en-US
 
  • Site
  • Web
Search

SHOQËRIA CIVILE DHE KUPTIMI I SAJ!

Shoqëria civile nuk do të ishte asgjë nëse nuk është shumëngjyrëshe dhe gjithëpërfshirëse, si nga aspekti konceptual, dhe heterogjene. Pas diskutimeve që kanë zgjatur me qindra vite, ende nuk ekziston një përkufizim i pranueshëm nga të gjithë për shoqërinë civile. Koncepti është debatuar dhe përkufizuar në mënyra të ndryshme gjatë historisë, duke filluar nga  filozofët e Greqisë së lashtë. Aristoteli, një ndër emrat më eminent të Greqisë antike, fjalën “civile” e shihte si domethënie “të shtetit”; kështu, “shoqëria civile” i referohej ndërveprimeve kolektive të personit me shtetin, si qytetar i polisit (qytet në greqisht). Në bazë të Sokratit, argumenti publik përmes dialektikës, ishte imperativ për të siguruar qytetërimin në polis dhe një jetë të mirë për njerëzit. Në ditët e sotme, shoqëria civile zakonisht përkufizohet si sektor i tretë, ku si sektorët tjerë përfshijnë sektorin publik dhe atë privat, në të cilët njerëzit mund të bashkohen rreth vlerave, normave dhe interesave të përbashkëta.

Shoqëria civile përbëhet nga shoqatat që formësojnë ndërveprimin njerëzor jashtë dy sektorëve të tjerë, ndërsa kufijtë e sektorit janë të mjegullt dhe vështirë të përkufizohen në mënyrë të saktë. Në referimet e përditshme, termi përdoret për përfaqësimin e institucioneve, siç janë organizatat vullnetare dhe organizatat joqeveritare të shërbimeve. Disa hulumtues e zgjerojnë fushëveprimin e sektorit për të përfshirë familjen, grupet joformale të shoqërisë, lëvizjet shoqërore dhe mediat.  Ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme se shoqëria civile është një arenë e veprimit vullnetar kolektiv rreth interesave, qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta që dallohen nga familja, shteti dhe institucionet profit kërkuese. Është një hapësirë e  veçantë në shoqëri, ku njerëzit bashkohen për të debatuar, për të hyrë në shoqata dhe për të tentuar të ndikojnë shoqërinë në përgjithësi.

Shoqëritë civile janë rregullime organike të njerëzve, të formuara nga  ndryshimet e shumta që vazhdojnë të evoluojnë në çdo vend. Si manifestim i mënyrës së angazhimit të qytetarëve në shoqata, me qëllim të përmirësimit të jetës së tyre, të shprehjes dhe ndjekjes së interesave të tyre, të këmbimit të informatave, të ndërmjetësimit të dallimeve dhe të krijimit të marrëdhënieve sociale të qëndrueshme, institucionet shoqërore janë po aq të ndryshme ashtu siç janë edhe njerëzit që i themelojnë ato.

Përkufizimi i Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile: shoqërinë civile

Shoqëria civile i referohet shoqatave të qytetarëve (jashtë familjeve, miqve dhe bizneseve të tyre) të krijuara vullnetarisht për avancimin e interesave, ideve dhe ideologjive të tyre.

Për shkaqe të thjeshtësisë, shumë akademikë, donatorë ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës zhvillimore, e trajtojnë shoqërinë civile si një shoqëri që buron mes familjes dhe shtetit, e barabartë me sektorin e vetiniciuar vullnetar të përbërë nga individët që bashkohen në mënyrë të lirë dhe formale, të cilët tentojnë të arrijnë qëllime përmes organeve fetare, fondacione, klubeve rekreative, shoqatave profesionale, komisioneve të veprimit, sindikatave, lëvizjeve shoqërore dhe kështu me radhë. Në këtë drejtim, shoqëria civile mund të shihet si bazë, mbi të cilën ndërtohet kapitali shoqëror. Ajo plotëson ekzekutivin, legjislativin dhe mediat e pavarura për ofrimin e kushteve të nevojshme në mënyrë që zhvillimi dhe demokracia të lulëzojnë. Po kështu, ajo u përgjigjet shpesh çështjeve të  barazisë shoqërore, që anashkalohen nga institucionet profit kërkuese. 

Ngritja e shoqërisë civile në skenën vendore dhe botërore politike, përbën një nga zhvillimet kryesore të tri dekadave të fundit. Përderisa ekzistojnë dallime të shumta në vende dhe regjione të ndryshme, ajo çka është në zemrën e kësaj lëvizjeje është ndryshimi i marrëdhënieve mes shteteve dhe qytetarëve të tyre. Kur zbatohet pozitivisht, shpesh ky ndryshim përcjellët me begatimin e konceptit dhe të praktikës së të drejtave.

Shoqëria civile po ashtu ka fuqizuar kapacitetin e saj operativ si një instrument për ofrimin më të mirë të shërbimeve dhe për modernizim, duke ia hequr shtetit barrën e detyrave që më mirë mund të trajtohen nga organizatat joqeveritare. Pranimi gjithnjë më i madh i shoqërisë civile bazohet në besimin që njerëzit janë qytetarë me të drejta dhe obligime të mbrojtura me ligj, e jo qytetarë që varen nga privilegjet apo të drejtat. Përderisa dimensioni i kontributeve të prekshme mund të debatohet, shumë mendimtarë dhe profesionistë të çështjeve zhvillimore pajtohen se një shoqëri civile e gjallëruar dhe e organizuar është bazë e çdo shteti/kombi modern. Njëkohësisht, ky sektor nuk duhet të shihet si ilaç për të gjitha të këqijat apo si një përçues drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Disa studiues gjithashtu theksojnë rolin negativ që nganjëherë mund ta luajnë organizatat e shoqërisë civile; për shembull, ato mund ta rrisin rolin e shoqatave joformale në krahasim me mekanizmat formalë dhe disa organizata mund të ndjekin qëllime jodemokratike apo ksenofobie ose mund të punojnë për qëllime jomorale ose të paligjshme.

Gjatë shqyrtimit të fenomenit social, siç është rritja e aktiviteteve të shoqërisë civile, rrallëherë ka përgjigje të vetme apo përfundimtare, por më shumë ato janë të shumëfishta dhe ndryshuese, që varen nga konteksti. Ky kontekst përfshinë faktorët mjedisorë, institucionalë, të raporteve dhe faktorë tjerë.