en-US
 
  • Site
  • Web
Search

"Dita e Dredhëzës - Kosova 2011"

Në Skenderaj sot është mbajtur manifestimi “Dita e Dredhëzës – Kosova 2011”, i organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

16 Qershor 2011
Përveç dhjetëra kultivuesve të dredhëzës, dhe qindra konsumuesve të saj, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve organizuese të këtij manifestimi. Duke folur para të pranishmëve, z.Zenel Bunjaku drejtor i IADK-së shpjegoi për fazat e inicimit të kultivimit të dredhëzës nga IADK që nga viti 2003 dhe rezultatet e arritura deri më tani. Ai sqaroi dhe sfidat që mbeten për kultivimin e kultivarëve për përpunim industrial krahas kultivarëve të konsumit të freskët të dredhëzave.
"Sot Skenderaj mban aromë dredhëze dhe jo aromë të së kaluarës, dhe kultivuesit e dredhëzës janë heronj për shkak se e kanë sjellë importin e dredhëzës në nivelin zero në Kosovë" - shtoi ndër tjerash z.Bunjaku.

Ndërkaq ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci, ka thënë se dredhëza është një nga produktet me të cilën mburremi për shkak se me të i mbulojmë në tërësi kërkesat e tregut vendor e po ashtu eksportojmë.

Ai mandej ka premtuar përkrahje për sektorin e pemëve të imta, siç janë dredhëza, mjedra dhe manaferra dhe ka treguar se është duke u punuar edhe në dy drejtime: përmirësimin e politikave fiskale dhe politikat kreditore. “Për herë të parë do të bëjmë një kthesë të madhe për sektorin e bujqësisë, jo vetëm për sektorin e pemëve të imta, por edhe për sektorë të tjerë, i cili do të jetë një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë. Me këtë do të krijohen vende të reja pune dhe do të zvogëlohet importi”, ka thënë ministri Stavileci.

Fermeri Sami Doroci, nga Broboniqi i Mitrovicës, ishte njëri prej 5 të shpërblyerve në këtë eveniment. Ai u shpreh shumë i kënaqur me kultivimin e dredhës, me të cilën mban familjen 7 anëtarësh. “Kam filluar me sipërfaqe prej 10 ari, e sivjet kam 60 ari dredhëza. Jam shumë i kënaqur me përfitimin nga kjo punë, kurse me plasmanin nuk kam problem. IADK më ka ndihmuar shumë dhe u jam jashtëzakonisht mirënjohës”, ka treguar ai.
Posted in: Lajme, Dite fushore