en-US
 
  • Site
  • Web
Search

PËRKUJDESJA E PEMISHTEVE TË REJA DHE KRASITJA E MJEDRËS

Përkujdesja e pemishtes së mjedrës në vitin e parë pas mbjelljes nënkupton: punimi i rregullt i tokës, kontrolli i barojave, plehërimi, pomoteknika, ujitja 3-4 herë, mbrojtja ndaj shkaktarëve të sëmundjes dhe dëmtuesve. Sa i përket pomoteknikës në vitin e parë pas mbjelljes pjesa e fidanit që ka mbetur 20 cm mbi sipërfaqe të tokës duhet të mënjanohet në momentin kur lastarët e rinjë janë formuar dhe kanë arritur lartësinë 25 cm.

Në qoftë se pjesa e vjetër e fidanit nuk eliminohet, atëherë ai gjatë vegjetacionit do të zhvillohet dhe do të formoj fruta, është dyvjeçar, por që një zhvillim i tillë është në dëm të lastarëve të rinjë që duhet të formohen në atë vit, e që prodhojnë fruta në vitin e ardhshëm, kurse në këtë rast ata do të deformohen, nuk zhvillohen mjaftueshëm. Në fund të vegjetacionit ndodh tharja e pjesës së fidanit të vjetër. Në rastin kur nuk janë zhvilluar lastarët e rinjë që sjellin fruta në vitin e ardhshëm, prodhimi i mjedrës në këtë rast mund të komprometohet.

  

Gjatë vegjetacionit lastarët e rinjë zhvillohen duke e mbuluar tërë hapësirën në rende. Meqenëse lastarët e rinjë janë të lakueshëm dhe lëshohen në tokë, për mbajtjen e tyre në drejtim vertikal këta futen në mes fijeve të telit dhe lidhen me konop.


Në fund të vitit të parë të kultivimit të mjedrës, në çdo vend të mbjelljes siguron 2 - 3 lastarë të rinjë në largësi të duhur. Në përfundim të vegjetacionit konopi mënjanohet, kurse lastarët lëshohen të lirë që të shtrihen në tokë, në mënyrë që gjatë stinës së dimrit të gjenden nën shtresën e borës dhe në këtë mënyrë ata mbrohen nga ndikimi negativ i ngricave.


 
Në pranverë në fillim të vegjetacionit (viti i shfrytëzimit) bëhet rrallimi i lastarëve në atë mënyrë që deri në bazament mënjanohen lastarët e ngrirë, të dobët, të thyer, të papjekur në shkallë të duhur, kurse lihen vetëm ata më të mirët. Numri i lastarëve të lënë në gjatësi një metër është 6-7, kurse te kultivari Meeker ky numër sillet deri 5 lastarë. Pas rrallimit lastarët e lënë lidhen në tel me qëllim të fiksimit me lidhje klasike me lidhëse plasmasi ose me pulla plasmasi.


Çdonjëri lastarë i lënë shkurtohet me prerje të pjerrtë mbi syth në lartësi 1.8 – 2.0 m nga toka ose praktikisht nga ajo lartësi që mbi telin e fundit të gjenden katër sytha përkatësisht në tërë gjatësinë e lastarit të ketë 24 sytha. Ky operacion i mjedrës kryhet në pranverë. Pas krasitjes bëhet një mihje e cekët në rende me kulturë të mjedrës.     



Në fillim të vegjetacionit në vitet e shfrytëzimit në mënyrë të përhershme rriten lastarët e rinjë nga pika e rritjes nga rrënja, nga të cilët seria e parë gjithnjë mënjanohet deri në nivel të sipërfaqes së tokës, më qëllim të stimulimit të rritjeve të reja dhe për kontrollin e habitusit të sistemit mbitokësor. Mirëpo shtrohet pyetja deri në cilën kohë këto rritje duhet mënjanuar? Kohën e tillë e caktojnë vetë pemëtarët në pemishtet e tyre sipas kushteve, por ekziston edhe një rregull sipas së cilës lastarët më të mirë që duhet të ruhen për vitin e ardhshëm janë ata që në këtë vit rriten në lartësi deri 1 metër (koha kur e kanë kaluar katin e parë të telit) në kohën e vjeljes së frutave në lastarët dyvjeçar.

Në praktikë kjo kohë duhet të jetë data 15 Maj. Mirëpo më së miri duhet të bëhen këto operacione: të gjithë lastarët që shfaqen deri më 15 Maj mënjanohen, e pas kësaj kohe ato lihen që të qëndrojnë. Në qoftë se lastarët e rinjë në kohën e vjeljes nuk arrijnë katin e parë të telit, në këtë rast eliminimi i lastarëve të rinjë bëhet dy ditë më herët, më 13 Maj. Pas vjeljes lastarët e prerë dyvjeçar fillojnë të thahen nga maja në drejtim të bazës, prandaj këta tërësisht mënjanohen. Lastarët e tillë pas prerjes qëndrojnë në pemishte disa dhjetëra ditë, shërbejnë si strehim për lastarët e rinjë të cilët nëse i ekspozohen drejtpërdrejt rrezeve të diellit gjethet e tyre mund të përftojnë njolla djegie. Pas kësaj periudhe përsëri mënjanohen lastarët e rinj së bashku me lastarët e vjetër dhe digjen në mënyrë që mos të jenë burim infektimi.