en-US
 
  • Site
  • Web
Search

FILLON MBAJTJA E TRAJNIMEVE ME TË RINJT NË SEKTORIN E BUJQËSISË

Në kuadër të  projektit “Ngritja e kapaciteteve profesionale të të rinjve në sektorin e bujqësisë”, IADK  ka filluar mbajtjen e trajnimeve me të rinjtë në sektorin e bujqësisë. Qëllimi i këtij projekti është bartja e njohurive profesionale te të rinjtë të cilët merren apo kanë potencial për t’u marrë me bujqësi, blegtori dhe përpunim të prodhimeve bujqësore.

 

Trajnimet për të rinjtë do të organizohen në sektorë të ndryshëm të prodhimtarisë bujqësore (pemëtari, perimtari, bimë mjekësore, blegtori), si dhe në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore dhe përgatitjes së ushqimeve tradicionale. Kurset trajnuese janë planifikuar të mbahen me grupe të të rinjve në sektorët e lartcekur, dhe përfshijnë trajnimet teorike dhe praktike, vizita e këshilla direkte në teren, si dhe tema për menaxhim biznesi dhe përgatitje të projekt-propozimeve.

Në gjysmën e dytë të marsit kanë filluar trajnimet në sektorin e blegtorisë me grupet e të rinjve nga Drenasi dhe Vitia, si dhe në sektorin e pemëtarisë me grupin nga Mitrovica dhe Drenasi. Gjatë dy viteve të zbatimit të projektit (2018/2019), gjithsejtë do të mbahen trajnime me 32 grupe të të rinjve në 10 komuna të ndryshme të Kosovës  ku shtrihet projekti.

   

Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).