en-US
 
  • Site
  • Web
Search

NË PRISHTINË U MBAJT KONFERENCA E RRJETIT BALLKANIK TË SHOQATAVE BUJQËSORE

Me pjesëmarrjen e shoqatave bujqësore të Ballkanit nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i zi, Serbia dhe Kosova, sot në rrethinë të Prishtinës është mbajtur Konferenca e Rrjetit Ballkanik të Shoqatave bujqësore.  Në këtë konferencë të organizuar nga Iniciativa e Kosovës për Zhvillimin e Bujqësisë IADK, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar si dhe shërbimet këshillimore.

Në hapje të kësaj konference drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes të shoqatave të bujqësisë në nivel të Ballkanit perëndimor. “Është shumë e rëndësishme që shoqatat e bujqësisë në nivel të Ballkanit perëndimor të bashkëpunojnë dhe t’i thyejnë barrierat të cilat ekzistojnë në mes të këtyre shteteve. Këto shoqata kanë treguar nisma të mira, por edhe vet kjo konferencë e sotme tregon se janë të interesuara për një bashkëpunim të mirëfilltë në mes veti, duke tentuar të ngritet dialogu në mes të shoqërisë civile dhe qeverisë, me qëllim të ndryshimit të situatës në bujqësi dhe plotësimit të standardeve për aderim në Bashkim Evropian”, ka thënë Bunjaku.

Gaby Hagmuller, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e ka vlerësuar takimin e shoqatave bujqësore të Ballkanit në Kosovë si dhe bërë të ditur vendosmërinë e Bashkimit Evropian për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë dhe organizatat e shoqërisë civile që merren me bujqësi. Ajo po ashtu ka vlerësuar iniciativën e IADK-së për të diskutuar rolin e shërbimeve këshillimore për fermerët. “Shumë fermerë në zonat rurale nuk i kanë njohuritë e nevojshme për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre, prandaj mbajtja e konferencave si kjo në Kosovë do tu ndihmoj atyre të rrisin prodhimtarinë e tyre”, ka thënë Hagmuller.


Ndërsa Stjepan Tanic, përfaqësues i Zyrës rajonale për Evropë dhe Azi, i Organizatës së ushqimit dhe bujqësisë (FAO) të Kombeve të Bashkuara ka folur për projektet e FAO-së në këtë pjesë të Ballkanit si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të zi dhe Serbi. “Projektet e FAO-së në vendet e Ballkanit janë të fokusuara në përmirësimin e edukimit të fermerëve, ngritjen e shërbimeve këshillimore, bashkëpunimin ndërkufitar si dhe prodhimin dhe përpunimin organik.

Organizatorët e kësaj konference presin të arrijnë një marrëveshjeve në mes të shoqatave të vendeve të Ballkanit perëndimor, për ta gjetur një modul bashkëpunimi. “Rezultat i kësaj konferencë presim të jetë një marrëveshjeve në mes të shoqatave të vendeve të Ballkanit perëndimor, për ta gjetur një modul të bashkëpunimit në të ardhmen, sepse ende paraqet problem krijimi i një organizate formale, për shkak të barrierave që eksitojnë në mes të shteteve”, ka thënë Bunjaku.


Kjo është konferenca e dytë e këtij lloji në Kosovë, pasi që IADK edhe para dy vitesh e kishte organizuar një konferencë të tillë.