en-US
 
  • Site
  • Web
Search

EKSPERTË HOLANDEZË PËRMES IADK-SË OFROJNË KËSHILLA PËR AGROBIZNESE

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me organizatën holandeze PUM, për ofrimin e këshillave për agrobiznese përmes ekspertëve holandez.

Me rastin e arritjes së marrëveshjes, drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për IADK-në. “Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, pasi që ne po vazhdojmë një bashkëpunim që kemi tash e katër vite. Pra, ky bashkëpunim do të zhvillohet në sektorin e bujqësisë, duke i ngritur njohuritë për ekipin tonë të ekspertëve, por edhe për agrobizneset në terren”, tha drejtori Bunjaku.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i PUM-it, Thijs Van Praah tha se për ta është shumë i rëndësishëm partneriteti me IADK-në, për arsye se ata posedojnë ekspertë të nivelit lokal që janë shumë të nevojshëm në përmirësimin e kualitetit të punës tonë të përbashkët.


“Me  këtë marrëveshje presim që të rrisim nivelin e bashkëpunimit në një hapësirë më të zhvilluar. Bazuar në specifikat dhe kërkesat e IADK-së ne kemi sjellë ekspertët tanë për të ndihmuar në fushat e ndryshme. Ajo që do të bëjmë në vazhdim është arritja e një marrëveshje, ku bashkërisht ne do të ngrisim nivelin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, pasi që ne do të sjellim ekspertët tanë dhe duke u bazuar në këtë projekt ne mund të aplikojmë për donacione të reja të cilat janë të rëndësishme për të dyja palët”, tha Van Praah.
Drejtori i PUM-it  tregoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje dëshmon se në të ardhmen do ta mbështesin IADK-në edhe në nivel më të madh.