en-US
 
  • Site
  • Web
Search

ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE (OSHC)

Shoqëria Civile dhe organizatat e ndryshme në kuadër të shoqërisë civile, përfshijnë një anëtarësi të gjerë që nuk vjen nga institucionet shtetërore apo nga ato tregtare, dhe që dallojnë në bazë të qëllimit, ekspertizës, filozofisë dhe fushëveprimit të aktiviteteve të tyre. Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) janë aktorë të rëndësishëm në avancimin e vlerave universale rreth të drejtave të njeriut, mjedisit, standardeve të punës dhe antikorrupsionit, ku roli i tyre ka fituar një rëndësi të veçantë në përafrimin e aktiviteteve ekonomike me prioritetet sociale dhe mjedisore. OSHC-të përfshijnë organizatat me orientim filantropik apo të ofrimit të shërbimeve, shoqatat e komunitetit, shoqatat që pasqyrojnë interesa të veçanta, siç janë bizneset, grupet e avokimit për mbrojtjen e përfitimit të përbashkët dhe grupet profesionale, siç janë sindikatat. OSHC-të janë autonome, vullnetare, shoqata jofitimprurëse që kanë qeverisje të strukturuar dhe një kornizë organizative. Ato veprojnë në kuadër të kufijve të përcaktuara me ligj dhe i mbrojnë interesat publike jashtë sferës politike. 

Shumë analistë pajtohen se sektori i shoqërisë civile është i përbërë nga disa entitete të cekura me poshtë:   
• Organizata – ka strukturë dhe punon në mënyrë të rregullt, pavarësisht nga regjistrimi ligjor 
• Privat – nuk janë zyrtarisht pjesë e shtetit
• Jofitimprurëse – shpërndarëse – nuk u shpërndajnë fitime aksionarëve apo një numri drejtorësh dhe kryesisht janë jo komerciale në aktivitetet e tyre 
• Vetëqeverisëse – i kontrollojnë punët e veta
• Vullnetare – pjesëmarrja nuk kërkohet sipas ligjit apo nuk është e obligueshme

OSHC-të nuk veprojnë në vakum, por ato janë të lidhura me kushtet shoqërore, politike, ekonomike dhe demografike. Dinamika e vlerave politike, popullata e re, privatizimi, pjesëmarrja a rritur e femrave në fuqinë punëtore dhe globalizimi, janë duke ndikuar thellësisht në natyrën dhe përbërjen e shoqërisë , e rrjedhimisht, edhe në natyrën e OSHC-ve. 
Si rezultat, gjatë dy dekadave të kaluara, është shënuar një trend domethënës në rritjen e organizatave të shoqërisë civile të qëndrueshme dhe të riorientuara kah zhvillimi, në krahasim me organizatat humanitare. Një trend tjetër ka qenë dalja në skenë e partneriteteve dhe marrëdhënieve kontraktuale mes organizatave joqeveritare dhe  sektorit privat, me autoritetet publike në shërbim të zhvillimit afatgjatë. 

Në kuadër të kategorisë së OSHC-ve, kemi organizatat joqeveritare apo OJQ-të, entitetet më së shumti të asociura me shoqërinë civile formale. OJQ-të zakonisht përkufizohen si organizata që nuk janë pjesë e qeverisë dhe nuk përfitojnë nga financimet e rregullta të qeverisë, dhe rrjedhimisht, janë të pavarura nga qeveritë. Edhe pse ky term mund të përfshijë teknikisht korporatat fitimprurëse, përdorimi i tij në përgjithësi kufizohet në grupet shoqërore, kulturore, ligjore dhe mjedisore të avokimit, me qëllime kryesisht jo komerciale. 

OJQ-të zakonisht janë organizata jofitimprurëse, që së paku një pjesë të financimit të tyre e marrin nga burimet private. Termi organizatë joqeveritare hyri në përdorim me themelimin e Kombeve të Bashkuara në vitin 1945, me dispozitat e nenit 71 të kapitullit 10 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, për ta përshkruar rolin  këshilldhënës të organizatave që nuk janë as qeveri, e as shtete anëtare. Për shkak se termi OJQ konsiderohet si shumë i gjerë nga disa, shumë OJQ tani parapëlqejnë termin organizatë private vullnetare. Një raport i OKB-së i vitit 1995 për qeverisjen globale, vlerësoi se ishin afër 29000 OJQ ndërkombëtare. Numri i tyre në vitin 2001, u vlerësua të jetë 40000. Numri  i OJQ-ve në vendet e caktuara  është edhe më i lartë: ShBA-ja ka rreth 2 milionë OJQ, shumica e tyre të formuara në 30 vjetët e fundit. Rusia ka 277.000 OJQ dhe India e cila vlerësohet të ketë mes 1 milion dhe 2 milionë OJQ. Gjatë një dite krijohen me dhjetëra të tilla, ku vetëm në Keni, çdo vit formohen diku rreth 240 OJQ të reja.

Për dallim prej disa vendeve të tjera, procesi i regjistrimit të OJQ-ve në Kosovë është relativisht i shkurtër, dhe bëhet përmes parashtrimit të kërkesës dhe dhënies së informatave Departamentit për regjistrimin e OJQ-ve dhe ndërlidhjen me to, i cili gjendet në kuadër të Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP). 

Kushtet për regjistrimin e OJQ-ve në vendin tonë janë si në vijim:
1. Emërtimi zyrtar i organizatës
2. Përshkrimi i organizatës (a është organizatë apo fondacion)
3. Adresa e organizatës
4. Qëllimet e organizatës
5. Emrat dhe adresat e themeluesve
6. Emrat, adresat dhe informatat e tjera për delegatët. 

Procedura e ngjashme vlen për edhe për OJQ-të ndërkombëtare, me një kusht shtesë që ka të bëjë me dhënien e dëshmisë se OJQ-ja është organizatë apo fondacion e regjistruar në përputhje me ligjin në vendin tjetër. Departamenti për regjistrim të OJQ-ve dhe ndërlidhje me to, gjithashtu ka Divizionin për raportim dhe monitorim,  i cili pranon dhe analizon raportet vjetore me paraqitjen e pasqyrave financiare të OJQ-ve, monitoron veprimtaritë e OJQ-ve me qëllim të konstatimit se në çfarë mase ato e respektojnë statusin e tyre dhe ligjet e tjera obligative, si dhe rekomandon avancimet e nevojshme, bashkëpunon me institucionet e tjera, ofron statusin e privilegjuar publik, merr vendime për pezullimin e statusit të privilegjuar publik, revokon dhe i çregjistron OJQ-të. 

Informatat për Departamentin janë transparente dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit të Departamentit: http://www.ks-gov.net/mshp/Departments.aspx. Në këtë faqe të internetit po ashtu mund të gjenden formularët për aplikim dhe materialet e tjera në gjuhën shqipe, angleze dhe në atë serbe. Për më tepër, përshkrimi i Departamentit në tri gjuhë zyrtare; shqipe, angleze dhe në atë serbe mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit. Sipas regjistrit të Departamentit të regjistrimit të OJQ-ve, ka më shumë se 7000 organizata të shoqërisë civile (OSHC) në Kosovë. Megjithatë, vetëm rreth 10 - 15% e të gjitha OSHC-ve të regjistruara janë aktive. Ndërsa, OJQ ndërkombëtare janë 447.