en-US
 
  • Site
  • Web
Search


Organizata  jo-qeveritare Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) është duke zbatuar  projektin “Mundësimi i vetëpunësimit të rinisë dhe grupeve të margjinalizuara në viset rurale të Kosovës” i financuar nga Donatori Brot fűr die Welt (BfdW)  nga Gjermania.

IADK është aktualisht organizata e vetme dhe udhëheqëse në Kosovë, e cila është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve në vitin 2015, në ofrimin e shërbimeve të trajnimit të arsimit joformal, përkatësisht në zhvillimin e sektorit të blegtorisë. Duke parë nivelin e ulët të trajnimit profesional të të rinjve dhe fermerëve në Kosovë, IADK përmes këtij aktiviteti do të trajnojë fermerët mbi bazën e kurrikulave të miratuara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës. Pjesëmarrësit do të trajnohen në 14 module apo 186 orë të trajnimit teorik dhe praktik në nivel ferme që do të zgjasin 28 ditë. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit do të marrin titullin Teknik i Blegtorisë i nivelit të tretë.

Gjatë këtij viti IADK do të trajnoj një grup prej 15 fermerëve të Komunës së Vushtrrisë, ndërsa ngjashëm do të veprojë edhe gjatë dy viteve të ardhshme në komunat tjera ku ka shtrirje projekti. Së paku 30 %  e kandidatëve është e preferuar të jenë të gjinisë femrore. Pjesa teorike e trajnimeve me fermerë do të mbahet në Qendrën Edukuese të Fermerëve (IADK), ndërsa pjesa praktike do të mbahet në fermat model të cilat janë të mbështetura nga IADK. Seancat e trajnimeve do të mbahen nga stafi i IADK-së që janë ekspertë në sektorin e blegtorisë. Projekti do të mbulojë shpenzimet që lidhen me trajnimet (ushqimi, transporti nga zyret e IADK-së deri te fermat model dhe anasjelltas, si dhe materialet mësimore dhe certifikimin).

Grupi që do të përfshihet në Kurs: Nisur nga kushte e përgjithshme në sektorin e bujqësisë dhe situatës së përgjithshme të nivelit të edukimit të fermerëve, grupi i synuar do të jenë të gjithë të rinjtë dhe të rejat të cilët kanë përfunduar me sukses arsimin e obliguar nëntëvjeçar, fermerët të cilët janë duke u marrë me bujqësi dhe fermerët e rinj të cilët janë të interesuar në sektorin e bujqësisë dhe zotërojnë aftësi shëndetësore (fizike e mendore) të mjaftueshme për të kryer modulin e blegtorisë.

Kategoritë e mundshme të personave që do të ndjekin këtë kurs janë:

  1. Të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e detyruar dhe dëshirojnë të mësojnë në sektorin e blegtorisë;

  2. Të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e mesëm të përgjithshëm ose profesional dhe janë të papunë ose të punësuar;

  3. Persona që janë të punësuar dhe që kërkojnë të marrin njohuri më të thella në sektorin e blegtorisë;

  4. Persona që  punojnë në ferma blegtorale por që kërkojnë të marrin njohuri të një niveli më të lartë;

Mundësit e zbatimit të aftësive të fituara në sektorin e blegtorisë:

Ndjekja e kursit të trajnimit në profilin e blegtorisë, do të zhvillojë te pjesëmarrësit në trajnime një tërësi kompetencash të përgjithshme, të cilat do t’i shërbejnë atij për përvetësimin me efektivitet  të  programit  mësimor,  zhvillimin  në  nivelin  e  kërkuar  të  kompetencave profesionale dhe integrimin e mëtejshëm në shoqëri dhe në tregun e punës gjithnjë në ndryshim  në sektorin e bujqësisë.

Kohëzgjatja e Profilit:

Modulet e kursit ne profilin për gjedhe do të ketë një kohëzgjatje mesatare prej 186 orë ku 30 % do të jenë mësim teorikë dhe 70 % mësim  praktike, ndërsa 1 orë mësimore = 45 minuta.

Trajnerët e kursit mund ta pakësojnë ose shtojnë kohëzgjatjen mesatare të kursit me  ± 15 orë mësimore, në varësi të aftësive dhe të progresit individual të pjesëmarrësve. Në profilin për gjedhe janë 14 module.

Modulet e kursit në profilin për dele dhe dhi do të ketë një kohëzgjatje mesatare prej 186 orë ku 30 % do të jenë mësim teorikë dhe 70 % mësim  praktike, ndërsa 1 orë mësimore = 45 minuta.

