en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Mbahen punëtoritë rreth Subvencioneve dhe Granteve në nivelin lokal me komunën e Pejës dhe të Mitrovicës

Fermerët kërkojnë përmirësimin e kushteve dhe praktikat e ndarjes së subvencioneve dhe granteve nga komuna e Pejës dhe Mitrovicës

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politikë bërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga IADK në partneritet me SiV, janë organizuar dy punëtori në qytete të ndryshme me temë: “Subvencionet dhe grantet në nivelin lokal”.

Në punëtorinë e organizuar në Pejë kanë marrë pjesë 31 pjesëmarrës nga komuna e Pejës, si: përfaqësues nga drejtoria për bujqësi, organizata të fermerëve, anëtarë të BSHBK-së, fermerë individual, zyrtarë nga SiV dhe IADK. Ndërsa në punëtorinë e organizuar në Mitrovicë, kanëe marrë pjesë 25 pjesëmarrës nga institucione dhe organizata të ndryshme si: zyrtarë nga Kuvendi komunal,  drejtoria për bujqësi, financa, anëtarë të BSHBK-së, fermerë individual dhe zyrtarë nga IADK-ja.

Qëllimi i këtyre punëtorive ka qenë që të përmirësohen praktikat-procedurat e skemës për aplikimin e granteve dhe subvencioneve në nivelin lokal, promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të fermerëve, analiza e skemës aktuale të subvencioneve dhe granteve lokale dhe hartimin e një dokumenti-modeli me praktikat-procedurat dhe skemën për aplikimin e subvencioneve dhe granteve në nivelin lokal. 

Gjatë këtyre punëtorive u prezantua gjendja aktuale dhe praktikat e deritanishme të ndarjes së subvencioneve dhe granteve nga Komuna e Pejës dhe Mitrovicës nga eksperti Nazmi Rapuca, i cili prezantoj në mënyrë kronologjike praktikën e ndarjes së subvencioneve dhe granateve në sektorin e bujqësisë nga këto dy komuna. Pastaj, pjesëmarrësit janë ndarë në grupe punuese duke debatuar  rreth vlerësimit të gjendjes së tanishme në tri fushat kryesore në të cilat duhet të orientohen subvencionet dhe grantet, dhe cilat kategori e fermerëve duhet të përfitojnë në të ardhmen.

Për praktiken e ndarjes se subvencioneve dhe granteve, pjesëmarrësit ishin shumë të pakënaqur dhe patën vërejtje në këtë drejtim, duke kërkuar që krahas kësaj të rritet fondi për sektorin e bujqësisë. 

Ata diskutuan dhe dhanë rekomandimet e tyre duke sygjeruar që përfitues të kësaj skeme të jenë kultivues të kulturave bujqësore, si: blegtori, bletari, hortikulturë dhe zhvillimi i turizmit rural, por gjithashtu edhe kultivues të ndryshëm bujqësorë (bimët aromatike dhe mjekuese), etj. Mes të tjerash, fermerët kërkuan që të përcaktohen drejt kriteret e ndarjes së subvencioneve dhe granteve, shoqëria civile të marrë pjesë në hartimin e këtyre kritereve, të formoj komisione për vlerësim të aplikimeve që bëjnë fermerët dhe të monitorojnë fermerët përfitues, të përkrahen fermerët e vegjël dhe të mesëm, të bëhet një informim më i mirë gjatë periudhës së aplikimit, të avancohet pjesëmarrja e gruas në bujqësi, si dhe të ngritët niveli i shërbimeve këshillimore për fermerë, etj.

Të gjitha këto rekomandime u morën për bazë nga drejtoritë komunale përkatëse për bujqësi dhe ata premtuan që gjithmonë do të jenë në përmbushje të kërkesave dhe nevojave të fermerëve.

Nga ekspertiza e angazhuar në këtë aktivitet, do të përgatitet një dokument i cili do të shërbejë si model edhe për komunat tjera të Kosovës, për praktiken më të mirë të ndarjes së subvencioneve dhe granteve lokale.

Edhe një herë, zyrtarë nga IADK-ja shprehen përkushtimin dhe gatishmërinë e IADK-së që edhe më tutje të punojë në ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile në sektorin e bujqësisë, përmirësimin e kushteve dhe plotësimin e nevojave të fermerëve në përgjithësi.