en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Konferenca e Rrjetit Ballkanik të Shoqatave Bujqësore (BAAN) mbahet në Kosovë

Nga data 30 shtator deri me 2 tetor 2014, në Prishtinë do të organizohet Konferenca e Rrjetit Ballkanik të Shoqatave Bujqësore (BAAN) me  temën “Fuqizimi dhe Bashkëpunimi i Shoqatave Bujqësore në vendet e Ballkanit”. Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë përfaqësues të organizatave bujqësore - anëtarë të BAAN-it nga shtete të ndryshme të Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, pastaj si të ftuar special, përfaqësues të Organizatës Botërore të Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO), përfaqësues nga Suedia, zyrtarë nga MBPZHR, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, BSHBK, IADK, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues  të tjerë nga shoqëria civile e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Temat e kësaj konference dyditore janë: Bashkëpunimi ndërkufitar Rajonal; Edukimi i Fermerëve dhe Shërbimet Këshillimore, përmes te cilave synohet të bëhet promovimi i Organizatave të fermerëve dhe edukimit të tyre, si dhe gjetja e mënyrave më të mira të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Gjatë konferencës do të këtë prezantime të shumta nga përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, si dhe diskutime në grupe punuese lidhur me temat e kësaj konference.. Ndërsa, në ditën e dytë të konferencës do të diskutohen çështje që kanë të bëjnë me organizimin e BAAN-it dhe regjistrimin në institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare. Konferenca do të përmbyllet me një vizitë të përbashkët të pjesëmarrësve tek disa fermerë të suksesshëm në Kosovë.  

Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politikëbërje dhe konsultim me qeverinë në sektorin e bujqësisë”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga IADK në partneritet me SiV.