en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Shërbela - (Salvia Officinalis L.)

SHËRBELA - (SALVIA OFFICINALIS L.)

Është kulturë që i pëlqen klima e ngrohët, rrjedhë nga Mesdheu ku edhe sot më së shumti mblidhet dhe kultivohet. Përdorej qysh herët nga popujt e lashtë. Grekët e kanë përdor kundër helmimeve nga gjarpërinjtë dhe shërim nga shumë sëmundjeve tjera.  Romakët e vjetër aq shumë e kanë vlerësuar sa atë e kanë quajtur bari shenjtë. Sot në botë sherbela e kultivuar në bregdetin Adriatik konsiderohet si më kualitative

Karakteristikat morfologjike, fiziologjike, përbërja kimike dhe përdorimi

Është bimë shumëvjeçare, ka sistem të zhvilluar rrënjor dhe për këtë arsye kjo bimë konsiderohet shumë e dobishme kundër erozionit. Meqenëse shfrytëzohet vetëm pjesa mbitokësore kultivimi i saj në teren erozive dhe toka zallore ka një shfrytëzim të dyfishtë. Kërcejtë rriten 50-80 cm. Kjo bimë i takon familjes Laminace dhe karakteristikat morfologjike janë të njëjta me bimët tjera të kësaj familje. Kërcelli nuk është aq shumë i degëzuar dhe në pjesën e poshtme është i drunjëzuar. Gjethet janë të vendosura në kërcell njëra kundrejt tjetrës (karakteristikë botanike e familjes buzore). Kanë formë ovalë të zgjatur, ngjyrë të përhimët në të argjend, me disa qime shumë të buta. Lulet janë ngjyrë të kaltër në vjollce të grumbulluara në maje ose degët anësore. Krejt bima ka një aromë karakteristike dhe shije të ithët. Lulëzimi fillon më maj dhe zgjat deri në fund të qershorit. Lulet e sherbelës janë shumë të pasura me nektar dhe janë një kullosë e jashtëzakonshme për bletë. Farat janë të rrumbullakëta, diametër 2 – 3 mm, ngjyrë të errët të mbyllur. Fara ka bimëshmëri shumë të lartë dhe pesha e 1000 farave është 6 – 8 gr.

Përbërja kimike dhe përdorimi i bimës së sherbelës

Në fletë përmban 1.5 deri në 2% vaj eterik dhe tanin. Shfrytëzohet më shumë si mëlmesë dhe për prodhim të vajrave eterik. Përdoret kundër djersitjes si çaj, pastaj për shpëlarjen e fytit, kundër djegies së mukozës së gingivave. Veçanërisht vlerësohet ekstrakti i sherbelës kundër gjakderdhjes së gingivave dhe përforcim të muskujve të dhëmbëve.

Kushtet e suksesit

Klima - Rritet në klimë të thatë dhe të nxehtë. Sa më shumë të jenë të shprehura këto kushte rritet përmbajtja  e vajrave eterik. Duron dimrat e fortë, nuk i përshtaten shumë lagështisë dhe motit të ftohtë gjatë vegjetacionit. I qëndron thatësisë por në fazën e mbjelljes dhe zhvillimit fillestar i nevojitet lagështia. Me rritjen e lartësisë mbidetare rritet edhe përmbajtja e tanineve.

Toka - Nuk ka kërkesa të veçanta për tokë por ka sukses më shumë në toka të shkriftë, më regjim të mirë ujor dhe të ajrit si dhe toka të pasura me humus.

Kultivimi

Qarkullimi bimor – Si bimë shumëvjeçare nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë ky faktor kurse si para kulturë është e nevojshme të jenë kultura mihës.

Punimi tokës - Qëndron deri 10 vjet në të njëjtën parcelë kështu duhet ti kushtohet kujdes i veçantë punimit themelor. Punimin themelor kryhet në fund të verës, në thellësi më së paku 40 cm. Nëse ka baroja atëherë duhet të bëhet edhe një punim sipërfaqësore, sepse kjo është bimë shumëvjeçare dhe se mënjanimi barojave më vonë është i vështirë.

Plehërimi - Kërkon shumë pleh. Kërkon pleh stallë në sasi 20-30 t/ha që duhet të hedhet gjatë përpunimit të tokës, pra para mbjelljes.

