tyre me tokën pas trapiantimit dhe do të zvogëlohet ndjeshëm prodhimi i pritshëm prej tyre. Vlerat orientuese të kohës së qëndrimit të fidanëve në kaseta, në varësi të species, numrit të fidanëve në kasetë  dhe kohës së prodhimit paraqiten në tabelën që vijon.

Kultura

 Nr. i fidanëve në kasetë

 Afati optimal i qëndrimit           të fidanëve në kasetë (ditë)

Domate e hershme

60-84

55-60

Domate e mesme, vonë

120-170

35-40

Spec

120-170

60-65

Patëllxhan

120-170

60-65

Kastravec i hershëm

40-60

25-30

Kastravec i mesëm

60-84

15-20

Shalqi i pa shartuar

84-120

20-30

Shalqi i shartuar

60-84

35-45

Lakra / lulelakra

170-256

25-35

 Kalitja e fidanëve. “Kalitja” është termi që nënkupton përgatitjen përfundimtare të fidanëve për mbjellje në vendin e përhershëm. Ajo nënkupton zvogëlimin e ritmit të rritjes, shtimin e lëndës së thatë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së fidanit ndaj streseve të mundshme të mjedisit të ri ku do të zhvendoset fidani. Gjithsesi, është e rëndësishme të nënvizohet që kalitja duhet të bëhet me kujdes dhe vetëm në ditët e fundit të qëndrimit të tyre në vendin e prodhimit, për arsye se një kalitje e zgjatur dhe e tepruar do të influenconte negativisht si në shpejtësinë e lidhjes së fidanëve me tokën, ashtu edhe në prodhimin e ardhshëm të tij.

Mënyrat kryesore të realizimit të kalitjes janë;

·         Ujitja; zvogëlimi gradual i sasisë së ujit që    përdoret për ujitje dhe i kohëzgjatjes së ujitjeve, reduktojnë intensitetin  e rritjes së fidanëve. Megjithatë, në asnjë rast nuk duhet lejuar tharja e substratit deri në atë shkallë sa që të shkaktohet vyshkja e fidanëve.

·         Temperatura; ulja e temperaturës deri në nivelin e    temperaturës së mjedisit të kultivimit të bimëve mundëson aklimatizimin e plotë të fidanëve përpara daljes së tyre në vendin e përhershëm.

·         Plehërimi; zvogëlimi, apo ndërprerja e plotë e plehrave   azotike përpara procesit të kalitjes rrit përmbajtjen e        lëndës së thatë në bimë. Gjithsesi, 1-2 ditë përpara trapiantimit këshillohet të bëhen plehërime me doza të larta azoti, për të furnizuar fidanët me një sasi të mjaftueshme elementesh ushqyes për ditët e para pas trapiantimit.  

Plehërimi para mbjelljes. Pak para transportimit për në fushë fidanët ujiten bollshëm me ujë me përmbajtje të lartë të plehrave fosforike dhe më pak azotike. Plehërime të tilla (starter) ndihmojnë shumë në lidhjen e shpejtë të fidanëve me tokën, për arsye se u sigurojnë fidanëve një rezervë elementesh ushqyes lehtësisht të asimilueshme për ditët e para pas trapiantimit (kjo është e domosdoshme në rastet e mbjelljeve të hershme, kur për shkak të temperaturave të ultë të tokës aktiviteti i sistemit rrënjor është shumë i kufizuar) dhe njëkohësisht nxit aktivizimin e shpejtë të sistemit rrënjor dhe lidhjen e tij me tokën në vendin e përhershëm. Substrati në momentin e mbjelljes duhet të jetë në kushtet e kapacitetit të plotë fushor ujëmbajtës. Një masë e tillë do të zvogëlonte streset ujore të bimëve në momentin e vendosjes në vendin e përhershëm dhe mundësonte po ashtu lidhjen e tyre të shpejtë me tokën.

Kontrolli i sëmundjeve dhe i dëmtuesve. Higjiena e plotë e kasetave dhe e substratit që përdoret për prodhimin e fidanëve është e domosdoshme. Sëmundjet që dimërojnë në tokë mund të përcillen nga një cikël  prodhimi në tjetrin nëpërmjet kasetave të pa dezinfektuara. Kasetat plastike mund të dezinfektohen duke i zhytur në solucione formaline, ndërkohë që tavat prej polisteroli (bukë peshku) mund të përpunohen me fungicide me bazë të gjerë veprimi. Trajtimet e fidanëve gjatë rritjes kushtëzohen nga natyra e problemeve që lindin gjatë rritjes së tyre.

Treguesit cilësorë të fidanëve perimorë. Ndryshe nga drufrutorët, për fidanët perimorë nuk ekzistojnë standarde të cilësisë së fidanëve. Megjithatë, ekziston një mirëkuptim i gjerë që fidanë perimorë cilësorë konsiderohen ata që plotësojnë kriteret që vijojnë;

  • Janë të pastër nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
  • Kanë gjethe dhe kërcej me ngjyrë të gjelbër të errët dhe përmbajtje të lartë klorofile.
  • Kanë sistem rrënjor të zhvilluar mirë, pa simptoma kalbëzimi, apo tapëzimi.
  • Kanë kërcell të fuqishëm dhe të zhvilluar mirë.
  • Kanë sipërfaqe gjethore të mjaftueshme.
  • Zotërojnë aftësi për tu lidhur shpejt me tokën pas trapiantimit dhe kanë potenciale të larta për rritje të shpejtë pas rrënjëzimit