en-US
 
  • Site
  • Web
Search

PODUJEVË, IADK HAP PIKËN E PËRPUNIMIT TË PEMËVE DHE PERIMEVE NË BRADASH

Pas trajnimit dhe certifikimit në përpunimin e pemëve dhe perimeve, një grup i grave të fshatit Bradash të Podujevës, sot kanë hapur pikën e përpunimit të pemëve dhe perimeve, e cila është krijuar me përkrahje nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës IADK dhe Komuna e Podujevës.

Në përurimin e kësaj pike përpunuese, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Agim Kika ka vlerësuar iniciativën e grave të Bradashit, në ngritjen e ekonomive të tyre familjare. Po ashtu ai ka vlerësuar përkrahjen e IADK-së në iniciativën e këtyre grave por edhe mbështetjen e bujqve tjerë në Podujevë. 

Drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, thotë se Organizata e tyre ka shtrirë aktivitet kryesisht në rajonin e Mitrovicës, por duke parë përkushtimin dhe partneritetin serioz me bujqit e vyeshëm llapjan, ka zgjeruara aktivitetin edhe në territorin e Komunës së Podujevës.

Ai thotë se IADK fillimisht kishte mundësuar trajnimin dhe certifikimin e 14 grave të fshatit Bradash, pastaj pas shprehjes së interesimit të madh të tyre, i ka mbështetur edhe në organizimin e shoqatës “Punëtorja e Llapit”, e tash së fundi edhe në pajisjen me mjete dhe hapjen e pikës për përpunimin e pemëve dhe perimeve. “Duke parë përkushtimin e tyre për tu aftësuar dhe ndihmuar familjet e tyre, ne i kemi mbështetur tani këtë grup të grave të Bradashit edhe me krijimin e një pike për përpunimin e pemëve dhe perimeve, e cila ka pajisje moderne dhe komplete si në pastrimin, përpunimin dhe paketimin për treg të produkteve bujqësore”,  ka thënë Bunjaku.

Me këtë projekt, Bunjaku ka theksuar se synohet që gratë që janë aftësuar, tani të vetëpunësohen në bizneset e tyre familjare dhe të krijojnë të ardhura dhe rrisin mirëqenien e familjeve të tyre.

Ndërkaq Shefkije Hoti, përfituese nga ky projekt, thotë se synon që me aftësimin dhe përkrahjen që ka marr nga IADK dhe Komuna e Podujevës, të rris prodhimtarinë dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve.