en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Ditë Fushore në promovimin e fidanishteve të dredhëzës

Organizata Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) është duke implementuar projektin 3 vjeçar “Edukimi dhe Konsolidimi i Fermerëve në Kosovë”, i cili është duke kontribuar në organizimin dhe edukimin e fermerëve, ngritjen e rendimentit, diversifikimin e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë dhe futjen e teknologjive të reja në sektorin e bujqësisë.

Të premten më  27.09.2013 në fshatin Sfaraqak të Ulët të Vushtrrisë IADK ka organizuar një Ditë Fushore për promovimin e fidanishteve të dredhëzës në të cilat është prodhuar material fidanor kualitativ i dredhëzës. 

Në këtë organizim kanë marrë pjesë 32 pjesëmarrës -fermerë  nga komuna të ndryshme të Kosovës si dhe drejtorë dhe zyrtarë të drejtorive komunale për bujqësi nga komuna e Vushtrrisë dhe Skënderajt, të cilët janë njohur  nga ana e zv. Drejtorit ekzekutiv të IADK-së,  Gursel Arifi  për rëndësinë e ngritjes së fidanishteve të dredhëzës. Ai theksoi se për herë të parë në Regjionin e Mitrovicës janë ngritur tri fidanishte për prodhimin në mënyrë profesionale të fidanëve të dredhëzës dhe se arsyeja kryesore për një projekt të tillë ka qenë përfitimi i përvojave të fermerëve në këtë lëmi, pastaj sigurimi i fidanëve kualitative për fermerët që duan të zgjerojnë apo të ngrisin plantacione të reja me dredhëza si dhe ulja e kostos për ngritje të plantacioneve me dredhëza, duke u furnizuar fermerët nga këto fidanishte me fidanë kualitativë dhe me çmime më të favorshme krahasuar me fidanët e importuara. Po ashtu theksoi se ka qenë organizata e jonë e para që ka përkrahur fermerët me kultivimin e dredhëzës në këtë regjion, e që në fillim ka pas vështirësi të binden fermerët për të kultivuar dredhëzën, ndërsa sot në këtë regjion   janë me dhjetëra hektarë me dredhëza dhe në vazhdimësi janë duke u rritur sipërfaqet me këtë kulturë mjaftë fitimprurëse, andaj shpresojmë që dy përfituesit e fidanishteve  nga Vushtrria dhe ai nga Skenderaj, të kenë përfituar nga ky projekt dhe të vazhdojnë prodhimtarinë edhe në vitet e ardhshme duke shfrytëzuar përvojën e arritur gjatë këtij viti.

Edhe Drejtori i Drejtorisë për ekonomi dhe bujqësi në Vushtrri Berat Januzi falënderoji për punën që është duke bërë IADK-ja në përkrahje të fermerëve dhe inkurajoji fermerët se do të kenë përkrahje edhe nga Komuna e Vushtrrisë për projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë. Më pastaj pjesëmarrësit janë njohur  nga mbikëqyrësi i fidanishteve Skender Fejzullahu për teknikat e aplikuara gjatë ngritjes së fidanishteve që nga përgatitja e tokës, mbjellja e bimëve amë të kultivarëve (Elsanta, Alba dhe Maja) të sjellë nga Holanda dhe Italia, distancat e mbjelljes, ujitjen e plehërimin si dhe mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Ndërsa theksoi se nga secila nga këto tri fidanishte janë prodhuar afërsisht nga 100 mijë fidanë të dredhëzës dhe ftoji fermerët të cilët do të kultivojnë dredhëzën që të furnizohen me fidanë cilësore në këto fidanishte.