en-US
 
  • Site
  • Web
Search

U mbajt konferenca hartimi i politikave për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë

Organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) dhe partneritet të projektit për Shoqëri Civile, Syri i Vizionit (SiV), është  mbajtur konferenca në nivelin qendror, ku është bërë prezantimi dhe diskutimi i Planit për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (PZHRB) të Kosovës 2014-2020. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë 62 pjesëmarrës nga institucione dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës (MBPZHR), përfaqësues të Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës (BSHBK), Drejtoritë për Bujqësi të komunave të Kosovës, Grupet Lokale të Veprimit (GLV), përfaqësues të kompanive bujqësore, organizatave të fermerëve, fermer individual, zyrtarë nga IADK, Solidar Suisse, USAID, SiV dhe pjesëmarrës të tjerë.

Drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku, në hapjen e kësaj konference  paraqiti në hollësi   gjendjen në të cilën gjendet  sektori i  bujqësisë në Kosovë, kushteve me të cilat ballafaqohen fermerët kosovar, rëndësinë e përfaqësimit dhe përfshirjes së shoqërisë civile në dialog për hartimin e Planit për zhvillimin rural dhe bujqësor nga MBPZHR, si dhe  përkrahjen dhe mbështetjen që po i jep sektorit të bujqësisë  Zyra  e BE-së në Kosovë.

Ai po ashtu tha se MBPZHR duhet të dal në teren për të  shikuar gjendjen me të cilën përballën fermerët tanë, në mënyrë që të ketë një pasqyrë më të qartë të gjendjes së këtij sektori. “Përveç MBPZHR-së, në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë kanë kontribuar edhe organizata ndërkombëtare si USAID, DANIDA, e po ashtu edhe komunat, ku nga buxheti i Kosovës ndahen rreth 6.5 milion euro për bujqësi për komuna dhe nëse nuk orientohen mire, ato investime shkojnë në dëm të fermerëve. Ky buxhet duhet të shkoj edhe në rregullimin e  infrastrukturës, për përmirësimin e kushteve të fermerëve ”, tha Bunjaku.

Sa i përket sektorit të bujqësisë, ai tha se bujqësia ka një sfidë për vitet e ardhshme kur Kosova të përafrohet me  Bashkimin Evropian. Ndërsa, rreth  projektit në fjalë, ai paraqiti aktivitetet të cilat janë zbatuar  nga IADK dhe ato që do të  zbatohen deri në fund të këtij viti.  Drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku vlerësoi se  projekti ka kontribuar shumë në ngritjen e kapaciteteve të BSHBK-së, fuqizimin e kësaj organizate dhe përfaqësimin e tyre si një zë i bashkuar i fermerëve.

Ndërsa Shqipe Dema, drejtoreshë e Autoritetit Menaxhues dhe Politikave Zhvillimore në MBPZHR, bëri një prezantim të shkurtër të Planit për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020.  Ajo tha se ky plan është i Kosovës e jo i Ministrisë së Bujqësisë. Ajo tha se ky plan është një draft dokument që nuk është final, dhe se masat për zbatim janë hartuar për një periudhë një vjeçare në bashkëpunim me shoqërinë civile. “Shoqëria civile duhet të jetë prezente në çdo cikël të programit 2014-2020, i cili është përgatitur sipas plan programit të IPA 2, ku buxheti i prezantuar mund të ndryshojë dhe të rritet”, përfundoj ajo.

Përveç Shqipe Demës, prezent nga MBPZHR ishin edhe shumë zyrtarë të tjerë të cilët prezantuan masat e Planit për Zhvillim Rural dhe Bujqësor 2014-2020.