Shumimi - Bëhet me farë ose me copëza. Kjo e fundit shfrytëzohet më pak. Në praktikën e gjerë sherbela shumohet me farë edhe atë nëpërmes fidaneve ose drejtëpërdrejtë mbjellja e farës në parcellë në vend të përhershëm.

Me farë, bëhet mbjellja e drejtpërdrejt në fushë, 15-20 kg/ha ose në shtretër për prodhimin e fidanëve para dimrit. Pasi që në fillim bima zhvillohet ngadalë ka shumë probleme me baroja dhe kërkohet fuqi punëtore për largimin e tyre. 

Prodhimtaria e fidanëve në lehë sot është mënyra më përhapur. Mbjellja bëhet në fund të Marsit fillimi Prillit. Fara mbillet në thellësi 1cm. Pastaj fara mbulohet me dhe të imtësuar mirë. Për m2 nevojiten 8 – 10 gr. Mbin për 15-20 ditë. Fidanët e posa mbira vazhdimisht ujiten. Për përgatitjen e fidanëve për 1 hektar, nevojitet 1.5- 2 kg farë të e cila mbjellet në sipërfaqe 250-300 m2. Në Tetor bëhet transplantimi i fidanëve (gjatësia e fidanëve 15-20 cm) në fushë të hapur në distanca 70 cm  ndërmjet rendeve dhe në rend 40-50 cm. Mbjellja vjeshtore me fidanë është më e preferueshme sepse ka mjaftë lagështi dhe se bimë rrënjëzohet më mirë gjatë periudhës së dimrit. Rrënjë e bimës kanë kontakt të drejtpërdrejt me dheun. Nëse nuk është kryer mbjellja vjeshtore atëherë duhet të kryhet sa më parë mbjellja pranverore sa më herët që është e mundshme. Vonë në pranverë nuk preferohet mbjellja sepse fidanët  sherbelës janë shumë të ndjeshme ndaj thatësisë.

Mbjellja e sherbelës mund të kryhet edhe me farë, me makinë speciale. Distanca në mes rendeve duhet të jetë 70 cm, thellësia e farës 2 cm kurse brenda rendit 30 cm.

 

Kujdesi

Sherbela nëse ka mbirë rrallë atëherë duhet të rirenditen dhe plotësohen zbrazëtirat. Ky aktivitet është i domosdoshëm sepse sherbela është kulturë shumëvjeçare.

Gjatë vitit të parë është shumë vështirë sepse bimës duhet ti ndihmohet të rritet dhe zhvillohet. Në mënyrë që të ruhet sasia e vajrave eterike preferohet që bimë të prehet në lartësi 8-10 cm në fillim të pranverës së vitit të dytë. Në këtë mënyrë do të zhvillohen shumë degëza të reja që do të japim me pastaj shumë gjethe. Në vitin e dytë preferohet që të largohen barojat në mënyrë mekanike.

Vjelja - Vjelja e parë bëhet në vitin e dytë, pas lulëzimit.  Kositet pjesa e bimës mbitokësore në lartësi 10 cm. Vjela kryhet në gjysmën e dytë të Korrikut. Gjethet ndahen menjëherë nga kërcelli.

Tharja - Fletët thahen në tharëse edhe atë në 2-3 orët e para në temperaturë 55°C kurse më vonë rreth 1orë 40°C. Ruhet në vend të thatë dhe të errët.

Si për sherbelën por edhe bimë tjera është se vjelja nuk guxon të kryhet kur ka lagështinë fushë.

Distilimi kryhet me sherbelë të njomë, nëse nuk ka mundësi, atëherë thahet dhe pastaj kryhet distilimi për nxjerrjen e vajit eterik.

Rendimenti - Në vitet e para rendimentet janë më të ulëta, kurse rritet duke filluar nga viti tretë dhe i katërt dhe maksimumin e arrin në vitin e gjashtë dhe pastaj fillon rënia e rendimentit. Nga 1 ha merret 3 - 5 T/ha herba dhe 2-3 ton gjethe të thata kurse si masë e njomë 50-80 t/ha bime te freskët me 2 vjelje. Raporto tharjes është 5 : 1.  Kilogrami i bimës se thare është 1 EUR    

Vjelja duhet të bëhet në mes të ditës kur është temperatura më e lartë sepse në atë kohë sasia e vajrave eterike është më e larta gjatë ditës.  Sasia e vajit eterik është 30-50 l/ha.  Litra e tij kushton 120-150 EUR.