en-US
 
  • Site
  • Web
Search

BSHBK BËHET PJESË E ORGANIZATËS MË TË MADHE TË FERMERËVE NË BASHKIMIN EVROPIAN

Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës (BSHBK) është pranuar si organizatë partnere në organizatën më të madhe të fermerëve në Bashkimin Evropian, COPA-COGECA me seli në Bruksel. 

Në mbledhjen e kryesisë së COPA-COGECA të mbajtur me datën 26 dhe 27 Qershor 2014 në Bruksel, është marrë vendim që BSHBK-ja të pranohet si organizatë partnere në COPA-COGECA. Njoftimi është pritur shumë mirë si nga përfaqësuesit e BSHBK-së, e po ashtu edhe nga IADK e cila e ka përkrahë BSHBK-në në këtë proces, përmes projektit “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politikëbërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga IADK në partneritet me SiV. 

Me këtë anëtarësim në COPA-COGECA, BSHBK do të marrë pjesë në gjitha aktivitetet dhe takimet vjetore të COPA-COGECA si organizatë partnere. Ky është një rast shumë i mirë i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave me organizata të ndryshme të fermerëve të BE-së në kuadër në COPA-COGECA. Gjithashtu, BSHBK do të këtë qasje në sistemin Agro-info, sistem i cili përmban informata të shumta sa i përket politikave të ndryshme në sektorin e bujqësisë. 

COPA dhe COGECA është bashkim i dy organizatave të fermerë evropian.  COPA (Komiteti i Organizatave Profesionale Bujqësore) që përfaqëson fermerët evropian është organizata e parë përfaqësuese e fermerëve e themeluar më 6 shtator 1958, fillimisht me 13 organizata anëtarë, ndërsa tani ka më shumë se 60 anëtarë dhe 30 organizata partnere nga vendet e ndryshme të Evropës duke përfshirë edhe Kosovën.  Ndërsa, COGECA (Konfederata e Përgjithshme e Kooperativave Bujqësore) paraqet ombrellën e organizatave evropiane është themeluar më 24 shtator 1959. COPA-COGECA përfaqëson edhe interesat e përgjithshme dhe specifike të fermerëve në Bashkimin Evropian, duke folur në emër të sektorit bujqësor evropian në tërësi. 

Anëtarësimi në këtë organizatë është një lajm shumë i mirë për të gjithë fermerët kosovare, të cilët tani e tutje do të jenë të informuar me zhvillimet, ngjarjet dhe aktivitetet e organizatave të fermerëve në BE. Kjo po ashtu do ti kontribuojë edhe ngritjes së kapaciteteve të BSHBK-së dhe zhvillimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë.