en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Ditë Fushore në promovimin e serrës për prodhimin organik të perimeve

Organizata Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) është duke implementuar projektin 3 vjeçar “Edukimi dhe Konsolidimi i Fermerëve në Kosovë”, i cili është duke kontribuar në organizimin dhe edukimin e fermerëve, ngritjen e rendimentit, diversifikimin e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë dhe futjen e teknologjive të reja në sektorin e bujqësisë.

Në kuadër të shumë aktiviteteve, gjatë këtij viti IADK ka përkrahur edhe ngritjen e një serre demonstruese për prodhimin organik të perimeve, me sipërfaqe prej 500 m². Serra ndodhet në fshatin Stanofc i Ulët  të komunës së Vushtrrisë, dhe do të shërbejë si qendër për demonstrimin e prodhimtarisë organike të perimeve për fermerët që duan të marrinë njohuri në këtë lëmi. 

Të premten më  23.08.2013 IADK ka organizuar një Ditë Fushore për promovimin e serrës organike dhe praktikat e rritjes së domateve me metodën organike.

 Në këtë organizim kanë marrë pjesë 31 pjesmarrës-fermerë nga komuna të ndryshme të Kosovës si dhe drejtorë dhe zyrtarë të drejtorive komunale për bujqësi, të cilët janë njohur  nga ana e Drejtorit ekzekutiv të IADK-së,  Zenel Bunjaku me qëllimin e ngritjes së serrës për prodhimin organik të perimeve si dhe perspektivën e kësaj prodhimtarie për të ardhmen. Ai theksoi se kjo serrë do të shërbejë si qendër e demonstrimit të praktikave të rritjes së perimeve duke aplikuar metodat organike të prodhimit, për fermerët kultivues të perimeve nga  e gjithë Kosova, të cilët duan të kalojnë nga prodhimtaria konvencionale apo e integruar në prodhimtarinë organike, si dhe për mundësitë e përkrahjes së fermerëve nga IADK dhe donatorët tjerë në këtë prodhimtari.  Gjatë këtij vegjetacioni  serra është mbjellë me domate dhe janë  aplikuar teknikat e prodhimit organik të domates, ndërsa pjesëmarrësit janë njohur edhe me teknikat e aplikuara gjatë kultivimit të domateve që nga mbjellja e farës e deri në vjeljen dhe tregtimin e tyre, dhe kanë mbetur të inkurajuar me gjendjen vitale të bimëve dhe prodhimtarinë cilësore të frutave të domates.

Pas këtij aktiviteti është vizituar edhe fermeri Vedat Haradinaj në fshatin Stanofc të Epërm i cili është përfitues i një pompe solare për ujitje të kulturave perimore. Këtu pjesëmarrësit kanë parë funksionimin e pompës për ujitje të kulturave bujqësore, e cila funksionon duke shfrytëzuar energjinë diellore përmes paneleve solare, dhe fermeri më nuk ka nevojë për pompa që punojnë me energji elektrike apo me karburante tjera, që do të thotë se përveç evitimit të shpenzimeve të ujitjes ai nuk do të ketë as shqetësimin për ndërprerjet shpeshta të energjisë elektrike, që do të pengonin ujitjen e bimëve në afatin e kërkuar.