en-US
 
  • Site
  • Web
Search

IADK SHPËRNDAN FIDANËT E SALLATËS DHE INPUTET TJERA TE 46 PËRFITUES TË SERRAVE

Në kuadër të zbatimit të projektit  “Promovimi i sektorit të bujqësisë si nxitës i rritjes ekonomike dhe punësimit” në komunat: Lipjan, Shtime dhe Vushtrri, përkrahur nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, i mandatuar nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, gjatë periudhës Shtator-Tetor 2017 janë përkrahur 46 fermer në ngritjen e serrave me sipërfaqe prej 200 m².

Serrat janë  ndërtuara me konstruksion nga metali i zinktuar, në të cilat do të kultivohen lloje të ndryshme të perimeve me qëllim të krijimit të të hyrave për familjet përfituese. Përfituesit e serrave janë furnizuar dhe me sistem të ujitjes dhe folje të zezë për mulqirim të tokës dhe me disa inpute tjera (mbjellëse të fidanëve, rrjetë për hijezim), si dhe me   trajnime e këshilla direkte profesionale për praktikat e kultivimit të perimeve.

Me qëllim të shfrytëzimit sa më racional të serrave, IADK ka shtuar pakon përkrahëse të përfituesve edhe me material mbjellës për sezonin vjeshtore, duke furnizuar përfituesit edhe me farëra të spinaqit, qepujka dhe fidanë të sallatës. Furnizimi me lloje të ndryshme të materialit  mbjellës është bërë në bazë të preferencave të vetë fermerëve, të cilët janë rekomanduar që në serrë  të kultivojnë një apo eventulisht dy lloje të perimeve vjeshtore, si janë: spinaqi, qepët e gjelbërta apo sallatat.

Më 26 dhe 27 Tetor 2017 janë shpërndarë fidanët e sallatës në të tri komunat ku ka shtrirje projekti (Vushtrri, Lipjan dhe Shtime), te përfituesit e serrave të cilët  janë përcaktuar për kultivimin e sallatës, ndërsa një javë më parë janë shpërndarë farërat e spinaqit dhe qepujkat, të cilat tashmë janë mbjellë në serra nga fermerët.

Gjatë ditëve në vazhdim në kuadër të një buxheti shtesë nga projekti i njëjtë do të ndërtohen serra  të ngjashme edhe te 13 përfitues tjerë në komunat e cekura më lartë.



Ekspertët nga stafi i IADK-së do të jenë gjithnjë afër fermerëve për të këshilluar dhe monitoruar kultivimin e perimeve, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të larta të prodhimit dhe rritjen e përfitimit të fermerëve.