en-US
 
  • Site
  • Web
Search

PËRSËRI INJOROHEN PRODHUESIT DHE PËRPUNUESIT E QUMËSHTIT TË KOSOVËS

Shoqata e Prodhuesve dhe e Përpunuesve te Qumështit, tash e sa kohë janë duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerren masa mbrojtëse ndaj produkteve të qumështit, të cilat importohen kryesisht nga rajoni, por edhe më gjerë. Por si duket Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk i ka marrë shumë seriozisht kërkesat e tyre. Pas disa takimeve që kanë pasur, zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë kërkuar nga prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, prezantimin e fakteve rreth dëmeve që janë duke ua shkaktuar produktet e importit. Zyrtarë të MTI-së, kanë thënë se në momentin kur prodhuesit e qumështit të ofrojnë fakte që janë duke u dëmtuar nga një produkti i importuar, MTI-ja do të marrë masa. ”Deri më tani nuk ka pasur ndonjë fakt prej prodhuesve të qumështit dhe vetëm atëherë kur prodhuesit e qumështit ofrojnë dëshmi me fakte se produktet e tyre janë duke u dëmtuar nga importi, në momentin që ata arrijnë të dëshmojnë ne si ministri mund të vendosim taksa antidumping”, janë shprehur zyrtarët nga MTI.

Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhueseve të Qumështit, ka thënë se pas protestës së fundit, ai ka pasur takim me përfaqësuesit e MTI-së, dhe të Agjencisë së Veterinës, ku kanë diskutuar për mundësinë e intervenimit duke aplikuar masa mbrojtëse. Sipas tij, ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë duhet të bëhet aplikimi i taksave në bazë të rregullores së Bashkimit Evropian, e sidomos produkteve që kanë përmbajtje bimore, ku aplikimi i taksave bëhet në bazë të yndyrës bimore që ato e kanë. Megjithatë, ai ka thënë se “Nëse na ofrohet ndonjë mundësi që ne të punojmë pa pasur ndikim nga produktet e importuara, mund të mos vazhdojmë me protesta, ashtu siç kemi premtuar ditë më parë”.

Nga ana tjetër, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket largimit të disa prej produkteve të cilat prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kanë sugjeruar. “Kur bëhet fjalë për disa produkte të djathit, janë marrë masa shtesë të ndalimit të disa produkteve kryesisht nga Maqedonia dhe Hungaria, te të cilat në realitet nuk prezantohen ashtu siç kërkohet, por edhe sepse nuk u lejohet futja e tyre në tregun tonë”, ka thënë kryeshefi Gjinovci. Për më tepër, ai ka shtuar se nuk mund të bëhet fjalë për ndalimin e produkteve të qumështit sepse, siç ka thënë ai, kjo është ekonomi e lirë dhe në ekonominë e tregut të lirë, nuk ka ndalime të importit, mirëpo do të ketë masa rigoroze për kontrollimin e tyre.

Protestat e qumështarëve pritet të vazhdojnë edhe në javët në vijim, deri në realizimin e kërkesave të tyre.