en-US
 
  • Site
  • Web
Search

HAPET PANAIRI I PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE AGRO-INDUSTRIALE

Me datën 24 shator 2014 është bërë hapja e Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agro-industriale në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj, të Prishtinës. Në këtë panair i cili do të jetë i hapur deri me datën 27 shtator janë duke u ekspozuar produkte të llojllojshme nga kompani të ndryshme nga vendi, ku secila në mënyrën më të mirë është duke i ekspozuar produktet e veta.

Në hapjen e këtij panairi, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), e cila njëherit është edhe organizatore e panairit, ka thënë se përmes zhvillimit ekonomik mund të krijohen vende të reja të punës dhe të arrihet stabiliteti social. Sipas tij, nga bujqësia mund të jetohet dhe të fitohet. Në fjalimin e tij, Gerxhaliu vlerësoi lartë sektorin privat, duke thënë se janë ata që krijojnë vende të reja të punës dhe ndihmojnë në përmirësim të eksportit dhe me këtë ata përmirësojnë imazhin e Kosovës, për tu marrë me këtë sektor të rëndësishëm.

Kurse, Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), ka vlerësuar lartë punën e të gjithë biznesmenëve kosovar duke thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të promovohen produktet bujqësore. Ai ka shtuar se e rëndësishme është që të ndryshohet qasja e njerëzve që i konsumojnë produktet vendore, pastaj edukimi i qytetareve të Kosovës që produktet vendore janë produkte shumë cilësore dhe sipas tij, produktet vendore nuk bëjnë asnjë dallim në cilësi me produktet e importuara.

Ndërsa, Valdet Gjinofci, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK), ka thënë se Agjencia e Veterinës dita-ditës po zëvendëson produktet që vijnë nga importi me produkte vendore, dhe se kjo tregon që kemi produkte cilësore dhe produkte të sigurta të cilat janë të krahasueshme edhe me ato të cilat vijnë nga importi. Ai ka shtuar se krejt kjo është falë mbështetjes institucionale dhe profesionale nga ana e agjencisë, e edhe nga Komisioni Evropian dhe mekanizmat tjerë të cilët lidhen me fushën e sigurisë së ushqimit, që tregon se produktet vendore janë produkte të cilat ofrojnë siguri përmes rritjes së prodhimit të gjithë industrisë ushqimore në përgjithësi.

Ndryshe në këtë panair i cili do të zgjasë tri ditë, përveç kompanive të njohura vendore, janë duke marrë pjesë edhe shoqata të grave nga regjione të ndryshme të Kosovës, të cilat janë duke i ekspozuar produktet e tyre tradicionale. Duhet theksuar se pjesëmarrja e këtyre shoqatave të grave në këtë panair është përkrahur nga IADK e cila edhe kësaj radhe ka financuar pjesëmarrjen e tyre në panair.