• Arban Hoxha bëri prezantimin: MASA 101 INVESTIMET NË ASETET FIZIKE NË EKONOMITË BUJQËSORE; 

• Bajram Imeri - MASA 103, INVESTIMET NE PËRPUNIMIN DHE  TREGTIMIN E PRODUKTEVE BUJQËSORE; 

• Fisnik Sadikaj - MASA 201, MASAT AGRO-MJEDISORE DHE BUJQËSIA ORGANIKE dhe MASA 202 NGRITJA DHE MBROJTJA E PYJEVE; 

• Bekim Cikaqi - MASA 302, DIVERSIFIKIMI I FERMAVE DHE ZHVILLIMI I BIZNESEVE; 

• Nehat Veliu - PROCEDURAT E IMPLEMENTIMIT TË PROJEKTEVE TË ZHVILLIMIT RURAL

Mihai Constantinescu, Ekspert dhe Këshilltar i lartë i Zhvillimit Rural nga DANIDA bëri një prezantim me temë: “Përvojat e vendeve të BE-së në hartimin e politikave bujqësore”. Në këtë prezantim, eksperti nga Runamia, paraqiti gjendjen, sfidat dhe procedurat nëpër të cilat ka kaluar shteti i Rumanisë gjatë procesit të anëtarsimit në  në BE, duke thënë se Rumania ka humbur kontrollin mbi bujqësinë më anëtarësim në BE, për shkak të kushteve dhe kritereve të cilat janë të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Ai  përshkroi gjendjen me politikat fiskale, subvencionet dhe aspekte të tjera makro ekonomike, që kanë ndryshuar me hyrjen në BE, dhe përfitimet  të cilat i kishte Rumania me përkrahje financiare gjatë periudhës së para dhe pas integrimit në strukturat evropiane, ku shteti rumun ka ngritur fondin për bujqësi pas anëtarësimit në bashkimin evropian për 7 herë më shumë, duke arritur shumën në 1 miliard euro, në mënyrë që fermerët t’i bëjnë ballë tregtisë së lirë në Bashkimin Evropian. 

Në këtë konferencë prezent ishte edhe kryetari i BSHBK-së Agim Sahiti, i cili paraqiti rolin dhe ndikimin e BSHBK-së në institucionet vendimmarrëse, duke thënë se roli i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm. Ai tha se BSHBK është zëri i fermerëve dhe qëllimi i saj është përfshirja e një numri më të madh të organizatave të fermerëve. Ai po ashtu bëri thirrje për Ministrinë e Bujqësisë që ata t’i llogarisin si partner në hartimin e politikave bujqësore, pasi që në BSHBK janë të përfaqësuar shumica e sektorëve bujqësore ne nivel te vendit.

Pas prezantimeve u bë një debat i hapur në mes të pjesëmarrësve, ku fermerët paraqiten brengat dhe problemet me të cilat ballafaqohen, kushtet jo të favorshme për punë, mungesa në transparencë, mungesa në hartimin e këtij plani, e shumë çështje të tjera me interes në sektorin e bujqësisë. Disa nga sugjerimet kishin të bënin me këto  çështje

• Te sektori i grurit të ndryshohet përkrahja për fermerë, nga 15 hektarë që është në strategji të behët  10 hektarë 
• Të rregullohen dokumentet/aplikacionet për subvencione dhe grande nga Agjencioni për Zhvillim të Bujqësisë
• Të përkrahën më shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve, që të përfitojnë më shumë fermerë. 
• Si pjesë e përkrahjes të futet edhe sektori i përpunimit të drithërave. 
• Në sektorin e verëtarisë të lobohet në ngritjen e kuotës për eksport në Bashkimin Evropian, nga 2 mijë litra sa është lejuar tani, të rritet në minimum 5 mijë litra.  
• Të këtë më shumë vizita monitoruese tek fermerët të cilët aplikojnë për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Plani për zhvillim rural i MBPZHR-së është një draft dokument i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe si i tillë mund të përmirësohet dhe ndryshohet në dobi të fermerëve kosovar.

Kjo konferencë është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politikëbërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar   nga IADK në partneritet me SiV.