Përmirësimi i shërbimeve turistike në stanet e bjeshkëve të Pejës dhe Istogut

Peja & Istog

Gjatë vizitave të shumta te familjet në stanet e bjeshkëve të Pejës dhe Istogut, vëmë re se kanë të përbashkët bukuritë natyrore të këtyre bjeshkëve, dhe veprimtaritë e ndryshme bujqësore që zhvillohen në këto zona. Mirëpo, duke marrë parasysh se si aktivitet primar për shumicën e këtyre familjeve ishte përkujdesja për bagëtitë dhe aktivitete tjera bujqësore, kemi vërejtur nevojën për trajnime në fushën e turizmit. Si rrjedhim, në përputhje me aktivitetet e projektit dhe kërkesat e përfituesve, janë organizuar tre (3) ditë trajnime në dy komunat Pejë dhe Istog.

Të gjithë përfituesit e sistemeve solare nga komunat e lartpërmendura, janë përgatitur profesionalisht për ofrimin e shërbimeve sa më kualitative të turizmit. Ata janë udhëzuar dhe këshilluar rreth zhvillimit të ofertës turistike dhe kanë mbajtur trajnime mbi tri temat në vijim:

1.    Trajnimi bazë për mikpritjen dhe trajnimi për hotelieri;

2.    Trajnimi për përfshirjen e aktiviteteve rurale në ofertën e turizmit (kalërim, mbledhjen e kërpudhave, dhe Bimëve Mjekësore Aromatike dhe produkteve blegtorale;

3.    Trajnimi mbi paketimin e produkteve dhe shërbimeve turistike.

Trajnimet ishin interaktive, ato u përgatitën me cilësinë më të lartë dhe u përshtatën nevojave të pjesëmarrësve. Të gjithë janë përgëzuar fillimisht për vullnetin që kanë për të praktikuar traditën e transhumancës (migrimit me bagëti në bjeshkë), dhe janë inkurajuar që të shohim dhe përdorin aktivitetet e tyre bujqësore si atraksion për turistët, veçanërisht ata ndërkombëtarë.  Gjatë trajnimeve, u diskutua rreth praktikave të mira të zhvillimit të aktiviteteve turistike, duke marrë parasysh sigurinë e familjeve të staneve dhe turistëve. Eksperti i angazhuar ka dhënë shembuj nga jeta reale, dhe disa nga përfituesit patën rastin të përshkruajnë ofertën e tyre turistike ku dhe u këshilluan se si të përmirësohet dhe me tej. Për më tepër pjesëmarrësit janë angazhuar në një simulim, si grup turistik dhe mikpritës, i cili ishte shumë konstruktiv dhe pjesëmarrësit ishin shumë aktiv.

Në trajnimet e mbajtura kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e komunave partnere të projektit si dhe klube alpine të turizmit që operojnë në këto komuna.

Të pranishmit ishin tejet të kënaqur me trajnimet dhe organizimin e tyre, ku disa nga ata u shprehen se “Nuk kemi ditë se çka me pritë por jemi shumë të kënaqur dhe kemi përfitu njohuri të shumëta”, “Falënderoj IADK-në dhe donatorin për këto trajnime të qëlluara”, “Gëzohem shumë që pata rastin të marrë pjesë në trajnime aq të mira dhe të shoqërohemi me stanarët e tjerë”.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Transhumanca - ofertë e re turistike e Kosovës dhe Malit të Zi”, projekt dyvjeçar (2020-2022) financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit të bashkëpunimit ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi, IPA-II.