Trajnerët e kursit mund ta pakësojnë ose shtojnë kohëzgjatjen mesatare të kursit me  ± 15 orë mësimore, në varësi të aftësive dhe të progresit individual të pjesëmarrësve. Në profilin për dele dhe dhi janë 14 module.

Përshkrimi i moduleve që i përcjellin kandidatët:

Kandidatë mund t’i ndjekin vetëm njërin profil apo të dy profilet. Në rast se kandidati është i interesuar për njërin profil atëherë është i obliguar të ndjek të gjitha modulet e atij profili.

Kandidatë të cilët dëshirojnë t’i ndjekin të dy profilet (profili për gjedhe dhe profili për dele dhe dhi) do të jenë të detyruar ti’ ndjekin të gjitha modulet e parapara në të dy profilet. Modulet te cilët janë të njëjta për të dy profilet kandidatët janë të obliguar që t’i ndjekin vetëm në njërin profil. Në këtë rast kandidatët do të marrin numrin e kredive për secilin modul që kanë ndjekur.   

Udhëzime për realizimin e Profilit:

Struktura e ndërtimit të moduleve të kursit është modulare, me module mësimore teorike-praktike të orientuara nga kompetencat praktike të menaxhimit të fermave blegtorale. Për realizimin efektiv të kursit, trajnimet teorike do të mbahen në Qendrën e Edukuese të Fermerëve (IADK) ndërsa trajnimet praktike do të mbahen direkt në  fermën e lopëve në Vushtrri dhe fermën e dhive ne Mitrovicë. Numri i kandidatëve në një kurs nuk duhet të jetë më i madh se 16 persona.

Vlerësimi dhe Certifikimi:

Kandidatët vlerësohen  nga Trajnerët e Profilit për çdo Rezultat Mësimor që përmbahet në të gjitha Modulet e Kursit. Në përfundim të kursit, çdo kandidat do t’i nënshtrohet një provimi përfundimtarë me shkrim. Provimi përfundimtarë do të vlerësohet nga një komision i brendshëm prej tre anëtarëve. Me përfundimin e suksesshëm të Profilit për Blegtori, kandidatit do t’i jepet një certifikatë e njohur nga AKK, që i referohet nivelit bazë në sektorin e blegtorisë. Kjo certifikatë do të përmbajë listën e moduleve të përvetësuara nga kandidati, ndërsa rezultatet e arritura në modulet e veçanta dhe në provimet përfundimtare arkivohen  në portofolin e kandidatit dhe përcillen në data bazë elektronike dhe të shkruar.

Objektivat përgjithshme të Profilit:

Në përfundim të Profilit për Blegtori, kandidatët do të jenë të aftë të:
  • Menaxhojnë fermën blegtorale sipas standardeve; 
  • Përgatitë dhe balancoj racionet ushqimore për kafshë;
  • Përgatitë ushqimet e koncentruara për kafshë;
  • Përgatitjen e ushqimeve te silazhuara;
  • Përmirësoj kualitetin e qumështit;
  • Të bëjë kalibrimin e makinave mjelëse dhe të përdor sistemet mjelëse;
  • Rritjen dhe mbajtjen e viçave, qengjave dhe kecave;
  • Ndërtimin e fermave në baza të standardeve që kërkohen;
  • Mbajtjen e shënimeve në fermë;
  • Përdor dhe mirëmban veglat dhe pajisjet e punës;
  • Respekton standardet e profesionit;
  • Përzgjedh veglat, pajisjet dhe materialet e duhura për punë;
  • Zbaton rregullat e mbrojtjes në punë e të ruajtjes së mjedisit;

Programi i kursit për Blegtori miratohet nga Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve (AKK).

Kandidatët do të certifikohen si: Teknik i Blegtorisë, niveli ІІІ sipas AKK.

Certifikimi është i barazvlefshëm me diplomë të shkollës së mesme dhe do t’i shërbejë fermerit si dëshmi për njihuritë e tij.

Aplikacionet mund t’i merrni ne zyrat e IADK-së, ne Zyrën për Bujqësi në Komunën e Vushtrrisë apo t’i shkarkoni online tek:  Aplikacioni

Nxitoni të aplikoni sa më parë ngase numri i pjesëmarrësve është i kufizuar.

Data e fundit për aplikim është 25.08.2017, ora 16:00.

Për më tepër informata referoju  zyrës së IADK-së,apo,

Tel: +386(0) 49 777 059 & +377(0) 44 777 036;

E-mail: fidan.skeraj@hotmail.com,    arber.hasani99@hotmail.com