en-US
 
  • Site
  • Web
Search

IADK  VIZITOHET NGA“DIAKONIA AGAPES”  NGA TIRANA

Më 25 dhe 26 Shtator 2017 është organizuar vizita e grupit të grave nga Shqipëria në mbështetje të “DIAKONIA AGAPES” Tiranë, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave me fermerët në Kosovë në fushën e mbledhjes, kultivimit, përpunimit dhe marketingut të bimëve mjekësore aromatike.

Grupi i grave nga zona rurale të Elbasanit janë përkrahur nga “Diakonia Agapes” në ngritjen e ngastrave të vogla me bimë të ndryshme aromatike mjekësore, me qëllim të mbrojtjes dhe shfrytëzimit më të drejtë të resurseve natyrore dhe krijimin e të hyrave për familje.

Përveç përkrahjes direkte është planifikuar edhe asistenca profesionale dhe vizitat studimore për të avancuar sa më mirë njohuritë për kultivim dhe marketing të produkteve të BMA.

Në ditën e parë grupi prej 19 pjesëmarrësve prej të cilëve kryesisht gra dhe përfaqësues nga stafi i organizatës kanë vizituar IADK, ku janë njohur me ambientet, stafin dhe punën që po bënë IADK në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural në rajone të ndryshme të Kosovës. Drejtori i IADK-së Zenel Bunjaku ka folur për aktivitetet kryesore të cilat i zhvillon IADK, e veçanërisht për mënyrën e përkrahjes së fermerëve në sektorin e bimëve malore, së pari me pajisje për grumbullim, procesim, tharje dhe ruajtje të bimëve mjekësore dhe frutave pyjore, e më vonë edhe në kultivimin e disa bimëve mjekësore aromatike. Ai ka inkurajuar grupin e grave që të vazhdojnë punën me përkushtim pavarësisht sfidave që janë paraqitur me plasimin e produkteve, ngase tregu evropian do të ketë kërkesa në rritje të vazhdueshme për produkte organike të prodhuara sidomos në zona të pastra ekologjike.  

Në kuadër të vizitave për shkëmbim të eksperiencave në sektorin e bimëve mjekësore aromatike IADK ka aranzhuar dhe shoqëruar grupin e vizitorëve, në disa zona të Kosovës, si:

Vizita te fermeri Haxhimet Krasniqi në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, i cili merret mbledhjen, grumbullimin, tharjen dhe gjysmë përpunimin e bimëve të egra natyrore, si dhe me kultivimin e disa bimëve mjekësore aromatike. Ai ka treguar për punën se si ka filluar të merret me këtë aktivitet, përkrahjen fillestare që ka marrë nga IADK për kultivimin bimëve mjekësore dhe tharjen me tharëse natyrale, pastaj vëllimin gjithnjë në rritje nga viti në vit të punëve si në mbledhje dhe grumbullim ashtu  edhe  në kultivim të bimëve të ndryshme si janë: menta, mëllaga e zezë dhe ajo e bardhë, sherbela, kamomili etj. Fermeri po ashtu ka cekur një përkrahje shumë të vlefshme që ka përfituar nga Komuna e Vushtrrisë, me një tharëse shumë të avancuar për tharje të masës bimore dhe frutave malore, e që ja ka lehtësuar punën dhe ruajtjen e cilësisë së produkteve. Në depon e ruajtjes së bimëve grupi i grave kanë parë disa nga bimët të cilat janë tharë dhe përgatitur për tregtim, si janë: mëllaga e bardhë, mëllaga e zezë, gjethet e manaferrës së egër, mjedra të thara dhe të bluar, mëllaga e bardhë e bluar, barpezmi, çaji bliri, rigoni, hithi etj. Për secilin nga produktet në depo jnë dhënë sqarime për të gjitha dilemat e parashtruara nga grupi.



Vizita te fermeri Rrahman Ymeri në fshatin Vinarc të Mitrovicës, që merret me kultivimin e rigonit të kuq, i cili tregoi për përkrahjen që i është dhënë nga IADK për kultivim të kësaj bime thuajse fare të panjohur, ndërsa ka vendosur të hyj në kultivim duke pas parasysh se tregu i kësaj bime ishte i sigurt. Në vitin e parë të kultivimit ai tregoi se kishin pasur angazhim më të madh në largimin e barojave të këqija dhe kishin marrë një prodhim simbolik afërsisht 150 € nga sipërfaqja kultivuese prej 1000 m², ndërsa në vitin e dytë kjo bimë është shpeshtuar shumë dhe problemet me barojë të këqija janë zvogëluar ndërsa prodhimi është shumëfishuar dhe nga dy kositje kanë përfituar mbi 700 €, e që ka qenë një befasi jo e pritshme për një përfitim kaq të lartë nga një sipërfaqe e vogël kultivuese dhe me shpenzime vetëm të fuqisë punëtore familjare. Tani është viti i tretë i kultivimit dhe për shkak të verës me temperatura shumë të larta dhe sasi të kufizuar të ujit për ujitje, prodhimi është paksa më i vogël, por bimët janë shpeshtuar shume dhe vitin e ardhshëm pritet që të ketë prodhim shumë më të lartë. 



Vizita e fundit te fermerja Havushe Bunjaku në fshatin Kishnicë të Graqanicës, cila merret me mbledhje, grumbullim, përpunim dhe paketim të bimëve mjekësore dhe frutave pyjor, por edhe me kultivim të disa bimëve si është menta, rigoni, sherbelja, kalendulla, aronia etj. Në biznesin e saj familjar ajo tregoi për përkushtimin që bënë në prodhimin e produkteve me cilësi shumë të lartë, duke u kujdesur dhe kontrolluar edhe mbledhjen e lëndës së parë nga mbledhësit në natyrë të pastër, tharjen me kujdes për të ruajtur vlerat shëruese të bimëve, si dhe përpunimin dhe paketimin e produkteve në ambalazha adekuate sipas llojit të produkteve. Ajo tregoi se ka vendosur të merret me përpunim për shkak se dorëzimi në kompanitë e mëdha të grumbullimit të bimëve mjekësore dhe frutave pyjore nuk është shumë i leverdishëm në krahasim me vlerën e shtuar që ajo ju bënë gjatë përpunimit të tyre. Grupi i grave kanë parashtruar pyetje të shumta për llojet e ndryshme të bimëve dhe produkteve që ishin prezentë në punëtori, e veçanërisht kishte interesim për aroninë, që ishte një bimë krejtësisht e panjohur në zonën e tyre, pastaj për paketimet e ndryshme të produkteve, etiketimin e produkteve, lëngun e përgatitur nga kantarioni,  pastaj kremin për zbutje të lëkurës të përgatitura  nga kalendula me vaji ulliri dhe mjalti, bimët të ndryshme të paketuara në thasë special si menta, rigoni, kalendula, sherbela, bliri, kantarioni etj.  Nga puna e vyeshme e bërë në këtë biznes të vogël familjar grupi i grave  janë inkurajuar dhe motivuar për të vazhduar punën në sektorin e bimëve mjekësore aromatike.



Pas këtyre vizitave përfaqësuesit e “Diakinia Agapes” dhe grupi i grave kanë falënderuar IADK-në dhe fermerët për organizim të vizitës dhe përvojat e treguara në mbledhje dhe kultivim të BMA.