en-US
 
  • Site
  • Web
Search

MBAHET TRYEZA E RRUMBULLAKËT PËR ENERGJI  TË RIPËRTRITSHME

Më  15 Shkurt 2017 në sallën e IADK –së është mbajtur  “tryeza e rrumbullakët” në të cilën është diskutuar për rëndësinë e prodhimit të energjisë së  ripërtritshme dhe përdorimin e saj për nevoja të ndryshme,  me fokus të veçant përdorimin e saj në sferën e bujqësisë.
Tryeza është organizuar  në kuadër të projektit "Rritja e vetëdijes dhe stimulimi i përdorimit të energjisë alternative në bujqësi për të rritur qëndrueshmërinë e mjedisit dhe rritjen e ekonomisë së gjelbër ", i financuar nga Ambasada Kanadeze – Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI).
Përmes këtij projekti janë përkrahur tre fermer për të prodhuar energjinë solare, e cila do të përdoret për nevoja të fermës. Dy prej përfituesve këtë energji do ta shfrytëzojnë për pompim të ujit për ujitjen e kulturave bujqësore me qëllim të uljes së kostos së prodhimit, ndërsa  përfituesi i tretë  energjinë e prodhuar përmes paneleve fotovoltaike do ta përdorë për ndriqim të fermës dhe nevoja tjera të shtëpisë në një fshatë malor ku mungonë rrjeti elektrik. 
Po ashtu në projekt është planifikuar edhe publikimi dy titujve të fletëpalosjeve për energji solare,  mbajtja e dy “ditëve fushore” për promovim të investimeve solare tek përfituesit, si dhe “tryeza e rrumbullakët” për të diskutuar me akter të ndryshëm rëndësinë e përdorimit të energjisë së ripërtritshme.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë, Zv. Ministri Vezir Jonuzi dhe  përfaqësues të lartë nga MBPZHR ,  përfaqësues të ZRRE-së,  kryetari i komunës se Vushtrrisë Z.  Bajram Mulaku  si dhe përfaqësues të komunave tjera siç janë  Skenderaj, Shtimja, Ferizaj, të shoqatës së energjisë së ripërtritshme  (SHERK), kompani dhe akter tjerë të ndërlidhur me këtë fushë.
IADK ka prezantuar disa nga aktivitet të cilat i ka filluar që nga viti 2013 dhe të cilat ende është duke i vazhduar në përkrahje të fermerëve në zona të ndryshme të Kosovës, ndërsa përfituesit e këtyre investimeve kanë falenderuar IADK-në për kontributin e dhënë edhe në fushën e promovimit të energjisë së ripërtritshme në prodhimtarinë bujqësore dhe përpunimin e këtyre prodhimeve. Ata kanë treguar se investimet në panelet solare u kanë ulur shumë koston e prodhimit apo përpunimit, si është rasti me ngrohjen e ujit për pasterizim të qumështit, perimeve të konservuara, pompimit të ujit për ujitje të perimeve, tharjen e bimëve mjekësore, prodhimin e energisë në zona malore për përdorim për nevoja të fermës etj.
Zv/Ministri i MBPZHR z.Vezir Jonuzi duke falenderuar IADK-në për organizimin e takimit dhe kontributin e dhënë për fermerët, theksoj se bujqësia nuk është burim i ndotjes së mjedisit, ngase ndotja vije nga prodhimi i energjisë nga lignjiti, andaj MBPZHR do të mbështes ligjet dhe rregulloret për trajtimin e energjisë, e sidomos prodhimin e energjisë së ripërtritshme.


Përfaqësuesi nga ZRRE  z.Ymer Fejzullahu ka prezantuar në mënyrë të hollsishme skemat mbështetëse për prodhim të energjisë së ripërtritshme nga burime të ndryshme, si dhe ka inkurajuar fermerët dhe kompanitë që kanë mundësi të investojnë në prodhim të energjisë së ripërtritshme, ngase tashmë janë krijuar mundësit që kjo energji të shkarkohet në rrjetin energjetik me fitimtarifën, të cilën e subvencionon shteti.
Kompanitë furnizuese me panele solare kanë paraqitur disa nga problemet me të cilat janë duke u ballafaquar, si është rasti me taksat doganore të cilat janë hjekur vetëm për panele solare por jo edhe për pajisjet përcjellëse siq janë bateritë, invertorët dhe instalimet tjera që nevojiten për funksionim të këtij sistemi, pastaj ngarkesa e TVSH-së për panelet solare të cilën duhet ta paguajnë gjatë blerjes në vend se të bëhet pas shitjes së pajisjeve solare tek konsumatorët.

 Në fund të këtij organizimi janë nxjerrë disa rekomandime, si janë:

1. Rritja e caqeve për tarifa prodhuese nga solaret;
2. Lirimi nga dogana i komplet sistemit solar, e jo vetëm i paneleve si është për momentin;
3.Pajisjet për energji të ripërtritshme të lirohen nga TVSH-ja për të nxitur investimet në këtë fushë;
4.Caqet e energjisë nga solaret të rriten duke zvogluar ato të energjisë nga era;
5.Vazhdimi i dhënjes së granteve për sektorin e energjisë së renovueshme;
6.Promovimi i investimeve dhe trajnimet  për fermerët nga ana e SHERK;
7. Përgaditja e dokumentacioneve profesionale (inxhinierike)  për projektet investive në ER;
8.Gjatë vlerësimit të projekteve të fermerve për grante ku planifikohet edhe prodhimi i energjisë alternative, MBPZHR të përfshijë ekspert adekuat të kësaj fushe;
9. Zbatimi i projekteve  të MBPZHR në përkrahje të fermerëve ku përfshihen edhe investime solare të  fillon më  heret së paku për dy muaj, e jo të kryhen në sezonën e dimrit;
10.Përkrahja me grante për  prodhuesë të energjisë me biomas;