en-US
 
  • Site
  • Web
Search

OSHC-TË KËRKOJNË ROL MË TË MADH GJATË HARTIMIT TË POLITIKAVE QEVERITARE NË SEKTORIN E BUJQËSISË

Fermerë, prodhues dhe organizata të shoqërisë civile nga fusha e bujqësisë, sot në një takim të mbajtur në Prishtinë, kanë diskutuar lidhur me rolin e shoqërisë civile dhe konsultimit të organizatave të fermerëve gjatë hartimit të politikave nga ana e Qeverisë në sektorin e bujqësisë.
Në këtë takim të organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë – IADK, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe BSHBK u kërkua që përveç konsultimit të organizatave të fermerëve gjatë hartimit të politikave, sfidat që po ngritën nga shoqëria civile dhe nga fermerët e prodhuesit bujqësor të bëhen prioritete të punës së MBPZHR-së.

Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i IADK-së, tha se përmes projektit të Fuqizimit të kapaciteteve të shoqërisë civile për politikë-bërje dhe konsultim me qeverinë në sektorin e bujqësisë, që është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe MBPZHR, synohet që të ndërtohen relacione të rregullta të konsultimit të shoqërisë civile gjatë hartimit të Ligjeve dhe politikave bujqësore në Kosovë.

Ai ka thënë se përveç arritjes së bashkimit dhe organizimit të shoqatave bujqësore në Bashkimin e Shoqatave Bujqësore të Kosovës – BSHBK, përmes këtij projekti është arritur që shoqatat e fermerëve kosovar të anëtarësohen edhe në rrjetet e shoqatave bujqësore rajonale dhe vendeve të BE-së, siç është anëtarësimi i BSHBK-së si organizatë partnere me të drejta të plota në “Copa*Cogeca”, asociacion prestigjioz i fermerëve evropian dhe kooperativave bujqësore evropiane.

Ndërkaq Hysni Thaçi, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Këshillimore në MBPZHR-së, tha se në grupet punuese gjatë hartimit të ligjeve, vazhdimisht janë të ftuar dhe marrin pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që merren me bujqësi. “Ministria është e interesuar dhe vlerëson se ka vend në thellimin e bashkëpunimit me Shoqërinë civile dhe përfaqësues të fermerëve dhe prodhuesve bujqësorë”, ka thënë Thaçi.

Selami Hoti, anëtar i Bordit të BSHBK-së, tha se shoqëria civile konkretisht BSHBK duhet të jetë pjesëmarrësve në krijimin e politikave të përbashkëta bujqësore.

Por Muhamet Farizi, në emër të shoqatës së mullisëve të Kosovës ka kërkuar nga qeveria që përveç konsultimit të shoqërisë civile para hartimit të ligjeve, të merren parasysh propozimet e tyre. “Kërkojmë nga institucionet, gjegjësisht nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që gjatë hartimit të politikave, shoqërinë civile si mbrojtëse të interesave të prodhuesve bujqësor të mos e trajtoj si dekor”, ka thënë Farizi.

Ndërkaq Avni Ramadani, menaxher i projektit ka prezantuar rezultatet e këtij projekti që synon fuqizimin e shoqërisë civile për politikë – bërje dhe konsultim me qeverinë në sektorin e bujqësisë